17Opozita përbën gjithnjë një “vullkan” gati në shpërthim, edhe në kuadër të vështirësive të saj, debateve më së veti, alternativave që punohen underground dhe synimeve të pjesëtarëve të saj, që nuk kanë se si në momente të ndryshme mos jenë më së pari individuale
Nuk ka asnjë dyshim se opozitarizmi është një sipërmarrje e vështirë politike, që jo çdokush e përballon me sukses. Ka nga ata që e ndalin rrugën në gjysmë, ka nga ata që lodhen dhe “pa një pa dy” kalojnë në gardhin tjetër të pushtetit, ka të tjerë që merren me opozitarizmin brenda partisë e së fundmi ka nga ata që gjithnjë primare të detyrës së tyre kanë betejën ballore me qeverinë. Çdo opozitë deri më sot i ka provuar të gjithë këta njerëz, qoftë e majtë apo e djathtë. Historiku i politikës pluraliste 26-vjeçare shqiptare dhe veçanërisht i opozitave në vend ka vërtetuar se të qenit në krahun e pakicës gjithnjë kërkon më shumë mund e sakrificë se sa të qenit në pushtet. Kjo vërehet lehtë nga ne gazetarët edhe në punën tonë të përditshme në terren, ku në selitë e partisë opozitare janë thuajse të përditshme takimet, debatet apo edhe deklaratat për shtyp. Krejt ndryshe ndodh tek partitë në mazhorancë, të cilat më së shumti krijojnë ndonjë “lajm” në raste të debateve në mbledhjet e grupit parlamentar apo të një kundërpërgjigjeje ndaj akuzave të opozitës. Në këto kushte, opozita është gjithnjë në qendër të vëmendjes, si nga kundërshtarët e saj politikë, ashtu edhe nga qytetarët shqiptarë, të cilët presin prej saj alternativën qeverisëse ndryshe. Por opozita përbën gjithnjë një “vullkan” gati në shpërthim, edhe në kuadër të vështirësive të saj, debateve më së veti, alternativave që punohen underground dhe synimeve të pjesëtarëve të saj, që nuk kanë se si në momente të ndryshme mos jenë më së pari individuale. Dhe pikërisht në këtë pjesë, shkrimi do ndalet në pjesën e brendshme të opozitës së sotme të Lulzim Bashës, në ato që shihen hallet “familjare” të shtëpisë së madhe me emrin Partia Demokratike.
Opozita e Bashës
Që prej marrjes së detyrës si kryetar i Partisë Demokratike ishte i parashikueshëm fakti se Lulzim Basha nuk do ta kishte të lehtë drejtimin e forcës më të madhe politike në krahun e djathtë. Pesha e rëndë e Sali Berishës, liderit historik të kësaj force, sigurisht nuk ishte e thjeshtë për tu mbajtur nga pasardhësi i tij, madje ende edhe sot ajo peshon mbi supet e Bashës. Por me shumë thjeshtësi dhe pa “dëngla”, Basha u mundua të paraqiste brenda radhëve të partisë kryetarin ndryshe nga Berisha. Fakti që politika e Bashës ndryshon tërësisht nga ajo e Berishës është e dukshme për çdokënd. Mjaftojmë këtu të kujtojmë deklaratën e para pak kohëve të vetë ish-kryeministrit Berisha i cili i pyetur se çfarë do bënte për të kundërshtuar Ramën nëse do ishte sërish në krye të PD-së deklaroi se. “Do merrja mijëra mbështetës e do protestonim para kryeministrisë pa fund derisa ta shporrnim nga vendi Ramën dhe qeverinë e tij. Po sigurisht unë jam Sali Berisha e ndërsa Lulzim Basha është një lider me tjetër vizion….”. Mjafton ky citim për të dalluar qartë se midis Berishës dhe Bashës ka shumë ndryshime sa i përket mënyrës se si ato e shikojnë drejtimin e PD-së, sfidat e saj, mënyrat dhe format për të risjellë demokratët në pushtet etj. Por nga ana tjetër, askush nuk mund të pohojë me siguri nëse metodat “tradicionale” të Berishës do funksiononin më shumë në këto tre vite opozitarizëm se kanë funksionuar metodat “alla evropiane” të Bashës. Në këto kushte, mbetemi te kufizuar tek faktikja aktuale, e cila na sjell një model drejtimi partie nga Basha që ka të mirat dhe defektet e tij. Duke mos i hyrë gjatë kësaj analize, mund të themi në një plan të