Mban emrin e heroit tonë kombëtar, simbol i bashkimit të shqiptarëve. Por krejt në kundërshtim me mesazhin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, sheshi qendror i kryeqytetit të vendit, ka sjellë vetëm përçarje mes palëve të përfshira në drejtimin e vendit. Akuza, kundër akuza, plane betonizimi, plane pa plan, ndërtime, shembje e më pas rindërtime. Kjo është me pak fjalë fabula e sheshit “Skënderbej”. Një masakrim që askush më mirë se politikanët shqiptarë, nuk mund t’ia bënte kryesheshit të metropolit shqiptar. Planet, ndërtimet dhe rindërtimet që kanë ndodhur në këtë shesh këto 6 vitet e fundit kanë lënë pa fjalë jo vetëm qytetarë shqiptarë që i jetojnë mbi kurrizin e tyre këto “vepra” , por edhe vizitorët e huaj. “What a nightmare , again is square rebuild?”. Kjo ishte deklarata që dëgjova vetëm pak ditë më parë kur po kaloja pranë zonës së “Muzeut Kombëtar”, nga një prej turisteve të huaja që dukej se e kishte vizituar shpesh Tiranën përgjatë viteve të fundit. Sipas të gjitha gjasave, turistja do ketë qenë prezente në Tiranë gjatë nisjes së punimeve të famshme të sheshit në vitin 2010 sipas planit francez, ku pritej të transformohej qendra e metropolit në një arenë gjigante të mbushur rreth e qark me gradaçela. Po ashtu me shumë mundësi, turistja e huaj do ketë qenë vizitore në Tiranë edhe kur nisën punimet në fillim vitin e 2011-ës sipas planit belg me parkingun nëntokësor, i cili vetëm pak muaj më pas u mbulua me dhe. Ndoshta turistja e huaj do ketë parë nga afër edhe rindërtimin e përkohshëm të sheshit në mesin e vitit 2011 deri në 2012, i cili nuk mori asnjëherë variantin final. Dhe kjo vizitë e fundit në Tiranë e turistes në vitin 2016, kur sërish sheshi ishte kthyer përmbys dhe po i rifutej rindërtimit të radhës duke rimarrë për bazë një plan të lënë përgjysmë 5 vite më parë, nuk ka mundur të mos përcillet me habi dhe skepticizëm. Pse kjo kapardisje 6-vjeçare për sheshin qendror të Tiranës? Cilat ishin planet që sollën “gjullurdinë” e kryeqendrës? Çfarë fshihej pas tyre? Dhe në fund pyetja më e rëndësishme e gjithë këtij diskutimi: Sa kanë humbur realisht qytetarët e Tiranës në veçanti dhe shqiptarët në tërësi nga rindërtimet e sheshit “Skënderbej” në këto vitet e fundit?
Planet e sheshit dhe kosto e tyre
Plani francez për sheshin “Skënderbej” parashihte ndërtimin e 10 kullave të larta, të cilat do të vendoseshin përqark sheshit dhe anash aksit të Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Kullat e larta paralele me njëra-tjetrën do ishin sipas planit të destinuara për veprimtari tregtare, administrative dhe kulturore. Sipas këtij plani Sheshi “Skënderbej” do të ishte aksesibël vetëm për këmbësorët. Zona jugore e qytetit kryesisht do të mbrohej, ndërsa zona veriore do të zhvillohej me godina banimi. Por ky plan nuk e pati të gjatë jetën dhe fill pas tij doli në pah plani belg. Edhe në këtë plan, projekti fillestar parashikonte ndërtimin e disa kullave përreth sheshit, ndërsa vetë sheshi parashikohej se do të bëhet një hapësirë e mbyllur për makinat dhe në përdorim të vetëm këmbësorëve. Masterplani propozonte ta shkëpusë trafikun nga sheshi dhe të krijoje një shesh këmbësoresh me konstruksione të reja. Sheshi i ri sipas planit duhej të përfshinte disa nga ndërtesat ekzistuese – si xhamia – dhe të përjashtojë të tjerat – si muzeu kombëtar . Plani belg i ish-kryebashkiakut Rama e kishte vlerën e përgjithshme të projektit në shifrën e 11 milionë e 500. 000 mijë euro. Përtej kundërshtive më qeverisjen qëndrore, kryebashkiaku i asaj kohe vahdoi planin e tij dhe rezultati i arritur ishte që çereku i parave të menduara për projektin shkoi dëm pas hedhjes poshtë të këtij plani me largimin e Ramës nga drejtimi i bashkisë në 2011-ën.
