Instituti i Statistikave raporton për rënie të numrit të familjeve të përfshira në skemën e ndihmes ekonomike. Shifrat zyrtare për tremujorin e dytë të këtij viti flasin për një ulje me 1,4 përqind të numrit mesatar të familjeve që përfituan ndihmë ekonomike, krahasuar me tremujorin e parë.Në skemën e ndihmës janë rreth 79 mijë e 600 familje nga të cilat, afro 40 mijë e 600 u trajtuan me ndihmë të pjesshme dhe rreth 39 mijë me ndihmë të plotë. Qarku i Elbasanit ka numrin më të madh të familjeve në skemën e ndihmës ekonomike 19,7 % në shkalle vendi. Ndjekur nga qarqet e veriut, Dibra me 16,7%, Kukësi 13,5% dhe Shkodra me 12,2 raporton tch. Në Tiranë jetojnë 10,8 përqind e familjeve të skemës së ndihmës ekonomike. Kurse nga qarqet e jugut, Korça ka numrin më të lartë me 9,8 përqind. Durrësi është qarku me numrin më të vogël të familjeve të përfshirë në skemë me 1,3 përqind të totalit të ndjekur nga Vlora dhe Gjirokastra. Familjet me katër anëtarë zënë peshën më të madhe, janë përfitues më të medha të skemës.