përgjithshëm se Bashës mund ti cilësojmë si anë pozitive të lidershipit të tij në PD betejat e fituara me mazhorancën qeverisëse, siç dallohet ligji i dekriminalizimit apo edhe së fundmi përmbyllja e reformës në drejtësi me ato piketa të vëna si kushte në bazë të rekomandimit të Venecias (megjithëse nuk duhet mohuar se kjo fitore mori një krah të fortë ndihme edhe nga LSI). Po ashtu pozitive mund të cilësohet edhe kultura e përballjes ligjore me kundërshtarët politikë, ku shpeshherë demokratët kanë dalë fitues në betejat me mazhorancën qeverisëse për çështje apo ligje të ndryshme. Në të njejtën linjë, pikë në favor të Bashës duket se është edhe mbarëvajtja e partisë në kushtet e një antipodi të fortë brenda saj mes ish-ministrave, krerëve të degëve, të rinjve të përshirë rishtazi në PD dhe zërave ndryshe. Ndërkohë si anë të meta të drejtimit të PD nga Basha mund të cilësohen prurjet e reja të cilat nuk kanë “ngjitur” sa duhet në rradhët e demokratëve. Po ashtu një tjetër pikë që mund të cilësohet si e metë është ajo që ka të bëjë me vete modelin politik që ndjek Basha, i cili është i bazuar fortësisht në metodat moderne evropiane e të bërit politikë. Në terrenin politik shqiptar, ku antagonizmi politik zotëron skenën, një metodë e tillë nuk para funksionon. Ndoshta Basha duhet të jetë me pak evropian në mënyrën e të bërit politikë.
Opozita e opozitës
Ndërkohë që përtej detyrës së ngritjes së institucionit të opozitës në nivelin e duhur për tu përballur me mazhorancën qeverisë, kreu i partisë opozitare ka edhe “detyrimin” e përballjes me atë që cilësohet se opozita brenda rradhëve. Ky fenomen është i njohur gjerësisht në kulturën politike shqiptare, ku në këto 20 vite nuk ka munguar asnjëherë zëri ndryshe dhe kundërshtues në partitë shqiptare dhe veçanërisht në opozitë. Në fakt, zërat ndryshe brenda partisë që përpiqen të përmirësojnë politikën dhe vendimmarrjet e saj përbëjnë një të “mirë publike” që duhet ruajtur me kujdesin që i takon. Ndryshe, do të flisnim për një parti-kryetar, ku mendimi i pjesëtarëve të “familjes” nuk do kishte asnjë rëndësi dhe vemimmarrja do ishte personale. Por ka raste kur ndodh edhe e kundërta e kësaj lirie të domosdoshme brenda partisë, ku përtej interesit apo synimeve të së mirës së së gjithës vendoset ai afatshkurtër apo më mirë interesi individual. Në rastin e PD-së së Bashës nuk kanë munguar gjatë këtyre tri viteve zërat ndryshe në parti, të cilët shpeshherë në mbledhje grupi apo kryesie edhe kanë ngritur zërin më shumë se kryetari. Madje mund të thuhet me plot gojën se një liri e tillë për të debatuar dhe folur pa “teklif”, madje duke ja plasur në sy kryetarit kritikën me tone të larta, nuk është parë ndonjëherë në historinë e PD-së. Nuk mund të mohohet se edhe në kohën e Sali Berishës kanë ekzistuar zërat ndryshe brenda partisë, vetëm se ata ishin të kufizuar në çshtje apo ngjarje të ndryshme dhe më pas pushonin së qëni të tillë. Ndërkohë tek Basha vërehet se këto zëra janë jo vetëm të vahdueshëm por edhe të “mirëpritur” në një farë mënyrë, pasi gjatë gjithë kësaj kohe elementi “hakmarrës” nga ana e kryetarit nuk është përfshirë si pjesë e debatit të brendshëm. Por ajo që duhet të ndajmë në këto zëra ndryshe është mënyrë dhe forma që ato kanë zgjedhur për të përcjellë kritikën e tyre ndaj vendimmarrjeve të kryetarit të partisë. Këtu mund të bëjmë një ndarje në dy grupime të këtyre zërva ndryshe brenda PD-së. Në grupin e parë përfshihen emra të tillë si ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ish-ministri Arben Imami apo ish-minisitri Genc Ruli, të cilët kritikën e tyre ndaj vendimmarrjeve të kryetarit Basha nuk e kanë pasur të pakët. Mbi të gjithë qëndron