Raporti i UEFA-s për Skënderbeun mbërrin në Prokurorinë e Tiranës

0
206

Prokuroria e Tiranës administron në dosjen hetimore, raportin zyrtar të UEFA-s në lidhje me ndeshjet që dyshohet se janë trukuar nga ekipi i futbollit “Skënderbeu”.

Burime zyrtare të prokurorisë, thanë se pas marrjes së dokumentit në version elektronik nga FSHF, së fundi, ka qenë Ministria e Drejtësisë që ia ka përcjellë grupit të hetimit raportin në dokument zyrtar të përkthyer në gjuhën shqipe.

“Sapo kemi marrë raportin e UEFA-s dhe grupi i hetimit do ta shqyrtojë këtë dokument për të vendosur në lidhje me hapat e mëtejshëm të hetimit. Deri tani nuk kemi dërguar fletëthirrje pasi po shqyrtojmë përmbajtjen e raportit”, thanë burimet e prokurorisë, të pyetura nga “Panorama” në lidhje me mundësinë e marrjes në pyetje të drejtuesve të klubit “Skënderbeu”.

Më 13 shtator 2016 Njësia Task Force në prokurorinë e Tiranës ka vendosur nisjen e procedimit penal në lidhje me trukimin e ndeshjeve pas raportit të publikuar nga UEFA në lidhje me klubin e Skënderbeut.

Hetimi ka nisur kryesisht, pa një denoncim konkret. Shkak për nisjen e procedimit penal janë bërë publikimet në media në lidhje me një listë ndeshjesh brenda dhe jashtë vendit rezultatet e të cilave dyshohet se janë fiksuar.

Hetimi ka nisur për veprat penale të parashikuara nga nenet: 197/a i Kodit Penal, “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive” dhe 197/b Shtrembërimi i konkurrencës në garat sportive.

Burimet e prokurorisë kanë thënë se procedimi penal ka nisur vetëm mbi bazën e publikimeve në media ndërsa pas këtij vendimi pritet që prokuroria ti drejtohet me kërkesa për informacion e dokumente Federatës Shqiptare të Futbollit dhe klubit të Skënderbeut.

Po kështu në vazhdim, sipas prokurorisë, do të kërkohet administrimi në rrugë zyrtare i raportit të UEFA-s për të cilin është folur në media ndërsa që prej ditës së sotme, ka nisur sekuestrimi i gjithë artikujve që janë publikuar në lidhje me çështjen nga mediat vizive dhe të shkruara në vend.

Sipas prokurorisë vepra e “Paracaktimit te rezultateve në garat sportive” kur është kryer me qëllim përfitimi pasuror dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet.

Po kështu, “shtrembërimi i konkurrencës në garat sportive” ka një marzh dënimi nga gjobë deri në dy vite burgim.

Varësisht nga ecuria e hetimit dhe provave që do të dalin në dritë prokuroria nuk përjashton edhe mundësinë e marrjes në pyetje të drejtuesve të klubit, futbollistëve të Skënderbeut dhe skuadrave të tjera që kanë qenë pjesë e “listës së ndeshjeve të dyshuara” si dhe përfaqësuesve të kompanive të basteve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here