Deputetët Majlinda Bregu dhe Eduard Selami janë treguar sërish kritikë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të së mërkurës. Mësohet se fillimisht ka folur kryetari Basha që ka kërkuar votimin në seancën e sotme në Parlament ligjin e SPAK-ut, dhe atë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, por jo pesë ligjet e tjera që lidhen me përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve shkruan “Shekulli”. Por deputetët Selami e Bregu thanë se ky qëndrim ishte i paqartë.
Lulzim Basha: Nesër (sot) votohet ligji i SPAK-ut, dhe ai i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Ai ligj sot është i plotë, pra është në përputhje me standardin që Partia Demokratike ka kërkuar. Nesër ne mund të japim votën tonë për këtë ligj sepse është i plotë, falë insistimit tonë. Ne shpresojmë që ky ligj do të zbatohet, dhe nëse vihet në jetë do të ndëshkojë dhe do të zgjidhë lidhjen e pushtetit me bandat kriminale.
Oerd Bylybashi: Sot ne kemi paditur në kushtetuese ligjin e “Vetting”- ut, pasi mendojmë se është shkelur konsensusi që arritëm në korrik. Është e papranueshme nga ana jonë që PDja të mbështesë këto pesë ligje. Nesër duhet të kundërshtojmë në çdo formë kalimin e këtyre pesë ligjeve. Janë shkelur të gjitha parimet dhe rekomandimet ndërkombëtare të së drejtës. Zoti Basha, po ashtu duhet të theksojmë se pesë ligjet e tjera nuk do të kenë votën tonë, madje ne do të bëjmë të pamundurën për të mos lejuar votimin e tyre nga maxhoranca.
Eduard Selami: Ka një kontradiktë nga ajo që thoni ju, sepse nuk mund të jemi pro ligjit të SPAK-ut dhe kundër ligjeve të “Vetting”ut, pasi dhe njerëzit që do të punojnë në SPAK, dhe në Byronë Kombëtare të Hetimit, por dhe në institucionet e tjera si në Prokurorinë e Posaçme apo në Gjykatën Speciale do të zgjidhen në të njëjtën formë. Nuk e di se si është e mundur që për gjyqtarët zgjidhja qenka e pamundur të jetë e ndikuar nga qeveria ndërsa për institucionet e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit jo. Mos po nxitohemi paksa duke bërë selektime?
Majlinda Bregu: Ne si grup vijojmë të jemi të paqartë në kërkesat tona. Nuk mund të kemi dy standarde për ligje të ndryshme. Ose të gjithë duhet t’i votojmë ose duhet të jemi kundër të gjithëve. Ne disa ligje i trajtojmë si të nënës dhe disa të njerkës.
Lulzim Basha: Partia Demokratike në këtë pikë nuk ka toleruar dhe e ka përcaktuar tashmë se si do të veprojë. Ne e kemi parë që në fillim të procesit se kryeministri Rama ka insistuar të përjashtojë opozitën nga procesi në mënyrë që të bëjë reformën në drejtësi vetëm.