ish-kryeparlamentarja Topalli e cila dallohet për qëndrimet e saj kritike ndaj lidershipit Basha. Por tek ky opozitarizëm ndaj kryetarit vihet re se Topalli nuk shkon me qëllimin tek kritika e përhershme ndaj kryetarit si një “vijë editoriale” për tu ndjekur medoemos brenda partisë. Krejt e kundërta ndodh me ish-kryeparlamentaren, pasi kritika apo kundërshtia e saj jen gjithnjë pas një çështje apo diskutimi për të cilin Topalli mendon se zgjidhja e Bashës nuk është adekuate. Megjithëse nuk mund të mohohet “armiqësia” e hershme në PD mes Bashës dhe Topallit, është fakt se kritika apo kundërshtia e ish-kryeparlamentares ndaj liderit i përmbahet qëllimeve të brendshme të partisë. Pra kritika e Topallit, megjithëse agresive dhe me tone të larta, mbetet gjithnjë në kuadrin e kërkesës së një opozite të tillë. Për ta vërtetuar këtë mjaftojmë të kujtojmë rastin e reformës në drejtësi, ku Topalli nën zë brenda partisë dhe fort në Parlament, mbështeti linjën e Bashës për t’iu kundërvënë edhe ambasadorëve sa i përket pikave të përfshira si kërkesa në zbatim të rekomandimeve të Venecias. Shkurt e qartë mund të themi se kritika, zëri ndryshe apo edhe po të doni opozitarizmi i Topallit ndaj lidershipit të partisë nuk ka hedhur asnjë ujë tek “burimi” qeveritar. Ndërkaq në grupin e dytë të zërave ndryshe brenda PD-së përfshihen emra të tillë si Eduard Selami apo ish-ministrja e Integrimit Majlinda Bregu. Ajo që e dallon këtë grupim nga i pari është mënyra ose më saktë strategjia e kritikës ndaj lidershipit. Në të tillë rast, kritika nuk niset nga çështja apo diskutimi, por ajo shkon më thellë e kërkon të atakojë direkt kreun e partisë për ta paraqitur brenda rradhëve si të paaftë për të drejtuar partinë apo si lider që nuk ka arritur ta riorganizojë PD-në e të sjellë brenda saj “frymën” e fitores. Për ta sqaruar këtë pikëvështrim po analizojmë shkurtimisht historiku politik dhe disa nga qëndrimet e dy deputetëve sa i takon çështjeve të brendshme të partisë.
Eduard Selami
U largua nga drejtimi i PD në vitin 1995 dhe në vitin 1996 emigoi në Amerikë. Në vitin 1997, në kulmin e trazirave, Selami u rikthye në Shqipëri, por nuk mori atë që priste nga kjo vizitë. Pas këtij “dështimi”, Selami u rikthye në SHBA, ku u mor me punë të ndryshme që nuk kishin lidhje me politikën. U mor me shitjen e makinave të përdorura në Bronks, pastaj nisi punë në një kompani në rajonin “Virginia Beach”, e cila merrej me automobilat e markave japoneze. Këtë punë Selami e vazhdoi për një kohë të fgjatë, megjithëse nuk mungonte komenti i tij politik për ngjarje të ndryshme të vendit në “Zërin e Amerikës”. Këto komente në të shumtën e tyre shprehnin kritika të forta për ish-kryeministrin Berisha dhe modelin e tij të vendimmarrjes. Ndërkohë më pas Selami në SHBA u mor edhe me tregun e pasurive të patundshme, ku siguroi edhe një liçencë si agjent. Dhe papritur në 2013-ën, thuajse pas 17 vitesh nga emigrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Eduard Selami u rikthye aktiv në jetën politike shqiptare duke sjellë mendime të ndryshme nga ato të kaluarat. Tashmë ai shprehte vlerësime për vendimmarrjet e ish-kryeministrit e ndërsa nuk vonoi thirrja e tij për rikthimin në selinë blu. Në zgjedhjet e përgjithshme të 2013-ës Eduard Selami u përfshi nga ish-kryeministri Berisha në një vend të sigurt në listën e demorkatëve të Elbasanit, nga ku edhe më pas siguroi mandatin e deputetit. Në këto vite Selami më shumë se sa një deputet aktiv në rradhët e demokratëve (siç i takonte roli një ish-kryetari partie) është dukur si një “emigrant i pjesshëm” brenda PD-së që rikthehet në qendër të vëmendjes një herë në disa muaj me disa kritika ndaj lidershipit.