Më pas në krye të bashkisë Tiranë erdhi kryebashkiaku Basha, i cili i gjendur mbi ngutin e rregullimit të situatës së trafikut vendosi për një rikonstruksion provizor të sheshit “Skënderbej” me qëllim adaptimin më pas të planit final i cili ndryshonte nga ai i ish-kryebashkiakut Rama. Pas rikonostruksionit të sheshit, ( kushtoi deri në 5 milionë euro) i cili në të vërtetë zgjidhi në pjesën më të madhe të tij, problemin e trafikut të Tiranës, bashkia e drejtuar atë kohë nga Basha mori masa për gjelbërimin e pjesëve rrethuese të sheshit, ku projekt për tu vlerësuar ishte lulishtja përballë Bankës së Shqipërisë. Por nga ana tjetër duhet theksuar se projekti përfundimtar për sheshin “Skënderbej”, ashtu sic ishte miratuar me ndryshime, nuk mori zgjidhje gjatë mandatit 4-vjeçar të Bashës.
Me ardhjen e të majtëve sërish në krye të bashkisë së Tiranës, u vendos që për sheshin “Skënderbej” të rikthehej projekti bleg i ish-kryebashkiakut Rama. Kreu aktual i Bashkisë Erion Veliaj, i cili njihet për admirimin e tij ndaj kryeministrit, ka rinisur punimet për sheshin qendror të kryeqytetit duke ju referuar planit të 5 viteve më parë. Faza e parë e planit të Veliajt për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej” shkon deri në 3.8 milionë euro. Ndërkaq mësohet se me këtë plan Rikonstruksioni i sheshit Skënderbej do të kushtojë mbi 1.7 miliardë lekë. Qeveria miratoi së fundmi përmes Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve fondin për fazën e dytë të punimeve me vlerë 1.2 miliardë lekësh/ G.Saliu
Replikat Rama-Basha në 2016-ën
Edi Rama: I kthejmë identitetin Skënderbeut, Basha e la në mes të barit e bëri polic bashkie. Ndërhyrja më idioteske që është bërë në historinë e urbanistikës shqiptare kur ka pasur shumë ndërhyrje idioteske për të na dhënë kartodromin në mes të Tiranës me Skënderbeun, që mbi kalin e tij duket si polici i dikurshëm që rrinte te sheshi për t’u dhënë drejtim makinave. Do bëhet edhe Skënderbeu pjesë normale dhe do prehet i qetë më në fund. Ajo që po ndodh me sheshin e ka rrotulluar aty ku fle Heroin tonë Kombëtar
Lulzim Basha- Por, çfarë është realisht ‘investimi’ në shesh? Shkatërrim i gjelbërimit, tender për xhepat e tyre dhe dy kulla betoni për oligarkinë dhe veten e tyre. Ky është meraku i madh i Pashait të Korrupsionit dhe jo vetmia e Gjergj Kastriotit”.
