‘Helmimi i nxënësve’ zbret në Kuvend, Berisha: Në klasë u dogj hashash

0
258

Helmimi i nxënësve në një shkollë të Paskuqanit kthehet në debat të ashpër politik në sallën e Parlamentit. Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se pranë shkollës është djegur kanabis, ndërsa Beqaj tha se “ky flet përçart”. Por nuk e kanë lënë me kaq. Ministri i Shëndetësisë e mbylli fjalën duke thënë: “Ti më ke quajtur horr, por unë s’jam vrasës dhe porositës vrasjesh z.Berisha”.

Ky debat i ashpër mori shkas nga fjala e Berishës i cili në foltoren e Parlamentit i cili tha: “Në 13:20 më shkruan prindi i një nxënëseje: Sot ka ndodhur një ngjarje që policia nuk do ta shfaqë. Kanë djegur hashash ca njerëz të paindetifikuar, dhe policia s’ka bërë asnjë lëvizje për kapjen e tyre. Dhe e shfaq këtë helmim si një ngjarje që nuk ka lidhje me djegien e hashashit”.

Më tej, Berisha vijoi: Policia po fsheh një krim të ndodhur në një shkollë. Po ashtu fsheh aktin kriminal ndaj një prokurori të Matit. Policia zbaton vetëm një direktive, djegin vetëm 1 % ë kanabisit që presin. Grumbullojnë për llogari të PS dhe çunave të krimit, 98 % të të gjithë kanabisit që pritet, i cili në tërësi nuk është më shumë se 3-4 % e kanabisit të mbjellë në vend. Kanabisi është bërë bimë shtetërore. Dje nuk zbuluan 10 ton, por 22. Por kjo që u ndodhi nxënësve në Paskuqan është një akt shumë i rëndë”.

Pas deklaratës së Berishës ka reaguar ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili ka mohuar këto akuza, duke iu referuar të dhënave nga QSUT-ja.

“Nuk është e vërtetë kjo që u tha këtu. Ata 6 fëmijë nuk kanë asnjë shenjë helmimi nga kjo që u tha këtu. Këtë e them si ministër i Shëndetësisë, dhe marr përgjegjësi të plotë për këtë që thashë. Shërbimi i Toksikologjisë në QSUT thotë se nuk ka shenjë helmimi nga asnjë gjë, dhe jo më helmim nga djegia e ndonjë shkurreje, apo çfarëdo bimë qoftë kjo. Parafolësi e ka zakon të flasë përçart. Dhe këtë e kanë zakon ta bëjnë me çdo lloj problemi të shqiptarëve. Keqardhje ndjej si politikan dhe qytetar, sepse ai ka qenë edhe mjek. Sa për vajzat do të them se janë në gjendje të mirë shëndetësore, dhe do të dërgohen në shtëpi”, tha ministri Beqaj.

Në replikë, ish-kryeministri Berisha tha se duhet që dalin përgjigjet e analizave për të dhënë një version të plotë të ngjarjes, duke theksuar se ministri nuk duhet të flasë pa fakte.

“Ky është shembulli tipik sesi babëzia dhe korrupsioni të verbon, të shurdhon, të nxjerr shpirtin jashtë trupi, të zhvesh nga çdo ndjenjë njerëzore. Por një ministër, qoftë edhe toksikolog nga profesioni, nuk duhet të flasë për këtë gjë kështu. Duhet të paktën të presë analizat. Nuk ka logjikë që e pranon që 6 vajza të shkojnë me urgjencë në spital, dhe të thonë nuk kanë gjë. Duhet të vijnë analizat e toksikologjisë. Po këta bëjnë atë që nuk duhet. Edhe kur një mjek tregon shenjat e shkaktuara nga kanabisi, këta shkojnë dhe e ndalojnë. Këtu është bërë e padurueshme kjo situatë”, tha Berisha.

Nga ana tjetër edhe ministri Beqaj, i ka kërkuar Berishës që të mos flasë për helmim të vajzave pa dalë përgjigjet e analizave. Por sakaq, ai iu përgjigj edhe epiteteve që ish-kryeministri përdori ndaj tij nga foltorja e Kuvendit.

“Me the edhe horr, por z.Berisha unë nuk jam as vrasës, dhe as urdhërues vrasjesh”, tha Beqaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here