Kreu i ALUIZN-it Durrës, Gjuzi: Brenda vitit synojmë të shpërndajmë 25.000 leje legalizimi

0
189

Është konsideruar si një prej drejtuesve të suksesshëm në vite, në të gjitha detyrat që i janë dhënë. Prej vitit 1993, e nisi detyrën e tij të parë si oficer i policisë, duke shërbyer në vitet në vijim në Durrës, Berat, Kukës e Shkodër. Në 1997, shërbente si oficer në Policinë e Durrësit. Së bashku me 15 djem të tjerë, edhe ata oficerë policie kanë mbrojtur komisariatin nga sulmet barbare që sollën shkatërrim të madh në qytetin e Durrësit. Vetëm Komisariati i Policisë së Durrësit, i vetmi në rang republike nuk u prek. Më pas e kemi parë të drejtojë zyrën e antitrafikut të qenieve njerëzore, avokat e drejtor i ALUIZN-it. Është Flamur Gjuzi, drejtori aktual i këtij institucioni, karriera e të cilit ka patur ulje-ngritjet e veta në vite, por me një ndryshim të madh. Kudo ku drejtuar e ku ka shërbyer, ka lënë gjurmë suksesi me punën e tij. Në një intervistë për gazetën, Gjuzi vjen jashtë kostumit zyrtar të një drejtuesi, kthehet në retrospektivë, krejtësisht i sinqertë, duke kthyer pas vitet në kohë, një nga një, si fletët e një libri, për të sjellë copëra kujtimesh që përbëjnë jetën, familjen dhe karrierën. Qyteti i Durrësit e jo vetëm, e njeh Flamur Gjuzin si drejtorin e suksesshëm e punëtor, të Agjensisë së Legalizimeve, i cili bëri një revolucion të vërtetë në finalizimin e këtij procesi.

Si po shkon procesi i legalizimit në Qarkun Durrës, me sa kemi parë keni kaluar një “sezon veror” shumë intensiv?

Procesi i legalizimit në Durrës, vijon normalisht. Këtë verë ndamë rreth 1.000 leje legalizimi për banorët e Shijakut. Ishte një ngjarje e rëndësishme për banorët për vetë situatën në të cilën e gjetëm Shijakun. Deri në muajin Nëntor të vitit 2013, në këtë bashki nuk ishte kryer asnjë procedurë, edhe pse në fakt që prej fillim vitit 2013, kishte ekzistuar një strukturë posaçërisht për legalizimin e ndërtimeve informale në territoret e ish komunave. Në fakt nuk ndodhi kështu, sepse territori i Bashkisë Shijak, edhe pas krijimit të kësaj zyre nuk u trajtua as me shërbimin minimal bazë, atë të shërbimit të matjeve në terren. Situata në Shijak, deri në nëntor 2013, rezultonte me një proces legalizimi, ende të panisur e të mbetur në fazën fillestare të aplikimit të qytetarëve. Dosjet rezultonin ende të patërhequra nga arkivat e ish njësive të qeverisjeve vendore të periudhës përkatëse, me mungesë totale të kryerjeve të procedurave të përditësimit teknik në terren, e rrjedhimisht i gjithë procesi i procesi i legalizimit në nëntor 2013 u gjet në pikën zero. Menjëherë me marrjen e drejtimit të institucionit, u tërhoqën dosjet nga Bashkia Shijak dhe ish komunat. Ndërkohë që këtyre dosjeve iu shtuan edhe qindra të praktika të tjera të cilat u aplikuan pas miratimit të ligjeve 50/2014 dhe 62/2015 për legalizimin e ndërtimeve informale të kryera pas vitit 2006. Të gjitha dosjet e ndërtimeve informale që i përkisnin territorit të Bashkisë Shijak, iu nënshtruan pikë së pari inventarizimit të tyre. Ndërkohë, grupet tona të terrenit, filluan edhe procedurën e matjeve në terren, shërbim ky i munguar totalisht në këtë zonë. Aktualisht sot, zona e Shijakut është përditësuar pothuajse e tëra. Aktualisht, në territorin e Shijakut, janë 1349 ndërtime informale të vetëdeklaruara për legalizim. Një nga problematikat kryesore të Shijakut, ishte mosazhornimi i zonës nga ZVRPP Durrës. Azhornimi i zonës nga hipoteka përfundoi në muajin Maj 2016. Vetëm në dy muaj punë intensive në ketë territor, pas 10 vitesh ku numri i lejeve për këtë zonë ka qenë zero, ALUIZNI Durrës ndau për banorët e Bashkisë Shijak 1000 leje legalizimi. Kësisoj, procesi i legalizimit në Qytetin e Shijakut, thuajse ka përfunduar i tëri. Nga 1349 ndërtime informale të vetëdeklaruara për legalizim, janë legalizuar 1000 dhe përfituesit janë pajisur me leje legalizimi. Pjesa e mbetur, për momentin nuk mund të shqyrtohen sepse janë pikërisht ndërtimet informale përgjatë brigjeve të lumit Erzen. Është një problem të cilin e kemi bërë prezent edhe pranë institucioneve qendrore me besimin se do të ketë në të ardhmen bashkëveprimin ndërmjet institucioneve, ndoshta për të gjetur zgjidhje edhe për këto ndërtime.

