Saimir Tahiri tallet me mjerimin e shqiptarëve

0
213

Për të dytën herë brenda pak ditësh, Saimir Tahiri, Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, po përmend varfërinë, papunësinë, padrejtësinë dhe pabarazinë për të justifikuar mbjelljen e kanabisit.  “Problemi real është varfëria, papunësia, padrejtësia dhe pabarazia. Këto janë problemet në themel që ne duhet të adresojmë dhe pastaj paralelisht edhe kanabisin”, tha ai mbrëmë në Top Story. Të njëjtën sentencë shqiptoi edhe në konferencën për shtyp që mbajti një ditë pas publikimit të raportit të Guardia di Finanza.

Këto probleme sociale, të thelluara gjatë qeverisjes Rama, siç tregojnë raportet e agjencive vendase dhe të huaja (me 46 % të popullsisë që jetojnë në varfëri), Ministri Tahiri i përdor përpara qytetarëve për të justifikuar një vepër kriminale. Ai thotë se nuk mund ta quajë trafikant një qytetar dosido të varfër në zona të thella që mbjell kanabis.

“Unë nuk e quaj dot qytetarin e varfër të zonave më të thella të Shqipërisë as trafikant, as kolumbian siç bën opozita, pasi për shkak të varfërisë ai shkon në ngasje për të mbjellë kanabis me të cilat çon nëpërmendje që mund të zgjidhë hallet e veta ekonomike”, deklaron Tahiri.

Por me këto deklarata ai ka legjitimuar jo më pak se kriminalitetin, një prej veprave penale më të rënda pas vrasjes së njeriut.

Së pari, varfëria e papunësia nuk janë justifikim për asnjë krim të rëndë, siç është kultivimi i bimëve narkotike. Droga e prodhuar “nga fshatarët e varfër” do të bjerë në duart e grupeve kriminale, do të trafikohet prej tyre. Pjesa më e madhe e parave do të shkojë në xhepat e tyre. “Fshatari i varfër i zonave të thella” që përmend Tahiri, nuk ka treg tjetër. Ai s’mund ta shesë kanabisin në pazar përkrah frutave e perimeve për të siguruar bukën e fëmijëve.

Së dyti, a nuk është policia e Tahirit ajo që ka arrestuar me qindra e qindra qytetarë të varfër se nuk kishin para për të paguar energjinë elektrike? A nuk janë shndërruar këto arrestime të policisë së Saimir Tahirit në tragjedi për familje të tëra? A i ka pyetur policia e Saimir Tahirit apo vetë Ministri i Brendshëm këto familje përpara se t’u arrestonte kryefamiljarët: a jeni të varfër?

I gjendur përballë akuzave se ai ka përgjegjësinë kryesore përse parcelat me kanabis janë rritur nga 14 hektarë në vitin 2013 në 232 hektarë në vitin 2016, Saimir Tahiri kërkon ngushëllim tek varfëria e shqiptarëve. Ai tenton të justifikohet se nuk janë grupet kriminale që kanë rritur sipërfaqet me kanabis, por njerëz të varfër që e shohin drogën si rrugëzgjidhje për të dalë nga skamja.

Në këtë mënyrë ai legjitimon jo vetëm drogën dhe paaftësinë e tij, por abuzon me mjerimin e shqiptarëve dhe u hap rrugën krimeve të tjera në emër të vafërisë.

Në arsyetimin e sforcuar që përdor Ministri i Brendshëm, do të ishin të justifikuar edhe grabitjet e bankave, të tregtarëve, biznesmenëve apo kujtdo tjetër që ka ndonjë pasuri, “nga njerëz të varfër të zonave të thella”.

Për të ndihmuar të varfërit e zonave të thella, Ministri i Brendshëm dhe qeveria ku ai bën pjesë duhet të tregojnë përse nuk i inkurajojnë ata që të mbjellin kultura të tjera bujqësore, duke u rritur subvencionet, duke u siguruar tregje, duke u përmirësuar teknologjinë dhe sistemet e vaditjes dhe jo “t’u qajnë hallet” nga foltoret e sallave disamilionëshe apo nëpër studio televizive duke i inkurajuar që të zhyten edhe më tej në krim.

Kanabizimi i Shqipërisë nuk ka të bëjë me varfërinë, por me kriminalitetin. Me atë që sheh çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, se grupet kriminale dhe të narkotrafikut janë rigjallëruar nën drejtimin e Ministrisë së Brendshme nga Saimir Tahiri. Se tani, nëpër rrugë e kafene flitet sërish për “të fortë që bëjnë ligjin” ashtu si në fund të viteve ‘90 dhe fillim të viteve 2000.

Logjika që legalizon kriminalitetin si rrugëdalje nga varfëria është fundi një shteti dhe i një ministri të akuzuar se është kapur për fyti nga krimi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here