Një ditë pas përmbytjeve që përshinë qytetin e Lezhës dhe zonat përreth situata është përmirësuar.
Uji është larguar nga të gjitha rrugët dhe lagjet e qytetit, por duke lënë shumë baltë dhe inerte. Për të pastruar zonat e përmbytura nga mbeturina dhe balta Bashkia ka angazhuar punonjësit e shërbimeve publike si dhe forcat zjarrfikëse.
Këta të fundit kanë ndërhyre duke larë rrugët, ndërsa vëmendje më e madhe është përqendruar tek oborret e shkollave të cilat një ditë më parë u përmbyten.
Shefi i Zjarrfikësve të Lezhës Agustin Pepkolaj tha se në të njëjtën kohe po punohet me motopompa për largimin e ujit nga bodrumet e pallateve, të cilët janë përmbytur, duke sjellë edhe mungesë të energjisë elektrike për banoret.
Lezhë: Po ndërhyjmë tek shkolla “Kosova” për të pastruar mbeturinat që kanë mbetur. Sasia e madhe e ujërave, nuk e bën të mundur që të pastrohet uji shumë shpejt. Por, ne po punojmë.
Vërshimi i ujërave malor një ditë më parë ka dëmtuar edhe disa akse rrugore në Njësinë Administrative të Kolshit por edhe në qytetin e Lezhës, ndërsa është bërë e ditur se shumë shpejt do të ndërhyhet për kthimin në normalitet të tyre.