Nga Artan Fuga
Tristani kishte nisur të çlirohej nga trupi i tij. Nuk i vlerësonte më perceptimet e shqisave si burime të vërtetash, por thjesht si simbole iluzivë orientues. E kishte ndjerë se gradualisht kishte gjithnjë më pak dëshirë të shijonte gjellë me yndyrë; donte të ishte sa më shumë orë të ditës i uritur; si murgjit preferonte të konsumonte dy vakte ngrënie dhe jo tre, duke bashkuar drekën dhe darkën në një të vetëm; evitonte përherë e më tepër të hante mish të pjekur; të shkonte në restorante të shtrenjtë; të udhëtonte me vetura të reja; të krekosej në presidiume mbledhjesh; të blente rroba të shtrenjta mode; çdo veshje që nuk ishte prej doku, leshi ose liri as nuk ja hidhte më syrin, jo të pranonte t’a mbante mbi trup; evitonte me mirësjellje të pushonte në hotele të shtrenjta; të shkonte për pushime jashtë shtetit; ta merrte fjalën i pari në takime miqsh; të jepte verdiktin e së vërtetës ta zemë për zgjedhjet politike, për partitë, për punët e shtetit; lavdërohej më pak se më parë sikurse bëjnë fshehurazi dhe pa e vënë re njerëzit; u shmangej me lezet miqve të vet me pushtet ose pasunarë; nuk shante të tjerët pas krahëve sikurse bënte dikur; nuk bënte tjetrin fajtor për diçka që kishte ndodhur dhe që ndofta e kishte dëmtuar; nuk inatosej më me brutalitetin e shumë njerëzve rreth tij; qeshte në mënyrë më të përmbajtur; nuk kalonte nëpër bulevardin kryesor për të vajtur në punë, por gjente rrugët e heshtura dytësore që e çonin atje; nuk i hidhte më si më parë orenditë e vjetra, sendet e vjetra, që i kishin shërbyer; nuk kishte më frikë sëmundjet; kishte hequr fjalitë me nuanca urdhëruese dhe kërcënuese nga fjalori i ditës; nuk duronte dot ndriçimin e bardhë, të neontë, majë tavanit, por pëlqente abazhuret e kuqërremtë që e derdhnin dritën e tyre nga poshtë lart; kërkonte bukë thekre në vend të bukës me miell të bardhë; kishte neveri nga divanet dhe kolltuqet që kishte blerë në mobileri me shije trafikantësh, dhe sillte nga ku gjente mobilje druri të vjetër; nuk qeshte më kur përgjegjësja e Qendrës tregonte ndonjë histori zbavitëse, por jo edhe aq; kafen e donte pa sheqer; pinte vetëm verë të kuqe duke braktisur çdo pije tjetër si rakia apo birra; jepte lekë të gjithë lypësve të vërtetë që haste në rrugë; nuk i kishte kërkuar t’ja kthenin mbrapsht dy borxhe të vegjël në parà që ja kishin marrë dy komshinj të tij me gjendje të keqe financiare; kishte hequr dorë të lexonte gazetat në Internet; televizorin e mbante në kanale që transmetonin emisione enciklopedike dhe kulturore, apo në filma me dedektivë, duke injoruar gjithçka tjetër; frekuentonte lokale ose vende në plazh ku nuk e njihte njeri; fshihej pas një anonimati që i jepte lirinë dhe evitonte të gjitha vendet publike ku individë që e quanin veten pjesë e elitave bënin shfaqje përpara njeri tjetrit; kafenë e pinte gjithmonë e më tepër në kafene të braktisura andej nga Këneta ose nga Plazhi ku gjithnjë e më shumë rrinte gjatë dimrit, por jo në verë; e bezdisnin ftesat për datëlindje dhe për të vajtur në emisione televizive në format debati ku gjithkush kërkonte të fitojë beteja orale mbi tjetrin; rëmonte në bukinistë libra në botime sa më të vjetër, dyqind ose treqind vjeçarë dhe i mbante te koka kur flinte a thua se ndjente një rrezatim qetësues prej tyre; i thoshte të vërteta tjetrit në sy pa marrë parasysh shumë se mund të dëmtohej nga kjo; neveriste injorancën e të diturve mpleksur me krenarinë e tyre fyçkë…