Ish-kryeministri Sali Berisha tha nga foltorja e Kuvendit, se midis Kamzës dhe Fushë Krujës ndodhen magazina me kanabis që i kalojnë 100 ton drogë.
Sipas Berishës, sasia është më e madhe se në Vlorë, ndërsa nënvizoi se në magazinat e kushërinjve të ministrit janë gjetur 22 ton kanabis.
Berisha replikoi me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pas deklaratave të tij se nxënësit në Kamzë nuk janë helmuar dhe se ata pritet të lënë shumë shpejt spitalin.
Berisha tha gjithashtu se situata në maternitete është e rëndë dhe një tjetër nënë rrezikoi jetën pak ditë më parë.
“ Një ministër qoftë edhe toksikolog nga profesioni nuk mund të flasë kurrë kështu. nuk ka logjikë njerëzore që 9 vajza të shkojnë me urgjencë në spital. Mos na bëni pastaj të lëshojmë hipoteza të tjera. kanë ndodhur helmime të rinj dhe është thënë nuk janë helmuar dhe më pas kanë dalë helme të rënda.
Mjeku që botoi shenjat e alergjisë nga kanabisi, ministri rrugaç i dërgon polic dhe e merr në komisariat. Vetëm në shtetin e horrave mund të ndodh kjo. Ju garantoj se në diktaturë nuk ndodhte.
Nuk kishte Facebook, por për kaq nuk ndodhte. Ai botoi dorën e një njeriu me shenjat e alergjisë nga kanabisi dhe ky vrapon si qen i tërbuar dhe me bluzë të bardhë e çon në komisariat, vrapon në emision tv se del rrënja e kanabisit për të kapur kanabisin në një studio se po kryhet krim, në një kohë që kushot e tij u kapën me magazinë me 22 ton dhe pastaj thotë fronti i të keqes. Fronti i të keqes po lufton kanabisin, duke përjashtuar ministrin. Është bërë e padurueshme kjo situatë, me të vërtetë e padurueshme.
Kjo është situatë katastrofale. Ju keni krijuar magazina. Midis Kamzës dhe Fushë Krujës, 100 e ca ton magazina. Shkon prokurori dhe atij i dalin para dhe thotë si ka dalë njeri para. Ju i merrni shqiptarët si njerëz që hanë barë. Një janë të tillë.
Duhet të ulësh kokën për atë që ka ndodhur në maternitet, ndërkohë që para dy vitesh ka ndodhur një vdekje tjetër. Ky vend probleme ka. Nëse vdes një nënë, e gjithë shoqëria duhet të tronditet. Desh vdiq tjetra para disa ditësh. Shkuan dhe morën kirurgun në spitalin “Nënë Tereza”, sepse në maternitet nuk kishte. Të thotë obstetri që nuk e operoj, unë nuk e kam dëgjuar ndonjëherë. Këtij nuk i bën përshtypje. Edhe ndodhin…por alarmi duhet të jetë në gjendje maksimale.