Wednesday, November 13, 2024
Home Aktualitet Miliona euro për dializën, pacientët me bukë e patate dhe çarçafët me...

Miliona euro për dializën, pacientët me bukë e patate dhe çarçafët me vete(SKANDALI)

0
466

Megjithatë, pavarësisht kësaj shifre shumë të madhe, pacientët që marrin trajtimin në Spitalin Amerikan, shprehen se u duhet t’i marrin çarçafët me vete kur janë në spital, ndërsa ushqimi është i papërshtatshëm për ta.

Problemi thellohet teksa institucionet shqiptare, të kontaktuara prej nesh, nuk pranojnë asnjë përgjegjësi për këtë çështje. Ministria e Shëndetësisë dhe QSUT-ja thonë se nuk është e tyre përgjegjësia për të monitoruar shërbimin e dializës në Spitalin Amerikan, ndërkohë që FSDKSH, që lëvron gjithë paratë për këtë institucion privat, nuk jep asnjë përgjigje, as me postë dhe as me e-mail. Nga ana tjetër, e kontaktuar nga shoqata “Together for Life”, administrata e Spitalit Amerikan nuk pranoi të japë përgjigje për këtë çështje.

Dializa

Figura 1. Vlera e paketës sipas kontratës së FSDKSH me institucionet shëndetësore jopublike (Kliko këtu për të lexuar kontratën)

Situata

Në vitin 2014 Ministria e Shëndetësisë u shpreh se bëhet fjalë për 900 persona në gjithë vendin të cilët marrin shërbimin e dializës. Ky shërbim merret në katër qendra publike (Tiranë, Shkodër, Elbasan, Gjirokastër), si dhe në dy spitale private (Spitali “Hygeia” me një qendër në Tiranë dhe Spitali Amerikan me tre qendra hemodialize në Tiranë, Durrës dhe Fier).

Pacientët e Spitalit Amerikan ngrenë zërin, duke e akuzuar këtë institucion se po abuzon me fondet që jep shteti për trajtimin e tyre, pasi mungon shërbimi i lavanderisë dhe i detyron ata të shkojnë në spital me çarçafë me vete. Ndërkohë ushqimi është i papërshtatshëm për sëmundjen e tyre.

Sipas kontratës, shteti shqiptar i jep Spitalit Amerikan 11.204 lekë të rinj vetëm për një seancë hemodialize që kryen një i sëmurë. Marrë parasysh faktin që një pacient i dializës bën dializë tre herë në javë, çdo javë në vit, nënkupton se shteti shqiptar i paguan Spitalit Amerikan për 156 seanca për çdo pacient një vlerë prej 1.747.824 lekësh në vit.

Sipas nënkryetares së Shoqatës së Pacientëve me Hemodializë, Alma Sheme, në Spitalin Amerikan trajtohen 190 pacientë. Kështu që si rrjedhojë, për një vit, shteti ynë i paguan këtij institucioni privat 332.086.560 lekë apo e thënë në “gjuhën e popullit”, siç kanë filluar së fundmi të shprehen edhe qeveritarët tanë, një shifër prej 3.3 miliardë lekësh (2.371.200 Euro). Në këtë shifër përfshihet edhe kostoja e shërbimit të lavanderisë dhe dietës ushqimore.

Pacientët: Marrim çarçafët me vete në spital, ushqimi nuk hahet

Pacientët që marrin shërbimin e dializës në Spitalin Amerikan, shprehen mjaft të revoltuar për mungesën e shërbimit të lavanderisë dhe dietës jocilësore, e cila ndër të tjera, është edhe e papërshtatshme për ta. Të kontaktuar prej nesh, pacientët shprehin zemërimin e tyre për shërbimin që u ofrohet, pavarësisht shumës që shteti paguan.

Spitali Amerikan Dializa

Figura 2-3. Pacientët në Spitalin Amerikan me batanije me vete

Shpëtim Stafa: “Ushqimi është skandal. Gjithçka vjen e ftohtë. As në burg nuk e hanë këtë ushqim. Ai vakt nuk vlen as 50 lekë, jo 366 që gjoja paguan shteti për një vakt tonin. Më mirë të mos na e sjellin fare. E dimë që s’kemi gjë e po e blejmë vetë një sanduiç, se 100 lekë bën. Pse duhet të vijmë gjithmonë me batanije e çarçafë në krah!? A nuk paguan shteti për këtë? Rrimë në krevatë si krevatë berberësh. Nuk bëhet dializa aty me këmbët jashtë e krahët lart, se nuk na nxe.”