Ja cilët ishin projektet për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej”
Sejrie Baleta
Projekti fillestar i ish-kryebashkiakut Rama (francezi 2010)
Në shkurt të 2010 Bashkia e Tiranës e drejtuar atëherë nga ish- kryebashkiaku Edi Rama prezantoi maketin përfundimtar të Planit Rregullues të Qendrës së Tiranës, përgatitur nga francezët e “Architecture Studio”. Plani francez përmbante: moslejim të godinave të banimit më të larta se 9 kate; kulla të larta paralele me njëra- të destinuara për veprimtari tregtare, administrative dhe kulturore; konvertim me pak ndryshime nga zona e ish-Bllokut, që do ta bënte aksesibël vetëm për këmbësorët, si dhe zona e vilave në Rrugën e Elbasanit; formimin e Parkut të Madh në qendër të Tiranës, që do të vinte nga shkrirja e Parkut Rinia dhe Parkut të Namazgjasë, si dhe ndërtimin e parkut matanë Stacionit të Trenit; Zona jugore e qytetit kryesisht do të mbrohej, ndërsa zona veriore do të zhvillohej me godina banimi; Sheshi “Skënderbej” do të ishte aksesibël vetëm për këmbësorët, me shumë gjelbërim për qytetarët. Sheshi u jepet përgjigje hapësirave social-kulturore; Plani parashikonte edhe futjen në sistemin e transportit publik të një treni urban, me dy-tri vagonë, tepër ekologjik për ambientin; plani zgjidhte edhe problemin e godinave me destinacion administrativ. Kështu, në ndërtesën e Selisë së Kuvendit (ish-Komiteti Ekzekutiv) ishte parashikuar të ndërtohej aula (salla e deputetëve) e re e Parlamentit. Teatri Kombëtar do të kalonte në mjediset aktuale të sallës së Parlamentit. Biblioteka Kombëtare do të harmonizohej në kullën që do të ngrihej brenda oborrit të Muzeut Kombëtar, duke u harmonizuar kështu me ndërtesën aktuale dhe duke u sintetizuar me ndërtesën në Hotel “Tirana”; Gjithashtu plani parashikonte edhe zgjerimin e mjediseve të Korpusit Universitar, duke krijuar kështu hapësirat e nevojshme për Universitetin; Në plan parashikohej rivitalizimi i Sheshit “Avni Rustemi”; Sheshi “Nënë Tereza” do të bëhej vetëm për këmbësorë; Plani parashikonte ndërtimin e hapësirave për parkingje të mëdha nëntokësore. Të gjitha këta pika të lartpërmendura i parashikonte “Plani Francez” por ky plan u hedh poshtë në atë kohë dhe nuk u vendos në zbatim nga ish-kryebashkiaku Rama. Ai u zëvendësua nga “Plani Belg” i studios 51N4E.
Projekti i dytë i ish-kryebashkiakut Rama (studio belge 51N4E 2010-2011)
Projekti për “rikualifikimin” i takonte kohës kur bashkinë e drejtonte po kryeministri aktual Rama . Ky projekt vinte nga studioja arkitekturore 51N4E, e cila e kreu projektin fillestar në vitin 2012, porositur nga ish-kryebashkiaku i Tiranës . Vlera e përgjithshme e këtij projekti do të ishte 11. 500. 000 Euro. Projekti fillestar parashikonte edhe ndërtimin e disa kullave përreth sheshit, ndërsa vetë sheshi parashikohej se do të bëhet një hapësirë e mbyllur për makinat dhe në përdorim të vetëm këmbësorëve. Masterplani propozonte ta shkëpusë trafikun nga sheshi dhe të krijoje një shesh këmbësoresh me konstruksione të reja.
Sheshi i ri sipas planit duhej të përfshinte disa nga ndërtesat ekzistuese – si xhamia – dhe të përjashtojë të tjerat – si muzeu kombëtar – sado jo tërheqës qoftë ky. Në këtë plan parashikohej të vihej në zbatim : Ndërtesa e Operës do të plotësohej me një hyrje në përmasa të mëdha duke mbuluar oborret e jashtme ekzistuese, për të shërbyer për kongrese dhe ngjarje te rëndësishme; Xhamia të kornizohej nga një dysheme e re, pak më e ngritur për ti dhënë asaj vetë më shumë hapësirë dhe për ta bërë të duket sikur ishe ulur mbi një qilim madhështor; Ndërtesat e Ministrive do të trajtoheshin si një linjë me kopshtin e fundosur, duke shtuar pemë të mbjella