Ish presidenti Rexhep Meidani pranon se kërcënimi kryesor për zgjedhjet e ardhshme është moszbatimi i dekriminalizimit. Në tryezën e organizuar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, mbi financimin e partive politike, Meidani tha se përzgjedhja e kandidatëve për deputetë duhet të bëhet në mënyrë të hapur dhe transparente nga partitë politike.
“Problemi kryesor për të ardhmen e qeverisjes është përzgjedhja e kandidatëve, madje detyrimi ligjor për një përcaktim apo përzgjedhje publike, të hapur e transparente të tyre. Gjatë regjistrimit të kandidatit, krahas kërkesave të ligjit të dekriminalizimit, duhet të përfshihen dhe kërkesa shtesë, të lidhura me elementë etikë e moralë të tij, me vetë integritetin e kandidatit, me deklarimin e pasurisë, të biznesit (nëse ka të tillë) dhe të ardhmen e tij në angazhimin e ardhshëm publik në respektim të ligjit. Kjo deri me përgjegjësi ligjore të drejtuesit apo strukturës që ka mbyllur sytë për kandidatë që nuk plotësojnë nene të caktuara të ligjit të dekriminalizimit”, u shpreh Meidani në fjalën e tij.
Meidani nënvizoi edhe faktin e krijimit të një kategorie “biznesmeni-politikan”, fenomen që sipas tij është i dukshëm në Grupin Parlamentar të PS-së.
“Qytetarët në krijimin e qeverisjes qendrore e vendore, sidomos në luftën kundër korrupsionit, kanë votën për ta ndryshuar atë, dhe për të larguar të korruptuarit nga pushteti. Në fakt, një pikënisje e kësaj lufte janë zgjedhjet, sidomos financimi i tyre. Po ashtu, janë shfaqur “teprime” në përfshirjen në politikë të shumë biznesmenëve, jo thjesht për financime fushate, por në mënyrë të drejtpërdrejtë, me anë të kandidimit të tyre. Madje, është rritur dukshëm një kategori e re e llojit:
“biznesmen-politikan” apo “politikan-biznesmen”, deri me të dhëna të dyshimta morale-financiare të disave prej tyre. P.sh., në Grupin Parlamentar të PS-së kjo ka qenë krejtësisht e dukshme”, shtoi Meidani.