Gugash Magani jep dorëheqje nga detyra e trajnerit të Flamurtarit. Pas humbjes 4-0 ndaj Partizanit, tekniku peqinas u ka paraqitur drejtuesve të klubit vlonjat kërkesën për t’u larguar nga stoli i ekipit.
Magani la stolin dhe u fut në dhomat e zhveshjes katër minuta para se gjyqtari të fishkëllente për herë të fundit, ndërsa gjatë gjithë pjesës së dytë ka qëndruar i ulur duke mos i dhënë asnjë udhëzim ekipit.
Gjithashtu 51-vjeçari nuk doli as para mediave për prononcimin e zakonshëm pas ndeshjes. Ky ka qenë një vendim personal i teknikut, ndryshe nga tri javë më parë kur klubi vlonjat nuk e lejoi në shenjë proteste për mungesën e transmetimit televiziv të ndeshjes me Teutën.
“Panorama Sport” mëson se pas takimit të sotëm Magani ka qëndruar rreth 20-25 minuta në dhomën e zhveshjes, ku u ka kërkuar drejtuesve dorëheqjen pasi i ka folur me tone të ashpra skuadrës. Më pas ai është larguar me automjetin e tij personal dhe jo me autobusin e ekipit.