që të mbulonin gjithë hapësirën e kopshtit dhe të rrugës. Kështu, kompleksi parashikonte një identitet të vetëm duke theksuar; Teatri i Kukullave do ta gjente vetën në shesh dhe të lidhej me një hapësirë të re të ndërtuar përpara tij duke ripërdorur pemët ekzistuese; Banka Kombëtare, do të merrte vëmendje, duke shmangur çdo ndërhyrje vetëm duke ndryshuar platformën përpara saj; Qendrat Tregtare ngjitur me bankën ishte ripropozuar. Ndërtesa do të ishte e ngritur nga toka për të lejuar një hapësirë e cila krijoi një hyrje të madhe në shesh, duke kornizuar njëherësh kolonadën e ndërtesës së Operës. Funksionet tregtare do të plotësoheshin nga një hapësirë ekspozitash për ngjarje kulturore. Hapësira kulturore do të menaxhohej nga qyteti dhe mund të bëhet partner konkurrent i Galerisë Kombëtare të Arteve. Edhe pse teknikisht i përjashtuar nga konkurrimi, ripropozimi i këtij projekti ishte pjesë integrale e zhvillimit të ri të sheshit; lidhja e Muzeut Kombëtar me vendin ku qëndron do të ishte ndryshuar duke riorganizuar shkallët kryesore. Fasada e tij një-dimensionale do të ndryshohej në një tipografi multidireksionale; Kulla Qytetare (the Civil Toëer) ishte rivendosja e shërbimeve publike të qytetit në një kullë të vogël. Projekti mbeti i pazbatuar për shkak se në vitin 2011, drejtimi i Bashkisë Tiranë ndryshoi dhe administrata e re e drejtuar nga Lulzim Basha, e hodhi poshtë projektin duke dizenjuar sheshin siç ishte para fillimit të punimeve që ka nisur kryebashkiaku Veliaj.
Projekti i Bashës ( Rindërtim i Sheshit)
Me ardhjen e Bashës në krye të bashkisë së Tiranës ndryshoi dhe plani urbanistik i kryeqytetit. Drejtimi i bashkisë së Tiranës nga Basha përmbysi “Projektit Belg” për ndërtimin e sheshit “Skënderbej” që ishte planifikuar nga ish-kryebashkiaku Rama. Ndërkohë që debate të forta në atë kohë ka pasur mes këshilltarëve demokratë dhe socialist në bashki, ku ishte Basha kryebashkiak por sipas këshilltarët e opozitës e quajtën flagrante ndryshimin e projektit të sheshit “Skënderbej” dhe nuk pranuan të jepnin votën për miratimin e “Projekti Belg”. Rikonstruktimi i sheshit “Skënderbej” në periudhën e ish- kryebashkiakut të djathtë kapi vlerën e 5 milion eurove sipas burimeve nga punonjës në drejtorinë e ekonomisë në mandatin e Bashës. Ky rikonstruktim u bë për të shmangur trafikun e krijuar në qytet, i cili ishte kthyer në problematikën kryesore të vendit. Ky ishte një rikonstruksion provizor, pasi Basha kishte bërë të ditur se më vonë do të zbatohej edhe plani që e rindërtonte përfundimisht sheshin qendror të kryeqytetit. Por me ardhjen në krye të bashkisë në vitin 2015 të Erjon Veliajt të gjitha planet që kishte planifikuar mandati Basha nuk u vunë në zbatim.
Projekti i Erion Veliajt ( Po sipas plani belg të studios 51N4E)
Me marrjen e mandatit nga kryebashkiaku Veliaj sërish po rikonstruktohet dhe një herë nga fillimi sheshi “Skënderbej”. Tenderi për fazën e parë me vlerë 527 milionë lekë (3.8 milionë euro) për “rikualifikimin urban të Sheshit Skënderbej” u fitua nga kompania e vetme konkurruese, Fusha Sh.P.K. Ndërkaq nisja e punimeve me bllokimin e pjesshëm të sheshit kryesor të Tiranës, u shoqërua me bllokim thuajse total të trafikut të makinave në qendrën e kryeqytetit. Një projekt i shumëdebatuar i qeverisë shqiptare për të rinovuar Sheshin “Skënderbej” në qendër të Tiranës nisi punimet, shoqëruar me bllokim trafiku në shkallë të gjerë. Projekti “Rikualifikimi Urban i Sheshit Skënderbej, Faza e I-rë”, parashikon ridizenjimin e Sheshit Skënderbej, vetëm katër vjet pas dizenjimit aktual. Projekti është financuar nga qeveria shqiptare përmes instrumentit të Fondit të Zhvillimit të Rajoneve