Ardian Hoxha: “Kam 15 vjet që mjekohem për dializë. Kushtet këtu janë skandal. Si mund të rri unë 4 orë duke bërë dializë në atë krevat, ku këmbët më dalin jashtë dhe krahun duhet ta mbaj në ajër!? Po çarçafët pse duhet t’i marrë i sëmuri nga shtëpia e t’i sjellë sa herë vjen këtu? Ja, shikojeni si vijmë të gjithë me çanta e qeska, unë edhe jastëkun e marr me vete. Ushqimi faqezezë. Kam vajtur disa herë tek drejtori e nuk ka bërë asgjë, ndërsa ata që sjellin ushqimin kur i ankohemi, na thonë: Pse, për bukë keni ardhur ju këtu? Mua më takon haku im, se e kam 400 lekë dietën, por ajo mbeturina që na sjellin, me ca patate të paziera dhe një copë pulë të kalbur, nuk bën as 50 lekë apo djathi që në dietë shkruhet djathë kaçkavall, këta na sjellin djathë pice. Ne kemi regjim ushqimor të veçantë, s’mund të na sjellin çfarëdo.”

Ludovik Prendi: “Unë vij nga Puka me çarçafë me vete. Nisem në tre të natës, që të arrij në orën 7 të mëngjesit për të bërë dializën këtu, se jam turni i parë. Shteti për transportin më jep vetëm 14.000 lekë të reja. Pastaj ushqimi, sidomos për ne të turnit të parë, vjen krejt i ftohtë, se e mbajnë tërë natën në figorifer e na e sjellin ne.”

Spitali Amerikan Dializa 1

Figure 4-5. Çarçafët e sjellë nga vetë pacientët dhe ushqimi i siguruar nga spitali

Shkëlqim Shehu: “Unë e marr bukën nga shtëpia vetë, se nuk më pëlqen këtu. Duket sikur janë mbetje nga lokali e nuk e ha dot.”

Imer Tereziu: “Unë kam tetë vjet që mjekohem për dializë. Vij tre herë në javë nga Preza me çarçafë e batanije me vete. Ushqimi përveçse nuk është cilësor, as nuk na ngop. Për 400 lekë që paguhet për një vakt, nuk ia vlen fare.”

Sejdie Mezini: Vij tre herë në javë nga Klosi për të bërë dializën tek Spitali Amerikan. Bëj 300 e ca km rrugë pa shoqërues. Ne kemi shumë ankesa, si për ilaçet, ashtu edhe për ushqimin e lavanderinë. Neve na thonë mos i hani patatet, këta na mbushin me patate të skuqura. Rrobat po i marr me vete t’i laj, se është fundjavë.”

Ankesat e tyre i dëshmojnë dhe fotot që kemi mundur të sigurojmë brenda dhe jashtë ambjenteve të spitalit. Pacientë që vijnë e ikin me çanta e qeska në duar, të shohin sytë kudo, ndërkohë që për shkak të krevateve jo të rehatshme, u duhet të marrin dhe jastëkët me vete.

Spitali Amerikan Dializa 2

Fig. 6. Ushqimi i siguruar nga spitali, që pacientët ankohen se nuk është i përshtatshëm për shëndetin e tyre

Alma Sheme: Jemi ankuar, askush nuk na përgjigjet

Çështja e lavanderisë dhe ushqimit nuk është një çështje e re. Alma Sheme, nënkryetare e Shoqatës së Hemodializës na pohon se ka komunikuar disa herë me drejtorin e përgjithshëm të Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeun, por nuk ka gjetur zgjidhje, duke e përcjellë vazhdimisht me premtime e fjalë të pambajtura. Ndërkohë që çështja e lavanderisë ka plot tre vjet që mbetet e njëjtë, duke bërë që pacientët të vijnë me çanta e qeska në krah nga qytetet e tyre tre herë në javë.

