Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në vizitën zyrtare në Tiranë ka pasur një axhendë të ngjeshur, por edhe tejet të veçantë. Thaçi i dorëzoi medaljen “Urdhri i Pavarësisë”, shkrimtarit të madh të letrave shqipe, Dritëro Agollit, për kontributin në pavarësinë e Kosovës.
Që në fillim të bashkëbisedimit, shkrimtari u shpreh se e ka të vështirë ta thotë emrin Kosovë, pasi sipas tij rilindësit, që nga koha e Lidhjes së Prizrenit, ishin për një republikë të përbashkët.
“Lidhja e Prizrenit ishte për një republikë. Sot kemi dy Republika, Republika e Kosovës edhe Republika e Shqipërisë, bile edhe unë mezi e them e Shqipërisë dhe e Kosovës se ato mund të thuhen më mirë e Shqipërisë këtej Drinit dhe e Shqipërisë përtej Drinit. Shkrimtari po ashtu i korrigjoi mbiemrin Presidentit të Kosovës: Këta ju thonë Hashim Thaçi, unë “h”në do të ta heq, do të them Taçi sepse kështu është. “TH”ja është mbeturinë e vjetër e fjalëve anglosaksone. Në Kolonjë, kemi: Taçi i sipërm e Taçi i poshtëm”, tha Agolli, raporton Shekulli.
Ndërkohë presidenti Thaçi e falënderoi shkrimtarin që u bë frymëzim për të gjithë për lirinë e Kosovës edhe kur të tjerët shpresuan pak.
Bashkëbisedimi i plotë i Dritëro Agollit me Hashim Thaçin:
Dritëro Agolli: U lodhët ca se e kishit ditën e ngjeshur sot.
Hashim Thaçi: Nuk jemi lodhur fare, sepse sot kaluam tepër mirë. Si jeni ju ? I fortë?
Dritëro Agolli: Unë shumë i fortë s’jam, por po përpiqem që të jem.
Hashim Thaçi: Ju jeni edhe i fortë dhe na keni forcuar dhe ne të gjithëve në çdo kohë.
Dritëro Agolli: Epo kanë ardhur kohë të mira për ne Shqiptarët, tamam siç kanë dashur Rilindasit tanë në Lidhjen e Prizrenit. Atje u bë, atje e kemi pikënisjen. Kjo që po ndodh sot është pjesë e programit të tyre, vetëm se ata e nuk e kishin në programin e tyre të bëhen dy republika. Biles dhe unë mezi e them: Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës, nuk mund ta bëj këtë ndarje. Nuk duhet të thuhet Republika e Kosovës dhe e Shqipërisë, por Republika e Shqipërisë këtej Drinit dhe përtej Drinit. Ka ndodhur që të kemi dy Republika dhe dy Presidentë.
Nuk kemi çfarë të bëjmë. Ju jeni zgjedhur tani të përfaqësoni Republikën e Shqipërisë së përtej Drinit dhe ne jemi të gëzuar që ju presim, por edhe sikur në Prizren të kishit këtë takim unë do të kisha ardhur sepse në vitin e parë të zgjedhjes suaj president i Republikës së përtej Drinit, vini për herë të parë këtu për të më nderuar mua. Këta ju thonë Hashim Thaçi, unë “h”në do ta heq, do të them Taç sepse kështu është. “TH”ja është mbeturinë e vjetër e fjalëve anglosaksone. Ne kemi rrjedhur nga Kolonja. Ne i themi “taçi”. E quajmë Taçi sipër e Taçi poshtë.
Sadije Agolli: Gëzuar, mirësardhët! Suksese!
Hashim Thaçi: Gëzuar dhe mirë se ju gjetëm!