Kështu pas një periudhe gri thuajse 1-vjeçare që prej marrjes së mandatit të deputetit, ku numërohej vetëm një fjalim në Parlament dhe një intervistë në “Zërin e Amerikës”, Selami ju rikthye “opozitarizmit” ndaj kryetarit në vitin 2015. Fillimisht Selami deklaroi se,: “opozita akoma nuk ofron alternativë dhe nuk ngjall shpresë. Kjo për shkak të lidershipit të PD-së. Ai nuk ngjall shpresë, ndaj edhe kjo qeveri rri në këmbë. Udhëheqja e re e Partisë Demokratike, më ka zhgënjyer mua dhe pjesën më të madhe të partisë që duan ta shikojnë edhe një herë PD-në si parti e shpresës për shqiptarët”. Më tej kritika e Selamit e shtoi dozën e saj pas zgjehdjeve të 21 qershorit 2015, ku sipas tij Basha duhej të nxirrte mësime. “Basha duhet të jetë më i vëmendshëm në kritikat që i bëhen dhe të korrigjojë qëndrimet e tij”, kishte pohuar ai. Dhe kulmi i kritikës së Eduart Selamit erdhi për reformën në drejtësi, ku në tre javët e fundit decisive të proçesit thuajse në cddo mbledhje grupi apo diskutim të brendshëm akuzonte kryedemokratin se po i kubndërvihet partnerëve. Kundërvënia e fortë, kërkesa e ndjesës, lavdërimi e më pas sërish kritika ishin pjesë e artikulimeve të Selamit në ditët e fundit të debatit për reformën në sistemin gjyqësor. Kritika e radhës e deputetit demokrat erdhi së fundmi pas zgjedheve lokale në Dibër, ku ndryshe nga shumica e demokratëve që folën për blerje të votave (disa prej tyre të vërtetuara edhe me pamje filmike) dhe përdorim të klaneve të drogës, Selami mendoi se gabimi ishte sërish i lidershipit. “Këshilli Kombëtar, nuk zgjodhi kandidatin. Duhet bërë analizë e pastër për humbjen. Pse duheshin aletë ata që kanë qenë kundër PD-së. Të thirret Këshilli Kombëtar, për ta analizuar zgjedhjet. Nuk mund t’i largohemi përgjegjësive”, tha ai. Në të gjitha këto qëndrime të sipërpërmendura vërehet se kritika e deputetit Eduard Selami ka në epiqendër të tij akuzat ndaj lidershipit të demokratëve, i cili sipas tij nuk po sjellë “frymë opozitare” dhe po çon PD në humbje të njëpasnjëshme. Në këto kritika qëndron në thelb “dëshira” dhe “protagonizmi” për t’iu kundërvënë kryetarit, qëndrimi i cili mbi debatin normal deputet-kryetar vendos strategjinë “anti-lider”. Nuk e dimë nëse kjo kundërvënie e fortë e Selamit ndaj Bashës vjen që prej “hatërmbetjes” së tij për garën e brendshme për Sekretar të Përgjithshëm të PD-së të fituar më pas nga Arben Ristani. Por ajo që mund të thuhet më siguri është se kritika, kundërvënia dhe së fundmi akuza ndaj lidershipit të PD-së nga deputeti Selami nuk ka si synim të saj përmirësimin e vendimmarrjes së Bashës në kuadër të së mirës së përgjithshme të partisë. Padyshim kjo valë kritike është individuale dhe mbi të qëndron interesi personal.
Majlinda Bregu
E ardhur nga fusha e Sociologjisë dhe gazetarisë, Majlinda Bregu dallohet si një ndër figurat e politikës shqiptare jo vetëm sa i takon paraqitjes së jashtme, por edhe elokuencës në publik. Përfshirja e saj në Partinë Demokratike daton me krijimin e KOP (Komiteti i Orientimit të Politikave) së bashku me Lulzim Bashën, Aldo Bumçin, Enkelejd Alibeajn Florion Mimën, Selami Xhepën e të tjerë. Fillimisht Bregu mbajti detyrën e zëdhënëses së qeverisë dhe më pas nga viti 2007 e deri kur PD humbi zgjedhejt në 2013-ën Bregu qëndroi në postin e ministres së Integrimit. Së bashku me Boden ajo ka qenë një ndër ministrat më jetëgjatë të qeverisë “Berisha” 2005-2013. E dalluar në takimet e shumta me personalitete të Bashkimit Evropian për shkak të detyrës, Bregu qëndroi stoike në qeverinë Berisha si e vetmja femër pas ndryshimeve të fundit që i ndodhën ekzekutivit pas largimit të LSI-së nga koalicioni qerveritar. Por me humbjen e zgjedhjeve në 2013 nga demokratët, ku Bregu në daljet e saj publike të asaj kohe dallohet për deklaratat pas rezultateve të para se PD po shkonte drejt fitores,(aq sa Rama fliste për kodra mbas Bregut) ish-ministrja e Integrimit u përball për herë të parë me opozitën. Fundja ajo nuk ishte e vetme në këtë sfidë, pasi edhe vetë kryetari i partisë nuk kishte më shumë eksperiencë se ajo në opozitarizëm. Por nëse Basha, kjo edhe për shkak të detyrës, u detyrua të kthehej shumë shpejt me kmëbë në tokë e të kuptonte se opozita nuk ka asnjë ngjashmëri me pushtetin, Bregu këtë më sa duket e kuptoi vonë ose ende nuk e ka kuptuar.