dhe po zbatohet si projekt i Bashkisë Tiranë. Në fazën e parë të projektit, firma zbatuese ka bllokuar segmentin rrugor që lidh xhaminë e E’them Beut me hotel Tiranën. Tenderi për Fazën e I-rë të projektit u zhvillua në muajin gusht dhe në të morën pjesë tri kompani, por vetëm njëra prej tyre dha një ofertë monetare ndërsa dy të tjerat u skualifikuan pasi nuk kishin dhënë ofertë, duke e bërë tenderin efektivisht pa garë reale. Sipas formularit të njoftimit të fituesit, kompania Fusha sh.p.k e fitoi tenderin duke kërkuar 527 milionë lekë pa TVSH, (rreth 3.8 milionë euro) për këtë projekt. Oferta fituese qe e barabartë me 98.9 për qind të fondit limit prej 533 milionë lekësh. Projekti për “rikualifikimin” është përgatitur nga studioja arkitekturore 51N4E, e cila e kreu projektin fillestar në vitin 2012, porositur nga ish-kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama. Projekti mbeti i pazbatuar për shkak se në vitin 2011, drejtimi i Bashkisë Tiranë ndryshoi dhe administrata e re e drejtuar nga Lulzim Basha, e hodhi poshtë projektin duke dizenjuar sheshin siç është aktualisht. Projekti fillestar parashikon edhe ndërtimin e disa kullave përreth sheshit, ndërsa vetë sheshi parashikohet se do të bëhet një hapësirë e mbyllur për makinat dhe në përdorim të vetëm këmbësorëve. Faza e parë e projektit parashikon ndryshime në një kuadër nga statuja e Skënderbeut te pjesa pas Hotel Tiranës. Sipas procedurës së tenderimit, punimet duhet të zgjasin 12 muaj dhe sheshi i rinovuar duhet të jetë gati në verën e vitit të ardhshëm. Qeveria aktuale ka ndërmarrë një numër të madh projektesh rinovuese të shesheve të qyteteve të njohur si “Rilindja Urbane”, projekte që shpesh janë shoqëruar me debate mbi vlefshmërinë dhe shpenzimet e tepërta në një kohë kur shumica dërrmuese e projekteve janë vënë në zbatim pa procedura të konsultimit publik.
Masterplani parashikon:
Planit të Përgjithshëm Vendor “TR030”, përgatitur nga studioja e italiane “Stefano Boeri Architetti” dhe “UNLAB” do të nisë më idenë e cila quhet ‘metro-pylli’, pra pylli metropolitan i Tiranës. Konturi që do të ketë pylli metropolitan i Tiranës do të jetë si një unazë përgjatë unazës së pestë, e cila lidh zonat periferike, duke filluar nga Parku i Dajtit me Liqenin e Farkës, me Liqenin tonë Artificial, duke vazhduar pastaj në jug, në zonën tjetër përtej Doganës, një pjesë e zonës informale, e gjithë pjesa e Lumit të Tiranës, e cila është duke u rehabilituar dhe duke pasur një kontur të gjelbër të atij që do të quhet pylli metropolitan e Tiranës; Një ide të dytë që parashikon ky projekt është edhe ai për ndërtimin e dy unazave të reja për Tiranën; Ky plan ofron një propozim drastik për dy unaza të reja që janë dy unaza të dedikuara, quhen Unaza e Dytë dhe e Katërt. E dyta, gjendet midis Unazës së Vogël dhe Unazës së Mesme, ajo që ne e quajmë autobusi i Unazës dhe e katërta është midis Unazës së Mesme, siç njihet unaza klasike dhe Unazës së Madhe. Ideja e shtimit të këtyre dy unazave është për ta rrethuar Tiranën me dy unaza të gjelbra që janë të dedikuara ekskluzivisht për transport publik, për këmbësorë dhe për përdoruesit e biçikletave ; Plani parashikon dhe merr parasysh gjithashtu, zhvillimin e Tiranës në drejtimin verior, që vjen si pasojë e zgjatimit të bulevardit; Nga ana e konceptit urbanistik, edhe me pjesë të tjera siç është Parku i Lumit të Tiranës, siç është sheshi “Skënderbej”, apo i gjithë kompleksi universitar, e mandej investimet që do të vazhdojë deri në të bëjmë në Parkun e Liqenit të Tiranës; Gjithashtu, projekti i planit të ri vendor parashikon edhe një Tiranë policentrike, propozuar një Tiranë e cila do të ketë 7 qendra.
