Kë ka marë malli për Ramiz Alinë?

0
244

Nga Arian Galdini

Mu në mes të ‘shkretëtirës’ ku zëra ka por nuk lejohen, ku mendje ka por nuk pranohen, ku guximtarë ka por pengohen, mediat tona të mbushura veç me kronikë të gjelbër kanabisi, plehrash, politikë, me kronikë të zezë krimesh e marrëzishë sociale si edhe dhe me shumë kronikë rozë, ia nisin e gëlojnë rrëkeza e më pas lumenj lajmesh me intervista, opinione, portrete të autorizuara e të pautorizuara për Ramiz Alinë.

Pyes veten, po si është e mundur? Cili është mekanizmi që në mes të shkretëtirës së palirisë mediatike, të shpërfaqen kaq shumë e kaq shpesh mirazhe oazesh mbi historitë e ish Udhëheqjes së kohës kriminale e mizore të diktaturës komuniste? Sepse mirazhe janë. Rrëkezat dhe lumenjtë, nuk shuajnë etje. Thjesht na bëjnë të hamë rërë duke menduar se pimë ujë.

Dhe a e dini ku perfundojmë si shoqëri, prej dendësisë e shpeshtësisë së këtyre mirazheve?

Përfundojmë në gjendjen që hamë rërë për të shuar etjen për ujë, jo thjesht sepse kemi etje, por sepse nuk bëjmë dot më dallimin mes rërës dhe ujit. Atëherë, pse? Pse mediat kryesore në vend, mbushin faqe gazetash e zënë hapësirë televizive për këto mirazhe të fëlligështa? ‘Tregu’?

Ngase lajmet mbi Ramiz Alinë e Politbyronë, shesin? Ndoshta po. Ta zëmë se po. Ku i dihet. Thuhet se historia ndonjëherë është agjente e përkorë në treg. Sidomos në shoqëri pa memorie, me kujtesë shumë afatshkurtër, historia është si një mall luksi që të gjithë duan ta kenë, për tu dukur të kohës e të sërës. Paradoks, apo jo. Ështe si gëzofi i shtrenjtë i kafshëve të rralla, që për ta pasur duhet të paguash qimet e kokës. Nëse e ke, nuk sheh vrasjen pas gëzofit, por statusin social që dëfton gëzofi. Nuk ka rëndësi se Alida Tota pushohet nga puna për shkak të detyrës së saj të kryer me përgjegjshmëri si gazetare, duke qëmtuar nëpër një aferë që shkonte deri tek Strofulla e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Nuk ka rëndësi, as se Publicus mbyllet, po ashtu sepse kryerja e detyrës së tyre si gazetari investigative i çon përsëri tek Strofkulla e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Paçka se qindra njerëz të ditur të këtij vendi, gëlojnë të pakonsideruar e në pamundësi për tu shprehur, shfaqur, deklaruar a dëgjuar. Rëndësi ka ekspozimi i gëzofit historik me Ramiz e Byro Politike. Ndërgjegja, përgjegjshmëria, integriteti, ndershmëria, aspiratat qëllim-mbara për një vend e të ardhme të përbashkët, të ndritur, solidare, perëndimore me zhvillim e modernizim, nuk janë tema të ditës, nuk shesin, nuk përfillen, ndaj edhe kyçosen në botën e kurrkundit. Kush guxon të hapë të tilla tema, menjëherë ose nënçmohet, ose përqeshet, ose etiketohet si i luajtur nga fiqiri, ose muroset nga goditja me gurë e baltë e atyre që si ‘mbrojtës të tregut’ dhe lirisë së miratuar me çmim tregu, e shpallin temëhapësin e kësollojshëm si blasfemues, kurorëshkelës dhe të mallkuar. Të tilla tema lejohen vetëm për fjalime dhe retorika politikanësh, kur këta kanë orën dhe ditën e përdëllimit.

Nuk janë atribut i qytetarëve, aktivistëve, mendimtarëve, intelektualëve, njerëzve të thjeshtë e të lirë. Të vetmit njerëz që nuk janë as politikanë e as qytetarë të thjeshtë e të lirë, por që kanë të drejtë të cekin tema tabu, janë Zejtarët e Vijës së Sjelljes, të cilët ne i njohim si Analistët. Këta janë të vetmit që na dekriptojnë parreshtur në çdo ekran, portal e faqe gazete, se si e do Udhëheqja botën, tregun, moralin, politikën, kulturën, e pothuajse gjithçka tjetër. Ndaj edhe kur pyes nëse është ‘tregu’ dhe shitjet (kërkesë – oferta) mekanizmi që e sjell Ramiz Alinë në faqe të para gazetash, intervista e tërhollje të tjera mediatike, le të biem dakort se bëhet fjalë për ‘tregun’ sipas Zejtarëve të Vijës së Sjelljes.