Para disa ditësh në festën e Kurban Bajramit, ju legalizuat objektet e xhamisë në Durrës. Si shkon ecuria e procesit të legalizimit për objektet e kultit, kanë përfunduar procedurat për të gjithë objektet apo jo?

ALUIZNI Durrës e filloi procesin e legalizimit të objekteve të kultit para një viti. Në muajin nëntor të vitit 2015 u legalizua totalisht falas Xhamia e Riza Bajramit, e cila ishte një ndërtim informal në truall në pronësi të vetë komunitetit mysliman, për të vijuar vetëm pak ditë më pas me legalizimin e ndërtesës së Kishës. Përpos faktit që tashmë këto objekte janë ndërtime të ligjëruara, vlen të theksohet se procesi i legalizimit u përfitua totalisht falas, e për objektin e Kishës edhe trualli i cili ishte truall shtet, iu kalua në pronësi Kishës falas, pa asnjë lloj pagese. Në Gusht 2016, vetëm disa muaj pas legalizimit të Xhamisë së Riza Bajramit, u finalizua procesi i legalizimit për plot 35 objektet e kultit të Komunitetit Mysliman të cilat ndodhen në territorin e Bashkive Durrës dhe Shijak dhe njësive administrative përkatëse. Vetëm në 10 muaj ka përfunduar procesi i legalizimit për të gjithë objektet e kultit të Komunitetit Mysliman, është legalizuar objekti i Kishës Ortodokse dhe janë në proces disa objekte të Kishës Katolike. Për të gjithë këto objekte, vlen të theksohet, se procesi i legalizimit ka qenë tërësisht falas, përfshirë këtu edhe procesi i kalimit të truallit pa asnjë lloj pagese nga pronësia e shtetit në pronësi të Komunitetit Mysliman, Ortodoks apo Katolik.

Ç`mund të thoni për emigrantët, si u është shërbyer atyre?

Gjatë gjithë sezonit veror e veçanërisht në muajt Korrik dhe Gusht, kemi qenë në gatishmëri të plotë për shkak se dihet që në muajin Gusht ka fluks emigrantësh. Për shkak të kohës së kufizuar të qëndrimit të tyre në Shqipëri, e kemi ndërtuar punën tonë në mënyrë që t’u jepnim prioritet këtyre dhe jemi munduar ti shërbejmë në maksimumin e mundshëm që na ka lejuar edhe harku i shkurtër kohor i qëndrimit të tyre. Mendojmë se kemi patur një shërbim cilësor në këtë drejtim dhe me sa kemi mundur u jemi dedikuar krejtësisht nevojave të tyre.

Tashmë, për muajt në vijim ku do të përqendrohet aktiviteti juaj?

Kemi filluar punën me kryerjen e procedurave të përditësimit teknik për territorin e ish Bashkisë Sukth dhe njësive administrative rreth saj. Këto territore kanë qenë krejtësisht të papërditësuara në terren. Tashmë, meqenëse ka përfunduar edhe azhornimi i hartave të regjistrimit fillestar nga ZVRPP Durrës, ne kemi filluar përditësimin në mënyrë që procesi i legalizimit të ecë në të njëjtin ritëm dhe që të përfundojë edhe për zonën e Sukthit.

Çfarë parashikimi keni deri në fund të këtij viti kalendarik?

Deri në këto momente kemi mbërritur në shifrën e 20.000 lejeve të legalizimit dhe sipas objektivave tona, synojmë që në këtë fundvit që përkon me tre vite punë të realizojmë shifrën e 25.000 leje legalizimi apo 10 herë më shumë se numri i lejeve të legalizimit të lëshuar në tetë vite rresht dhe deri në fund të këtij mandati, synojmë përfundimin e procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje në territorin e të gjitha njësive administrative me përjashtim të Bashkisë Durrës, e cila paraqet problematikat e veta që presin zgjidhje ku siç dihet, tashmë më kryesorja vijon të mbetet zona arkeologjike B.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here