Flet arkitekti Besnik Aliaj: Plani i Veliajt, pa konsultim, pa transparencë, pa garë
I pyetur nga gazeta “Standard” në lidhje me punimet që po bën bashkia e Tiranës tek sheshi “Skënderbej” arkitekti Besnik Aliaj shprehte se bashkia nuk ka as buxhet, as ide të vetat dhe nuk ka bërë asnjë lloj transparence në lidhje me “ratifikimin” e sheshit “Skëndërbej” . “Projekti në qendër po zhvillohet pa u përfunduar dhe miratuar plani i ri urbanistik i bashkisë së re! Kjo është shkelje! Nëse po bëhet sipas planit Basha, përsëri është shkelje pasi ai plan nuk e përmban këtë ndërhyrje, aq më keq nëse bëhet bazuar në planin Basha pasi qeveria e shfuqizoi që në 2013 sa erdhi në pushtet. Dhënia lejeve me këtë plan është pastaj skandal, pasi vetë e ke shfuqizuar, dhe vete e fut në fuqi për leje pallatesh. Do ishte turp! Abuzim! E pamoralshme! Ndërkohë ndërhyrja aktuale në shesh kishte shumë pak kohë që ishte realizuar dhe nga pikëpamja eficencës investimit është abuzim të ndërhysh. Sidomos që kemi probleme të tjera të mëdha si trafiku, mbetjet, rrugët, ndotja, etj. Projekti s’ka konsultime reale me publikun, veç rretheve të mbyllura partiake. Nuk ka as projekt të detajuar as buxhet. Projekti me shumë gjasa e përkeqëson qarkullimin e transportit në Tiranë dhe jo vetëm gjatë punimeve por sidomos më pas. S’ka as garë as transparencë. Bashkia s’ka ide të vetat dhe bëhet zbatuese e bindur e projekteve të qeverisë” theksoi Aliaj. / S. Baleta
Ndryshimet në 100 vite të sheshit Skënderbej nga koha kur mori emërtimin pas vitit 1912
Pas vitit 1912, pleqësia e burrave të Tiranës kishte vendosur dy emërtime mjaft domethënëse për historinë e Shqipërisë që sapo kish dalë nga sundimi otoman: Ato ishin sheshi “Skënderbej ” dhe rruga që njihej me emrin rruga e “Sahatit ” të cilën e pagëzuan pas pavarësisë me emrin rruga ” 28 nëntori “.
Më 1920 u hodhën bazat e spostimit dhe zmadhimit periodik të qendrës modeste ” Skënderbej “. Pas vitit 1920, ndërmerren në Tiranë një varg punimesh modeste por të rëndësishme për kohën si zgjerim dhe sistemim rrugësh dhe sheshesh etj. Kthimi i Tiranës më 1925 -ën në Kryeqytet të përhershëm, i dha hov shumë punimeve urbane shtetërore dhe private. Edhe sheshi i vogël “Skënderbej” spostohet dhe konfigurohet gradualisht nëpërmjet projektesh të ndryshme siç janë ato austriake të 1914 dhe 1918, plani rregullues i ing.Eshref Frashërit më 1923, për të mbërritur në planin rregullues të 1929 të projektuar nga arkitekti italian Françesko Brasini si dhe kompleksi i madh urban i përbërë nga Bulevardi Zogu i I-rë, kompleksi i Ministrive , nga sheshi dhe lulishtja me autor italianin Florestano De Fausti ( sot zona historike e Tiranës ). Në vitin 1951 tek lulishtja vendoset monumenti i Stalinit e ndërsa në vitin 1968 monumenti hiqet nga lulishtja për t’u rivendosur tek parku Rinia. Në vitin 1969 vendoset tek lulishtja monumenti i Skënderbeut. Në vitin 1998 kësaj lulishte i jepet emër “Këshilli i Europës” , për anëtarësimin e strukturave përfaqësuese të pushtetit tonë vendor në organizmat vendore të Këshillit të Evropës.