Edhe pse ishte premtuar nga qeveria një ulje e niveli të borxhit publik, kjo duket se do jetë një gjë e pamundur. Referuar statistikave të Financave, vlerën më të madhe të huamarrjes e zë ajo e brendshme. Por sipas specialistëve të Drejtorisë së Menaxhimit të Borxhit Publik, aktualisht rritja e huamarrjes në tregun e brendshëm përtej kapacitetit mund të rrisë mundësinë e mosplotësimit të ankandeve, shoqëruar kjo me presion rritës të normave të interesit. Sipas një analize të financave, në rast rritet niveli i borxhit publik do shihet mundësia e organizimit të shpeshtë të ankandeve të jashtëzakonshëm për të siguruar likuiditetin e nevojshëm, çka do të “mundësonte” çmime spekuluese për ankandet e titujve qeveritarë, duke prishur kurbën e interesave dhe duke vështirësuar procesin e zbulimit të çmimit nga investitorët. Gjithashtu rritja e huamarrjes do të mundësonte mosrealizimin e financimit me instrumente afatgjatë dhe kryesisht me norma interesi fikse, në përputhje me udhëzimet strategjike dhe uljen e ekspozimit ndaj risqeve. Ndërkohë rritja e riskut për mosrealizimin e huamarrjes së planifikuar në nivelin 100 %, duke e detyruar qeverinë që të mbulojë financimin e deficitit nga burime alternative më të kushtueshme.