MAS ka ndryshuar për të dytë herë udhëzimin nr. 13 që parashikon procedurat e regjistrimit dhe aplikimit sipas këtij ndryshimi kuotat bosh do plotësohen edhe pas datës 20 tetor
Ministria e Arsimit ka ndryshuar sërish udhëzimin nr. 13 për procedurat e aplikimit dhe regjistrimit në universitet. Në datën 7 tetor 2016, MAS nxori Udhëzimin nr. 24, i cili ndryshoi për herë të dytë të famshmin Udhëzim nr. 13, pas ndryshimit të parë me Udhëzimin nr. 22 të datës 6 shtator 2016, por këtë herë me ndryshime rrënjësore në skemën e regjistrimit. Këtij udhëzimi iu bënë disa ndryshime në lidhje me procedurat e regjistrimit, ku MAS-i shtoi dy nënfaza regjistrimi dyditore për të plotësuar kuotat bosh. Por me sa duket MAS-i, nga frika se do mbeteshin sërish kuota bosh në datën 20 tetor, ka zgjatur afatet e regjistrimit deri më datë 27 tetor. Udhëzimi nr. 24/1 i firmosur nga ministrja Lindita Nikolla mban datën 12 tetor. Po ashtu, në ndryshimet e këtij udhëzimi MAS-i ka reflektuar edhe sa u përket procedurave të aplikimit për ciklin e dytë të studimeve, master. Universiteteve publike u ka përcaktuar si ditë të fundit afatin që ato faktikisht e përcaktuan vetë, pra datën 20 tetor, pasi nuk respektuan datën 12 tetor që u kishte përcaktuar Ministria e Arsimit. Ndërsa për universitetet private, afati i fundit është lënë data 27 tetor 2016. Sa u përket fituesve në ciklin e dytë, MAS-i përcakton se universitetet publike duhet t’i shpallin brenda datës 24 tetor, ndërsa ato private brenda datës 31 tetor 2016. Viti i ri akademik është përcaktuar të nisë në datën 20 tetor 2016, por duke qenë se regjistrimi për fituesit në universitet u zgjat me një javë, lind pyetja: A do ndryshojë edhe udhëzimi për strukturën e fillimit të vitit të ri akademik?
Udhëzimi i ri
Brenda pesë ditëve MAS i ndryshoi dy herë udhëzimin për procedurat e regjistrimit dhe plotësimin e kuotave të paplotësuara në universitet. Në datën 12 tetor, ministrja Nikolla firmosi një udhëzim të ri, duke ndryshuar udhëzimin e mëparshëm të datës 7 tetor, për fazën e dytë të regjistrimeve. Në udhëzimin nr.24/ 1, datë 12 tetor, përcaktohet se: “Kandidatët që nuk regjistrohen brenda datës 16 tetor, humbin të drejtën për t’u regjistruar në fazat e mëtejshme të parashikuara më poshtë në programet e studimit ku ata rezultonin fitues gjatë raundit të dytë. Pas mbylljes së regjistrimeve të raundit të dytë, në datat 17-18 tetor 2016, sekretaritë mësimore të universiteteve do të regjistrojnë, online dhe me dokumentacion, kandidatët sipas listave, pas zbritjes së vijës së fituesit të fundit. Kandidatët që rezultojnë fitues në këtë fazë dhe nuk regjistrohen, humbin të drejtën e regjistrimit në fazat e mëpasshme të konkurrimit për programet e studimit ku ata rezultonin fitues në këtë fazë. Në datat 19-20 tetor 2016, sekretaritë mësimore do të regjistrojnë, online dhe me dokumentacion, konform numrit të kuotave të parashikuara për programin përkatës të studimit, kandidatët që rezultojnë fitues pas zbritjes së vijës së fituesit të fundit të fazës pararendëse dhe për shkak të mosregjistrimit gjatë kësaj faze, brenda datës 18 tetor, të kandidatëve të tjerë pararendë fitues, duke respektuar renditjen në listat e fituesve të raundit të dytë. Në rast se konstatohen kuota të paplotësuara edhe mbas datës 20 tetor 2016, procesi i regjistrimeve online dhe me dokumentacion, vijon me faza 48-orëshe, konform numrit të kuotave të parashikuara për programin përkatës të studimit dhe duke respektuar renditjen në listat e fituesve të raundit të dytë. Këto faza vijojnë deri në plotësimin e kuotave të parashikuara, deri në datën 27 tetor 2016. Në çdo fazë regjistrohen kandidatët që rezultojnë fitues pas zbritjes së vijës së fituesit të fundit të fazës pararendëse për shkak të mosregjistrimit gjatë kësaj të fundit. Kandidatët nuk mund të regjistrohen në më shumë se një program studimi