Më së shumti në këto tre vite fjalimet e deputetes demokrate në Kuvend (për të cilat nuk mund të themi se janë të pakta) janë përqëndruar në kritika e akuza të përcipta për qeverisjen e majtë. Disa kritika për vonesën e procesit integrues, disa akuza në raste të ngjarjeve të rënda të ndodhura në vend (ku për hir të së vërtetës çdokush ka komentuar ) dhe në disa raste ka ngritur zërin ndaj mbrotjes së grave apo kundër komenteve denigruese online. Në këto tre vite, Bregu nuk është dalluar asnjëherë për pjesëmarrjen aktive në betejën kundër qeverisë. Pjesëmarrja e saj në protestat opozitare më shumë i ka ngjarë një shëtitje në “pasarelë mode” se sa një aktivizimi real. Më shumë në këto pjesëmarrje mbahen mend detajet e veshjes së deputetes, bizhutë apo këpucët e saj se sa ndonjë fjalim apo angazhim brenda tubuesve. Madje në disa raste kur as nuk ka marrë pjesë në këto tubime, Bregu ka gjetur mundësinë edhe të shprehë ndonjë koment ironik ndaj tyre, sic ishte rasti i protestës së grave para Kryeministrisë. “Isha në një angazhim tjetër e më keqardhje m’u desh të mungoj, por ashtu si shkoi, ndihem më mirë që nuk isha dhe do t’u kërkoj kolegeve të mia të ulemi dhe të flasim seriozisht për atë që na takon të bëjmë seriozisht”. Ndërkohë aktivizim i pakët i Bregut është vërejtur edhe në terren, ku takimet e saj me qytetarët apo bazën numërohen me gishtat e duarve. Në disa raste, burime pranë këtyre takimeve, kanë bërë të ditur se Bregu nuk ka nguruar të mbajë edhe distancën fizike mes saj dhe atyre që nuk kanë qenë brenda normave të “parfumosjes”. Por përtej kësaj pike, ajo që vlen në diskutim është angazhimi i pakët i deputetes në betejën e përditshme ndaj mazhorancës qeverisëse, ku puna e saj në terren në këto tre vite për të bindur demokratët e nga ana tjetër për të thithur sa më shumë të pakënaqur brenda rradhëve të PD, ka lënë shumë për të dëshiruar. Në kundërshtim më këtë angazhim të saj minimal për partinë, Bregu ka ngritur shpeshherë zërin brenda PD-së, dhe si për “ironi të fatit” ka kërkuar më shumë angazhim e “frymë” nga lidershipi për organizimin e brendshëm dhe betejën kundër qeverisë. Madje daljet e saj kohët e fundit në media më së shumti janë orientuar në kritikën ndaj kryetarit të partisë se sa ndaj qeverisjes së majtë. Në këtë kontekst, do ishte mirë që ish-ministrja mos i shpenzonte daljet e saj publike për të akuzuar kryetarin, për ti thënë se nuk e ka votuar në 2013-ën apo se humbja e Dibrës ishte edhe faj i tij, por se të paktën gjysmën e deklaratave të saj t’ia kushtonte qëndrimeve kundër qeverisë e cila realisht ka lënë shumë hapësirë për ti shprehur kritika e akuza. Qëndrimet e nmbajtura nga Bregu në këto kohë padyshim që kanë çuar ujë në burimin e kryeminsitrit Rama, i cili ka krijuar në publik idenë se Basha nuk është kryetari real i PD-së dhe se ai nuk mund ta sjellë këtë forcë politike në pushtet. Sigurisht që nuk mund të vihet në diskutim që kjo kundërvënie e Bregut ndaj Bashës shkon përtej interesit të së “mirës së partisë”. Ajo ka brenda saj inatet e garës së brendshme të 2013-ës apo edhe pasiguritë nëse Bregu do ketë të njëjtin fat në PD nën drejtimin e Bashës sic e kishte me ish-kryeministrin Berisha. standard.al