Dritëro Agolli: Gëzuar! Ju mos më lini të flas shumë se plaku bëhet i mërzitshëm. Hashim Thaçi: Është kënaqësi për mua që kam ardhur për t’iu uruar datëlindjen e 85. Unë ju uroj jetë të gjatë juve dhe familjes tuaj. Respekt për Sadijen, bashkëshorten tuaj që ju ka qëndruar afër gjithmonë, për kujdesin që ka treguar. Unë e di se jam para gjeniut të letrave shqipe dhe jo vetëm. Ato që ke shkruar kanë qenë frymëzim për të gjithë gjeneratat në Kosovë në vitin ’68 për lirinë e Kosovës, në vitin ’81 në protestat për Republikën e Kosovës edhe në demokraci. Në fillim të viteve ’90 ia keni thënë të vërtetën qytetarëve në Shqipëri për tranzicionin demokratik që ka kaluar vendi.
Keni artikuluar qartë se si Shqipëria duhet të ndryshojë. Për të gjitha këto shpreh respektin tim personal, dhe si President. Për guximin dhe mbështetjen e pahezitueshme që keni dhënë për kombin dhe për demokratizimin e vendit me anë të ideve dhe shkrimeve tuaja për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për luftëtarët e lirisë, dhe për legjendarin Adem Jashari, si President i Kosovës, ju jap urdhrin e Pavarësisë së Kosovës.
Sadije Agolli: Këto janë emocione të veçanta për ne si familje.
Dritëro Agolli: Ju falënderoj nga zemra që më bëni një nder kaq të madh me dekorimin! Ju vini në Shqipërinë e këndej Drinit me duart plot. Unë kam besim të plotë se Republika e Shqipërisë së përtej Drinit, Kosova në një të ardhme të afërt do t’ia kalojë të gjithë vendeve për nga përparimi i saj. Pse? Sepse Kosova ka kuadro në të gjithë fushat. Emigrimi ka bërë edhe mirë, sepse janë rritur kuadro në fushën e mjekësisë, të organizimit të ekonomisë dhe në fushën e kulturës dhe të tokës. Një tokë e pasur, lugina të bukura dhe fusha të pasura, male që zgjaten deri në Shalë të Bajgorës. Ju do të ecni aq përpara sa do të çuditen të gjithë. Ne si shtet këndej Drinit këtë punë kemi, bëjmë shumë propagandë të madhe duke sulmuar njëritjetrin. Ju e shihni në shtyp që shpesh herë zihen në parlament vetëm për pozita personale. Nuk e di a do të shpëtojmë ndonjëherë nga zënkat. Por vetëm kur bjerë llafi për Republikën përtej Drinit nuk zihen, madje bashkohen.
Hashim Thaçi: E vërtetë, bashkohen të gjithë forcat në Shqipëri.
Dritëro Agolli: Unë mendoj se duhet një kulturë e gjerë demokratike në parlament. Duhet që ai që kundërshton të jetë kundërshtar dialogues jo armik. Ne ngatërrojmë kundërshtarin me armikun. Kur të ngrihet kultura demokratike do të shpëtojmë si vend.
Hashim Thaçi: Pluralizmi i ka këto. E rëndësishme është që ne realizuam atë që e kemi pasur ëndërr. Shqipëria sot është në NATO, i bëri 104 vjet shtet, ne jemi shtet sovran. Perspektiva jonë e përbashkët është bashkimi i gjithë shqiptarëve dhe i njerëzve që jetojnë në rajon në një hapësirë pakufi në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Dritëro Agolli: Ky është nga kujtimet më të mira. Tani merrni ndonjë gjë nga këto cingla-minglat. Mua vërtet mu bë qejfi që më bëtë këtë nderim zoti Hashim Taçi. Unë nuk do të kem jetë të gjatë, por do të përpiqem që të punoj për ngritjen lart të Republikës së përtej Drinit, për t’u bërë oaz i krenarisë së kombit.
Hashim Thaçi: Na lini pak vetëm që të bëjmë një dorë muhabet.
Dritëro Agolli: Kjo është një shtëpi e vjetër, nuk ka ashensor.
Ramiz Lladrovci: Jemi stërvitur ne.