Hysaj ka rinovuar deri në vitin 2021 me Napolin dhe tani është gjithçka zyrtare. Ashtu siç parashikohej, zyrtarizimi i lajmit ka ardhur nga ai të cilit i takonte ta bënte një gjë të tillë, presidenti Aurelio De Laurentis, i cili ka konfirmuar gjithçka nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.
“Jam shumë i lumtur të njoftoj se Hysaj ka rinovuar për 5 vite”, ishte postimi i tij në “Twitter” në pasditen e sotme duke mbyllur gjithçka.
Ndërkohë, gjatë ditës, edhe menaxheri i futbollistit, Mario Xhiufredi kishte zbuluar se çdo gjë pritej të vulosej nga “cicërima” e zakonshme e De Laurentis për ngjarje të tilla.
“Kemi firmosur gjithçka, i kemi depozituar edhe dokumentet. Akordi është arritur me kënaqësi të të dy palëve dhe parashikon një opsion deri në vitin 2022”, tha ai për mediat italiane.
Sipas të dhënave të kontratës, të zbuluara që dy muaj më parë, rroga e Hysajt do të rritet në 1,4 milionë euro në këtë sezon, ndërsa do të ketë përmirësim gradual të kushteve të saj financiare për të arritur deri në 2 milionë euro në vitin e fundit,. Nëse ajo do të zgjatet deri në vitin 2022, rroga e mbrojtësit të përfaqësueses do të arrijë 2,5 milionë euro në vit.
Në kontratë ka edhe një klauzolë largimi prej 50 milionë eurosh, e vlefshme vetëm për klubet jashtë Italisë.