PD nis përgatitjet për zgjedhjet e 2017, urdhër drejtuesve të degëve të identifikojnë votuesit dhe adresat e banimit

0
203

Partia Demokratike ka nisur përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 2017. Paralelisht me turin e nisur nga kryetari Lulzim Basha, në degët e PD po qarkullon dhe një urdhër që ngarkon drejtuesit aktualë të nisin punën në terren për identifikimin e votuesve. Kështu, në datën 3 tetor një urdhër që mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Arben Ristani u është çuar kryetarëve aktualë të degëve të PD për të identifikuar votuesit dhe adresat e tyre të banimit. Nëpërmjet këtij urdhri selia qendrore e PD u kërkon kryetarëve lokalë të PD që të komunikojnë me çdo votues dhe të identifikojnë pozicionimin dhe preferencën e tyre politike. Njëkohësisht, një detyrë e dytë është krijimi i një data baze me adresat e banesave të secilit votues. “Në mbështetje të nenit 38 dhe 60 të Statutit të Partisë Demokratike, me qëllim kontaktimin dhe identifikimin e çdo votuesi si dhe krijimin e Regjistrit të Votuesit, degët e PD nisin punën kapilare në terren”, thuhet në urdhrin që mban firmën e Arben Ristanit. Sipas këtij urdhri kryetari i degës duhet të ngre një grup pune për secilën qendër votimi. Grupet e punës do të përbëhen nga deputetë dhe anëtarë të Këshillit Kombëtar të zonës, të rinj nga FRPD, drejtues të grupseksionit dhe seksionit përkatës, etj. Ky urdhër vjen në kuadër të përgatitjes për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Një prej elementëve që bie në sy është pikërisht identifikimi i banesave. Partia Demokratike i ka kërkuar edhe qeverisë që të krijojë një data bazë të saktë sa i përket adresave në Shqipëri, në kuadër të diskutimeve për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

Afati dhe kaosi në degë

Edhe pse nga selia qendrore dalin udhëzime në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet, disa degë të Partisë Demokratike janë në një kaos total që prej muajit maj. Përkundër urdhrit të Lulzim Bashës, në disa degë ende nuk janë bërë zgjedhjet e brendshme; zgjedhja e kryetarëve, sekretarëve, krerëve të grup-seksioneve etj. Në kushtet kur degët e PD janë ende në gjendje kaotike, gjë që sipas burimeve pritet të zgjas edhe në muajin nëntor, urdhri i firmosur nga Arben Ristani për identifikimin e votuesve dhe preferencave të tyre politike, duket e parealizueshme. Në urdhrin e datës 3 tetor thuhet që grupet e punës duhet të kenë përfunduar procesin e kontaktimit dhe identifikimit të preferencave politike brenda një muaji, pra deri në fund të tetorit. “Brenda afatit 1 mujor nga marrja e detyrës, Grupi i Punës për çdo QV që ka në përgjegjësi, realizon: Kontaktimin individual të çdo votuesi sipas listës emërore në QV që ka në ngarkim. Identifikimin e çdo votuesi që ndodhet në emigracion ose është transferuar brenda vendit që është mbështetës potencial politik”, thuhet mes të tjerash në urdhrin e selisë qendrore drejtuar kryetarëve të degëve. Ndërkaq, edhe pse procesi i riorganizimit të degëve të PD duhet të kishte përfunduar që në qershor, për shkak të konflikteve dhe rebelimit të drejtuesve aktual, ky proces nuk ka përfunduar. Më problematike kanë qenë degët më të mëdha, si Vlora, Durrësi dhe Pogradeci. Ndërkaq, në degën e Dibrës ky proces ende nuk ka nisur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here