Lotaria Amerikane, nesër nisin aplikimet. Si të merrni një vizë për në SHBA, keni afat deri më 7 nëntor

0
224

Të gjithë të interesuarit për të aplikuar për Lotarinë Amerikane, mund ta bëjnë këtë duke filluar nga data 4 tetor, e deri më 7 nëntor. Për të gjithë të interesuarit, Ambasada Amerikane ka publikuar Udhëzimet për Regjistrimet për Lotarinë DV2018. Nëse doni të mos skualifikoheni që në fillim, kini parasysh të mos përdorni fotot që i keni përdorur në aplikimet e shkuara dhe të mos dilni në foto me syze. “Mos përdorni fotografinë që përdorët vitin e kaluar në DV2017 dhe hiqini syzet kur të dilni në fotografi për lotarinë, përndryshe ju do të skualifikoheni automatikisht. Regjistrimet për DV2018 fillojnë më 4 Tetor 2016, ora 18:00, ora lokale e Shqipërisë dhe mbyllen më 7 Nëntor 2016, ora 18:00, ora lokale e Shqipërisë”, – njofton Ambasada. Regjistrimet për Programin e Lotarisë DV-2018 duhet të kryhen në mënyrë elektronike në: “www.dvlottery. state.gov”. Mos prisni deri në javën e fundit të periudhës së regjistrimit, pasi kërkesat e shumta mund të shkaktojnë mbingarkesë të faqes së internetit. Aplikimet me letër ose aplikimet e vonuara nuk do të pranohen. Ligji lejon vetëm një regjistrim për çdo person gjatë periudhës së regjistrimit.

Departamenti i Shtetit përdor teknologji të sofistikuar për t’u vënë në dijeni të regjistrimeve të shumëfishta. Individët që kanë aplikuar më shumë se njëherë gjatë një periudhe regjistrimi do të skualifikohen. POROSIA PER APLIKIMIN Jeni të inkurajuar të plotësoni vetë formularin e regjistrimit, pa ndihmën e një “këshilltari për viza”, “agjenti të vizave” ose personave të tjerë që ju ofrojnë ndihmë. Nëse është dikush tjetër që ju ndihmon, duhet të jeni të pranishëm në momentin e përgatitjes së regjistrimit, në mënyrë që t’u përgjigjeni të gjitha pyetjeve në mënyrë sa më të saktë, të merrni faqen e konfirmimit dhe numrin e konfirmimit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të pajiseni me faqen e konfirmimit dhe numrin e konfirmimit. Pa këtë informacion, nuk do të jeni në gjendje të hyni në sistemin online, i cili do t’ju informojë mbi statusin e regjistrimit tuaj. Duhet të jeni të kujdesshëm në rastin kur dikush ofrohet të ruajë faqen tuaj të konfirmimit dhe numrin tuaj të konfirmimit. Ju gjithashtu duhet të keni akses tek posta elektronike që keni vendosur tek regjistrimi juaj në E-D. Pasi të keni dorëzuar elektronikisht regjistrimin e plotë, do t’ju shfaqet një faqe konfirmimi, e cila përmban emrin tuaj dhe numrin unik të konfirmimit. Printojeni këtë faqe dhe ruajeni. Kontrolli i statusit të të regjistuarit do të jetë e vetmja mënyrë informimi mbi përzgjedhjen tuaj për Lotarinë DV-2018, duke ju dhënë udhëzime se si të vazhdoni më tej me aplikimin tuaj dhe duke ju njoftuar mbi takimin për vizë emigrimi. Kriteret kualifikuese mbi arsimimin dhe punësimin Të gjithë aplikantët e Lotarisë së Vizave të Shumëllojshmërisë (DV) këshillohen të shqyrtojnë udhëzimet mbi kriteret e kualifikimit të arsimimit dhe punësimit para se të aplikojnë. Aplikanti kryesor (ai që është përzgjedhur në bazë të numrit të aplikimit) duhet të ketë arsimim apo punësim të kualifikueshëm me qëllim që të kualifikohet për një vizë të programit të lotarisë së DV-së. Arsimimi: Aplikantët duhet të kenë mbaruar arsimin e mesëm me kohë të plotë që është ekuivalent me arsimimin në të paktën një shkollë të mesme amerikane (4- vjeçare, me kohë të plotë, arsim i përgjithshëm). Jo të gjitha diplomat e shkollës së mesme në Shqipëri kualifikohen për programin. Diplomat e shkollës së mesme me kohë të pjesshme – pa shkëputje nga puna, shkollat e natës ose ato me korrespondencë, përfshirë programet pesë vjeçare ose programet e gjata (me kohë të pjesshme, pa shkëputje nga puna, shkollat e natës ose me korrespondencë) nuk kualifikohen për programin e lotarisë. Për më tepër, diplomat e shkollave të mesme profesionale rrallëherë kualifikohen për lotarinë. Edhe nëse ju keni mbaruar një pjesë të shkollës së mesme në sistemin me shkëputje nga puna dhe pjesën tjetër në sistemin me kohë të plotë, kjo diplomë nuk kualifikohet për programin e lotarisë. Diplomat universitare kualifikohen për programin e lotarisë së DV-së.

Punësimi: Aplikantët që nuk përmbushin kriterin e arsimimit, duhet të përmbushin kriterin e përvojës në punë për dy vjet në një profesion që kërkon të paktën dy vjet trajnim apo përvojë brenda një periudhe pesëvjeçare menjëherë para aplikimit. Vetëm disa profesione specifike kualifikohen për programin e Vizave të Shumëllojshmërisë. Për t’u kualifikuar për një vizë të lotarisë mbi bazën e eksperiencës së punës, ju duhet të keni brenda pesë viteve të fundit dy vjet përvojë në një profesion që është përcaktuar si Zonë Pune 4 ose 5, e klasifikuar në Përgatitjen Profesionale Specifike (SVP) të vlerës 7.0 ose më lart. Profesionet kualifikuese të DV-së janë të renditura në bazën e të dhënave të departamentit të punës ”ONet Online Database”. Përzgjedhja e aplikantëve Bazuar në shpërndarjen e vizave të disponueshme për çdo rajon dhe shtet, individët do të përzgjidhen rastësisht nga kompjuteri ndërmjet aplikimeve të kualifikuara. Për të gjithë aplikantët e DV-2018 do të kërkohet të shkojnë tek Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve duke përdorur numrin unik të konfirmimit të ruajtur nga regjistrimi DV-2018 i aplikimit të tyre në internet për të gjetur nëse aplikimi i tyre është përzgjedhur në programin e DV. Nëse aplikimi juaj përzgjidhet, ju do të drejtoheni tek një faqe konfirmimi që do ju japë udhëzime të mëtejshme, përfshirë informacione për pagesat lidhur me emigracionin në Shtetet e Bashkuara. Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve do të jetë mjeti i VETËM me të cilin të përzgjedhurit do të njoftohen për përzgjedhjen e tyre për DV-2018. Departamenti i Shtetit nuk do të dërgojë letra njoftimi ose të njoftojë të përzgjedhurit me email. Ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe konsullatat nuk do të sigurojnë lista për të përzgjedhurit. Individët të cilët nuk janë të përzgjedhur gjithashtu do të njoftohen VETËM përmes Kontrollit të Statusit të Regjistrimit. Ju jeni të inkurajuar fuqimisht të hyni vetë tek Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve dhe të mos mbështeteni tek dikush tjetër për të kontrolluar dhe për t’ju informuar.