Vasili: Nëse Kushtetuesja rrëzon Vettingun, preket edhe pjesa tjetër e paketës së Reformës në Drejtësi

0
184

Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, gjykon se nëse Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin për Vettingun, kjo do të prekte edhe pjesën tjetër të paketës së Reformës në Drejtësi. Kjo pasi, sipas Vasilit, kjo paketë është menduar si organike, ku ligjet influencojnë njëra-tjetrën. Ndërsa ligjin për SPAK, ai e cilësoi si një sprovë përmes të cilës shoqëria shqiptare duhet të dalë mbi veten.

Të dyja krahët e politikës e kanë cilësuar si thelbin e Reformës në Drejtësi. Petrit Vasili shpjegon përse një rrëzim i mundshëm i Ligjit të Vettingut nga Gjykata Kushtetuese, do të kishte pasoja edhe mbi pjesën tjetër të paketës dhe vetë reformën.

Demokratët kanë bërë me dije se do ta dërgojnë ligjin përballë testit kushtetues, ndonëse ende nuk e kanë bërë një veprim të tillë. Për këtë, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, i rikujton kolegëve të opozitës se thelbi i procesit të vettingut nuk është në ligj por në ndryshimet kushtetuese të miratuara me unanimitet nga Parlamenti.

Një tjetër ligj delikat i kësaj pakete që pritet të miratohet të enjten në seancë plenare është ai për Spak, Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, që do të hetojë e gjykojë edhe zyrtarët e lartë. Rregullat strike bashkë me kontrollet e komunikimeve të cilave duhet t’u nënshtrohen gjyqtarët dhe prokuroët e SPAK, kanë skepticizëm mbi zbatueshmërinë në realitetin shqiptar.

Pas paketës bazë të reformës në drejtësi, mbeten mbi 30 ligje të tjera që duhet të rishikohen. Ndonëse nuk ka ende një qëndrim përfundimtar, Petrit Vasili duket se do të preferonte që këto ligje të trajtohen nga komisionet e përhershme të Parlamentit, duke e mbyllur kështu kapitullin e komisionit të posacëm të ngritur për reformën në drejtësi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here