Reshjet e shiut i kanë marrë jetën një 48-vjeçari në Laç, ku situata nga përmbytjet mbetet shumë e vështirë.
Kol Menga ka humbur jetën mbrëmë rreth mesnatës dhe trupi i tij u gjet nga policia në një kanal në vendin e quajtur “Kodra e Bushit”. Lajmin u konfirmua edhe nga Prefekti i Lezhës, Eduard Ndreca, i cili tha se Kol Menga u mor nga vërshimi i ujërave, ndërkohë që ishte duke shpëtuar biznesin e tij.
“Po tentonte të shpëtonte mallin e tij. Ka qenë i pamundur përballimi i vërshimeve të mëdha. Për 3 orë ka pasur 100 mm shi çka e bënte të pamundur kontrollimin e situatës”.
Ndërkaq 6 familje janë evakuuar në zonën e Milotit, pranë autostradës pasi prezenca e ujit në banesat e tyre ka shkuar në 50 cm.
Reshjet me intensitet të lartë, që vijojnë ende, kanë shkaktuar përmbytjen e rreth 50 banesave, dhjetëra bizneseve si dhe disa dhjetëra hektarë tokë bujqësore janë nën ujë në zonën e Kurbinit.
Situata më problematike paraqitet në qytetin e Laçit, ku dalja nga shtrati i kanalit të ujërave të larta që përshkon qytetin ka përmbytur biznese dhe banesa në zonën përreth stadiumit dhe në lagjen ‘Demokracia’.
Po ashtu në Njësinë Administrative të Milotit situata është pothuajse jashtë kontrollit. Nga vërshimi i ujërave është bllokuar rruga e vjetër Milot-Laç si dhe hyrja e qytetit të Laçit. Situatë problematike paraqitet edhe në fshatrat Lurth dhe Sheshaj të Mirditës, ku rreziklohen disa banorë.