E vërteta është se Tregu si është, e jo si e paraqesin këtu, nuk ka lidhje aspak me këtë inxhinieri sociale që aplikohet me qytetarët shqiptarë sot e gjithë ditën. Sepse përndryshe përse do qarkullonin në media, lista emrash për tu pompuar pa kufi, dhe lista emrash të ndaluar me çdo kusht?

(Sot psh mora vesh nga një Kryeredaktor i një gazete shumë të madhe se e ka të ndaluar të botojë shkrime dhe lajme për një listë me 10 emra, ku ishte edhe emri im ndër ta.) Përse do të qarkullonin në media lista temash për tu trajtuar orë e pa orë e kudo e ngado, dhe lista temash të paprekshme? Përse? Gazetat dhe televizionet tona kanë faqe e bojë pa hesap, për intervista, shkrime dhe ndërkallje me të gjitha nivelet, ngjyrat e përkatësitë e njerëzve që ishin protagonistë apo shërbëtorë të Diktaturës Komuniste. Por nuk kanë hapesirë, ose kanë shumë pak e rrallë hapësirë, për lajme të mira të së sotmes, për shembuj të mirë të së sotmes, për njerëz të mirë të së sotmes, për artistë, intelektualë, aktivistë, idealistë që kanë shumë gjëra për të thënë e për të bërë ne të sotmen e për të sotmen dhe të nesërmen. Të vetmit sotnike që kemi në media janë Zejtarët e Vijës së Sjelljes, politikanët dhe rrogëtarët e Partive, të caktuar për të qenë lexues deklaratash në Konferenca Shtypi.

Bashkëkohësit që jetojnë me ndershmëri, punë, zotësi, sakrifica, aftësi, karakter dhe dinjitet, e kanë hapësirën dhe kohën mediatike të lejuar vetëm me pikatore dhe si fuksione të nevojës që ka sistemi për justifikim. Atëherë me të drejtë, më lind pyetja, kur ka kaq shumë pedagogë, historian, inxhinierë, arkitektë, juristë, avokatë, mjekë, profesionistë të lirë, artistë, mendimtarë e aktivistë, të cilët nuk janë të lejuar a përfillur të jenë si zëra publikë e lajme mediatike, kë ka marë malli për Ramiz Alinë? Kur ka kaq shumë tema të nxehta që ose nuk preken, ose preken kinse, ose me vijë sjelljeje, ndërsa varfëria po mposht çdo familje shqiptare, kanabisi po bëhet i vetmi prodhim në vend, plehrat e mbetjet po kthehen në turistët tanë të favorizuar, shkollat po rrëzohen në metodikë e didaktikë, univesitetet po çoroditen, maturantët po hutohen, etj, etj, etj, kë ka marë malli për Ramiz Alinë?

Shqiptarët janë mbytur nga pashpresësia dhe rendin drejt Llotarisë Amerikane si drejt Arkës së Noes. Shqiptarët nuk kanë më besim as tek politika, as tek shoqëria civile, as tek aktivistët, as tek intelektualët, sepse me të drejtë a pa të drejtë, dyshojnë gjithkënd e gjithçka dhe rendin të kapin bukën e gojës, punën, hallqarjen a favorin e rradhës ditë pas dite, zgjedhje pas zgjedhjesh duke bubrruar tek oborret e Partive. Ndërsa mediat mbushen me Ramiz Alinë, me ngjarje Blloku e Sigurimsash. Askush në asnjërën prej mediave, nuk lejohet hapësira serioze për pyetje e çështje thelbësore, për debate e njerëz thelbësorë e me integritet. Bashkëkohësit që vlejnë, nuk lejohen, nuk pranohen, pengohen. Gjithçka zjen vetëm nga lajme e tjerrje me Ramiz, sotnikë të partive e udhëheqësive dhe zejtarë të vijës së sjelljes. E të mendosh se nëse jemi këtu ku jemi, e kështu si jemi fajin e peshën kryesore të krimit e ka rregjimi barbar komunist me gjithë Enver, Ramiz, Bllokmenë e Sigurimsa. E të mendosh, se kohën e barbarisë së komunizmit në media neve kemi mundësi ta krahasojmë vetëm me këto 25 vite tranzicion plot sotnikë të partive e udhëheqësive dhe zejtarë të vijës së sjellles. I quaj sotnike këta operatorët e ditëve të sotme nëpër parti e udhëheqësi, sepse këta nuk lënë as emër, as vepra, e as shenjë. Këta vijnë nëpër parti, punojnë për partinë dhe zhduken si hije kur i zëvendëson partia. Janë në të sotmen tonë por nuk janë si bashkëkohës me ne. Ndërsa bashkëkohësit e denjë që kemi ne në ditët tona, lihen të harruar e shpërfillur. Ndaj përsëris, kë ka marë malli për Ramiz Alinë? Apo, Udhëheqësitë, Partitë, Zejtarët e Vijës së Sjelljes dhe gjithë sotnikët na sjellin Ramizin që të mos na lejojnë të tashmen dhe bashkëkohësinë, pikërisht sepse Ramizi dikur i delegoi këta për të mos na lejuar neve të ardhmen?

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here