“Problemet kryesore që kemi me Spitalin Amerikan, janë mungesa e çarçafëve dhe ushqimi, gjë që e kam ngritur si problem disa herë. Pacientët më janë ankuar vazhdimisht për mungesën e çarçafëve dhe ushqimit. Shërbimi i lavanderisë normalisht është në kontratë, sepse dhe spitalet e tjera private ku merret shërbimi i dializës e ofrojnë, ndërsa Spitali Amerikan nuk e merr përsipër. Unë kam folur edhe me drejtorin e Spitalit Amerikan në Laprakë, Klod Allajbeun, por më ka thënë që s’keni pse i doni çarçafët, dhe me kaq e ka mbyllur duke e marrë në formë shakaje.

“I kam bërë edhe një shkresë zyrtare, por përsëri nuk më ka kthyer përgjigje. E kam me protokoll dhe po të doni jua jap. Nuk më ka kthyer as edhe një përgjigje, as të mirë e as të keqe. Pacientët e kërkojnë vazhdimisht, por këta as e vënë ujin në zjarr fare. Ushqimi në Spitalin Amerikan nuk është as i bollshëm dhe as i mirë, ndaj kam pasur gjithmonë ankesa nga pacientët, si nga pacientët e atij në Durrës, si nga ato në Fier, si nga këto dy në Tiranë.”

Spitali Amerikan Dializa 3

Figura 7-8. Pacientët duke marrë shërbimin e dializës në Spitalin Amerikan

Spitali Amerikan nuk pranon të përgjigjet

Spitalit Amerikan më datë 23 mars 2016 iu dërgua një letër në të cilën i kërkohej informacion lidhur me mungesat me të cilat ndeshen pacientët në këtë institucion.

Nga ana e administratës së këtij spitali nuk u pranua të jepej një përgjigje zyrtare dhe as të regjistrohej kërkesa me numër protokolli, duke deklaruar gojazi vetëm: “Na sillni emrat e pacientëve që janë ankuar”.

Ministria e Shëndetësisë: Përgjegjësinë e ka Fondi

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë e kaloi përgjegjësinë tek Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Sipas ministrisë, është FSDKSH që i jep paratë Spitalit Amerikan dhe si i tillë, ai është edhe institucioni që duhet të mbajë përgjegjësi për monitorimin e shërbimeve për të sëmurët me dializë.

Fondi nuk përgjigjet

Sipas nenit 8, pika 2/b të kontratës – tip të publikuar nga vetë FSDKSH, “Mënyra e ushtrimit të kontrollit në spital”, rezulton se Fondi në mënyrë specifike kontrollon:

” Aspektin e cilësisë së shërbimit, që lidhet me marrëdhëniet me pacientët, mirëfunksionimin dhe mirëmbajtjen e aparaturave dhe përmbushjen e standardeve të higjenës, infeksionit etj”.

Si rrjedhojë, Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor i është kërkuar informacion zyrtar për situatën me të pacientët që marrin shërbimin në Spitalin Amerikan që më datë 29 mars 2016. Megjithatë, edhe pse kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për kthimin e përgjigjes, nga ky institucion nuk ka asnjë reagim. Ndërkohë, pacientët vazhdojnë të shkojnë në spital 3 herë në javë me çarçafë dhe bukë me vete.

Spitali Amerikan reagon pas publikimit

Pas bërjes publike të këtij shkrimi, Spitali Amerikan ka vendosur të përgjigjet zyrtarisht, duke mohuar akuzat e bëra nga pacientët që marrin shërbimin e dializës pranë tij.

Duke u përpjekur të ruajmë korrektësinë dhe asnjanësinë për këtë çështje, përgjigjen e sjellë në redaksinë e gazetës “Shëndet+” më 11 maj 2016, po e botojmë të plotë, siç edhe është shkruar nga drejtuesit e këtij institucioni. Këtë përgjigje mund ta lexoni duke klikuar këtu.

(Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Vepro tani! Denonco korrupsionin në sistemin shëndetësor, i cili zbatohet nga shoqata “Together for Life”, dhe mbështetet nga Programi i Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here