Nuk dihet ku mund të jenë njohur, por tashmë po flitet për një lidhje mes futbollistit të njohur Xherdan Shaqiri dhe këngëtares Eni Koçi, motra më e vogël e Greta Koçit. Sipas mediave online, po ndodh një flirt apo diçka më shumë mes tyre pas “like”-ve në Instagram, që ata kanë shkëmbyer me njëri-tjetrin. Ylli kosovar i futbollit, mjaft i pëlqyer edhe nga vajzat, mesa duket është afeksionuar pas Enit, këngëtarja e cila po ndjek studimet në Londër, për dermatologji.
Në fakt, e para që ka hapur lojën e pëlqimeve të fotove të Xherdanit ka qenë Eni, e cila ka marrë po ashtu pëlqime nga Shaqiri. Pas një kohe të konsiderueshme jashtë vëmendjes së publikut, Eni u rikthye para disa ditësh me një set fotosh ku shfaqej e transformuar në një kukull, por duke guxuar edhe me zhveshje nudo. Ajo e realizoi këtë set për 20-vjetorin.
Ndërsa Shaqiri, futbollisti më i famshëm nga Gjilani i Kosovës që luan me Zvicrën, më 10 tetor feston 25-vjetorin. Nuk dihet nëse për këtë lajm dy personazhet e njohur do të bëjnë ndonjë koment, apo do ta lënë në heshtje. Kjo nuk është hera e parë që Xherdan Shaqiri komentohet për flirte me vajzat shqiptare. Kujtojmë rrëfimin ekskluziv që i dha gazetares sportive Ilda Bejleri, intervistë që u shoqërua me shumë thashetheme se mes tyre kishte nisur një histori.
Xherdani nuk foli kurrë në media për këtë histori, ndërsa Ilda pa mohuar miqësinë me të, sqaroi se Xherdani ishte i ri në moshë për të pasur lidhje me të, pasi atëherë ishte vetëm 23 vjeç, ndërsa Ilda 28 vjeçe. Shaqiri është futbollist simpatik, por jo shtatlartë. Ai ka lindur në Gjilan të Kosovës nga prindër kosovaro-shqiptarë. Familja e tij, që përbëhet nga prindërit, tre vëllezërit dhe motra, emigroi në Zvicër në vitin 1992, kur ai ishte ende foshnjë./Panorama