Sot, trafiku në të gjithë Tiranën është pothuajse totalisht i bllokuar pasi bashkia organizon “Maratonën e Tiranës 2016” me pjesëmarrjen e 1200 vrapuesve nga vendi dhe rajoni.
Bashkia bëri thirrje dje që qytetarët të shmangin përdorimin e makinave nga ora 9.00 deri në 14.00 sidomos në aksin rrugor ku do të kalojë maratona.
Qytetarët që dëshirojnë të dalin nga qyteti nesër, mund të shohin website-n e Bashkisë së Tiranës për të gjetur akset alternative. Aksi kryesor ku do të zhvillohet maratona është përgjatë Rrugës së Durrësit, Rrugës Dritan Hoxha, deri në kthesën e Rinasit. Rrugët që lidhen me këtë aks do të jenë të bllokuara deri në orën 14.00.
Bashkia e Tiranës ka publikuar planin e lëvizjes së automjeteve gjatë zhvillimit të aktivitetit, si dhe hartën e itinerarit të maratonës të cilin mund ta gjeni duke klikuar këtu: http://maratonaetiranes.al/sq/intenerari/
Në Maratonën e Tiranës (nisja bëhet përpara Muzeut Kombëtar) do të marrin pjesë 4 kategori:
Fun Run – 1km, për nxënësit e shkollave të mesme;
Hand Bike – 2 km, për personat paraplegjikë;
Run (femër/mashkull) 10 km, çdo qytetar shqiptar apo i huaj;
Half Marathon (femër/mashkull) 21 km, çdo qytetar shqiptar apo i huaj.
Kjo maratonë është një mundësi e mirë argëtimi dhe ushtrimi të aktivitetit sportiv në qytet, si dhe ndihmon për ta kthyer fokusin në aktivitete me bazë angazhimin fizik.
Më poshtë gjeni me detaje planin e lëvizjes së automjeteve gjatë kohës që do të zhvillohet Maratona e Tiranës.
1. Qarkullimi i automjeteve gjatë zhvillimit të “Maratona e Tiranës 2016”, me itenerar fillimi dhe mbarimi kryqëzimi i rrugës së Durrësit me rr. “Dedë Gjo Luli”, duke vazhduar përgjatë rrugës së Durrësit – rr. Dritan Hoxha – rr. 29 Nëntori – deri në mbikalimin e “Rinasit”, do të bëhet i kufizuar si më poshtë:
2. Ndalohet qarkullimi në rrugën “Dedë Gjo Luli”
• Në kryqëzimin e bulevardit “Zogu I” (sipas sensit veri-jug) me rrugën “Fortuzi”, drejtim i detyruar djathtas.
• Në kryqëzimin “Rruga e Kavajës” (sipas sensit perëndim-lindje) me rrugën “Dedë Gjo Luli”, drejtim i lejuar djathtas.
• Në kryqëzimin “Rruga e Dibrës” (sipas sensit lindje-perëndim) me bulevardin “Zogu I”, drejtim i detyruar djathtas.
3. Ndalohet qarkullimi në “Rrugën e Durrësit”.
• Në kryqëzimin e rrugës “Fortuzi” (sipas sensit lindje-perëndim) me rrugën “Mine Peza”, drejtim i detyruar djathtas.
• Në kryqëzimin e rrugës “Mine Peza” me rrugën “e Bogdanëve”, drejtim i detyruar drejt.
• Në të gjitha rrugët që kryqëzohen me rrugën e Durrësit pezullohet sensi dalës për në këtë rrugë.
4. Kufizohet qarkullimi në sheshin “Karl Topia”.
• Pezullohet qarkullimi në rrugën “Muhamet Gjollesha” (segmenti Sheshi “Karl Topia” – rruga “Sandër Prosi”) sipas sensit hyrës në shesh jug-veri. Sensi dalës i rrugës “Muhamet Gjollesha” nga Sheshi “Karl Topia” është i hapur.
• Në kryqëzimin e rrugës “Asim Vokshi” (sipas sensit lindje-perëndim) me rrugën “Don Bosko”, drejtim i detyruar djathtas, kurse drejt vetëm për mjetet e emergjencës dhe shërbimit urban qytetës.
• Në kryqëzimin e rrugës “Mine Peza” me rrugën “Asim Vokshi”, drejtim i detyruar drejt-djathtas.
5. Kufizohet qarkullimi në rrugën “Dritan Hoxha”.
• Pezullohet qarkullimi në rrugën “Dritan Hoxha” sipas sensit jug-veri. Gjatë zhvillimit të aktivitetit korsia e dedikuar është e hapur në shërbim të mjeteve të emergjencës dhe shërbimit urban qytetës. Sensi veri-jug i rrugës “Dritan Hoxha” është i hapur.
• Në të gjitha rrugët në anën lindore që kryqëzohen me rrugën “Dritan Hoxha” pezullohet sensi dalës për në këtë rrugë.
• Në kryqëzimin e rrugës “Dritan Hoxha” me “Lord Bajronin” sipas sensit të lejuar për qarkullim, drejtim i detyruar drejt.
• Në kryqëzimin e rrugës me “Lord Bajronin” me “Gjergj Legisi”, drejtim i detyruar djathtas.
6. Kufizohet qarkullimi në sheshin “Shqiponja”.
• Në kryqëzimin me rrethrotullim të sheshit “shqiponja” me rrugën “Vangje Noti”, drejtim i detyruar djathtas.
• Në kryqëzimin e rrugën “Teodor Keko” me “Dritan Hoxha kalimi në rrethrotullim, drejtim i detyruar djathtas.
• Në kryqëzimin e rrugën “29 Nëntori” me “Teodor Keko” kalimi në rrethrotullim, drejtim i detyruar drejt-djathtas.
7. Kufizohet qarkullimi në rrugën “29 Nëntori”.
• Pezullohet pjesërisht qarkullimi në rrugën “29 Nëntori” sipas sensit jug-veri. Gjatë zhvillimit të aktivitetit dy korsi lëvizjeje do të jenë të lira për qarkullim.
• Në hyrje të mbikalimit sipas sensit jug-veri, ndalohet qarkullimi drejt për në autostradë. Të gjitha mjetet që lëvizin në korsitë e rezervuara devijim i detyruar djathtas.
• Sensi veri-jug i rrugës “29 Nëtori” është i lirë.
8. Iteneraret e linjave urbane që preken nga ky plan ndërpriten gjatë zhvillimit të aktivitetit.
9. Të gjitha kufizimet e përshkruara më sipër janë në fuqi më datë 9.10.2016, nga ora 05:00 deri 14:00.