Vetëm 6 ndeshje arriti të përballojë dhe tapeti i blertë i “Loro Boriçit” del jashtë funksioni. Dëmtimi i pësuar ka bërë që federata të detyrohet të nisë rikonstruksionin e tij. Ndërhyrja e parë po bëhet nga punonjësit e bashkisë me korrjen e barit dhe më pas në pjesën më të madhe të fushës do të bëhet mbjellja nga e para.
Për 1 muaj nuk do të luhet asnjë ndeshje dhe në zonë janë shtuar forcat e policisë private me qëllim ruajtjen e këtij impjanti.
Përfaqësuesi i FSHF, Pal Dajçi, e quan procedurë normale këtë ndërhyrje, duke e justifikuar me mbjelljen e barit për stinën e dimrit që është me rezistent.
Por një gje e tillë nga burime brenda federatës thuhet se nuk ishte parashikuar, ndërsa dëmtimi i pësuar ka qënë i madh, gjë që u pa në ndeshjen me Spanjën, lojtarët e së cilës patën jo pak ankesa.
“Gjëndja e fushës sic e shihni po punohet. Kjo është një procedurë e cila kryhet gjithmonë. Nuk është se po bëhet një fushë e re. Natyrisht kjo është një procedurë që në periudhën shtator-tetor, ky bar, që është bar veror dhe përdoret për periudhën mars-prill-maj-qershor e gjatë verës, në dimër e humbet ngjyrën. Tani ne po e rimbjellim përsëri, shtrojmë jeshillëkun dhe shfrytëzuam rastin meqë kombëtarja nuk ka ndeshje. I kemi hyrë pak në hak Vllaznisë por natyrisht duhet të na durojë sepse për kombëtaren kontribojmë të gjithë. Natyrisht fusha është një proces që kryhet normal në këtë lloj bari. Sa kemi mbaruar Elbasanin se edhe Elbasanin e kemi rimbjellë dhe bari ka dalë dhe kjo është një procedurë krejt normale, e cila kryhet në bazë të të gjitha procedurave që kanë ata që e kanë ndërtuar fushën. Kemi dhe specialistin këtu grek i cili po merret. Pra është një procedurë krejt normale rimbjellja e cila për një periudhë që kombëtarja është pushim do të jetë e gatshme fusha në 12 nëntor për ndeshjen me Izraelin. Zyrtarët e Uefës erdhën ktu dhe kontribuan sepse fusha në këtë periudhë dhe sipas reshjeve të mëdhaja ata nxorrën disa difekte por natyrisht ishte e papërpunuar fusha, pra pa e bërë këtë rimbjellje të barit. Meqënëse specialisti grek ka një garanci 2 vjecare, ai ka ardhur vetë për të na ndihmuar. Edhe në momentin e parë kur janë ndërtuar këto fusha ka thënë që për periudhën e dimrit bëhet rimbjellja e barit i cili zgjat rrënjët më shumë se sa ky bari që është tani dhe krijon sigurinë për periudhën e dimrit”, u shpreh Pal Dajçi.
Nëse reshjet e shiut rikthehen gjatë këtyre ditëve që po punohet, vihet në rrezik proçesi i mbjelljes së barit, e për pasoje stadiumi mund të mos jetë gati në 12 nëntor kur kombëtarja do të luajë me Izraelin.