Në Kukës ka nisur të prezantohet skema e re e ndihmës ekonomike, që do të aplikohet së shpejti në të gjithë qarkun. Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, Etleva Bisha, tha se skema e re thjeshton dokumentacionin dhe eliminon kriteret diskriminuese. Në Kukës, rreth 45 % e familjeve janë të përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike. Shërbimi Social Shtetëror në Kukës ka nisur fushatën informuese me administratorë dhe qytetarë, për prezantimin e skemës së re të ndihmës ekonomike, që pritet të aplikohet së shpejti në të gjithë qarkun. Në takimin e parë informues, Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social Shtetëror, Etleva Bisha, tha se skema e re eliminon kriteret diskriminuese, ndërsa dokumentacioni thjeshtohet. “Heqja e kritereve penalizuese, kam parasysh faktin që ligji i vjetër parashikonte ekzistencën apo jo si banor të një njësie administrative para dhe pas ’91 që ishte një kriter s’kualifikues apo për llogaritjen e masës së tokës në përfitimin ose jo të ndihmës ekonomike apo kritere të tjera. Të gjitha këto kanë rënë me modelin e ri duke krijuar mundësinë që tashmë në skemë ne të kemi një hyrje të familjeve të cilat janë realisht të varfra. Modeli i ri shmang mundësinë e vlerësimit të varfërisë nga individë, qoftë nga administratori, qoftë nga Këshilli bashkiak sepse përfitimi ose jo i ndihmës ekonomike bëhet duke u bazuar tek formula e piëkzuar që është një formulë statistikore” tha Etleva Bisha . Shpërndarja e materialeve si kompjuterë dhe skaner, të nevojshme për shtrirjen e skemës së re të ndihmës ekonomike, do të fillojë në javën e dytë të tetorit. Në Kukës, rreth 45 % e familjeve janë të përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike ndërkohë që përqindja e punëkërkuesve të regjistruar në skemën e pagesës së papunësisë në nivel prefekture është 7.8 %.