Vetëm pak ditë pasi Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Turqi rekomandoi zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, ka ardhur dhe vendimi i qeverisë turke.
Zëvendëskryeministri Numan Kurtulmush e bëri sot të ditur vendimin përkatës.
“Një nga vendimet e marra nga kabineti është zgjatja e gjendjes së jashtëzakonshme 90-ditëshe, e përtëritja e saj nga ora 01:00 më 19 tetor,” u tha ai gazetarëve pas mbledhjes së përjavshme të qeverisë turke.
Gjendja e jashtëzakonshme në vend u vendos pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti më 15 korrik të këtij viti.
Sipas kushtetutës turke, gjendja e jashtëzakonshme mund të vendoset për një periudhë maksimale prej gjashtë muajsh.
Në një takim me qeverisësit lokalë para pak ditësh, presidenti Erdogan pati deklaruar se lufta ndaj terrorit kërkonte më shumë kohë, e se tre muajt e gjendjes së jashtëzakonshme nuk ishin të mjaftueshme.
Turqia përballet prej muajsh me një sërë sfidash në lidhje me sigurinë në vend, në luftë të hapur me FETÖ-n, PKK-në e ISIS-in.