Trepça nuk është veç Trepçë

0
290

Brikenda Rexhepi

Po bëhen 28 vjet prej 28 shkurtit të ‘89-s. Atë ditë në shtëpi e patëm pasur mysafirë një ekip gazetarësh nga Sllovenia. Posa prindërit e mi e kishin përfunduar punën në Radio-Prishtinë, ku edicioni qendror i lajmeve niste në orën 19, ishin takuar me kolegët sllovenë dhe patën ardhur në shtëpi për t’i përcjellë lajmet qendrore në Televizionin e Prishtinës që nisnin në 19:30. Askush nuk rrinte ulur. Veç sa nuk hynim në televizor. Ishte dita kur minatorëve iu konfirmua se Rrahman Morina, Ali Shukriu e Hysamedin Azemi kishin dhënë dorëheqje nga postet e tyre politike. Ishte dita e tetë e grevës që i mbajti ata mbyllur në horizontet e minierave të Stantërgut, Kishnicës, Novobërdës, Hajvalisë, Goleshit e Babushit. Mbi 1300 minatorë që dinin se çka donin; që nuk bënin kompromis; që me shëndet paguanin për dinjitetin e shqiptarëve të Kosovës dhe që jetën ishin të vendosur ta jepnin për të.

Tre të dorëhequrit përfaqësonin të kundërtën. Ishte koha kur pozicionimet qartësoheshin dhe e ardhmja merrte kah, jo veç në Kosovë, por në tërë ish-Jugosllavinë. Minatorët e Kosovës, për dallim prej politikanëve, patrembur dhe drejtpërdrejt u rreshtuan në një vijë me përcaktimet e reja politike prodemokratike të Sllovenisë e Kroacisë. U bënë nismëtarët dhe forca shtytëse e lëvizjeve që brenda një dekade ua hoqën Serbinë qafe të gjitha ish-republikave jugosllave. Disave më herët e disave më vonë, disa pësuan më shumë e disa më pak, por lëvizja nuk u ndal dhe përfundoi aty ku nisi.

Gazetarët sllovenë ishin posaçërisht të interesuar të mbulonin grevën e minatorëve, e cila pasoi marshimet e tyre dhe të dhjetëra mijëra qytetarëve drejt Prishtinës në kundërshtim të ndryshimeve kushtetuese. Sllovenia dhe Kroacia u patën pozicionuar fort krah minatorëve, madje populli slloven pati mbledhur 250 mijë nënshkrime në përkrahje të tyre. Serbia u pati kërkuar që t’i shikonin punët e veta. Mediat sllovene nuk ishin fort të mirëseardhura dhe u larguan me përfundimin e grevës. Gazetarët shqiptarë duhej të ishin të kujdesshëm, kurse disa redaktorë u suspenduan pasi që e kishin “aktualizuar” grevën. Pas saj masa u morën edhe kundër minatorëve, shumë nga ta mbajtën burg. U arrestuan edhe udhëheqësit shqiptarë të Trepçës dhe emra të tjerë që paraqisnin rrezik për ndryshimet që Beogradi i synonte në Kosovë. Për këtë temë, me më shumë hollësi dhe emocion, e pata shkruar njërin nga hartimet në klasën e shtatë, ngase dimri as pranvera nuk përbënin frymëzim. Trepça sot është aktualizuar sërish. Implikimet sërish janë politike dhe ato sërish lidhen me vizionin e ’98-s të minatorëve të saj. Kosova e pasluftës nuk ia ka arritur që atë vizion ta zhvillojë deri në fund. Kuvendi ka miratuar Ligjin që i transformon tri njësitë thelbësore të saj (minierat me flotacion në Stantërg, minierat me flotacion në Kishnicë e Artanë dhe minierat me flotacion në Leposaviq) në shoqëri aksionare në pronësi të Qeverisë së Kosovës dhe të punëtorëve të Trepçës. Por, edhe nëse ato nuk shkojnë në likuidim më 2 nëntor (pas bllokadës që i ka bërë Lista Serbe duke e çuar në Kushtetuese) dhe nëse Ligji hyn në fuqi, Kosova pronare e minierës në Leposaviq do të bëhet veç në letër. Ngjashëm siç veç në letër e ka sovranitetin në veri. Ndikimi i Beogradit, i cili ka rikthyer në pushtet njerëzit me idetë e ’90-ave, është më i madh tani se pas luftës kur Kosova ngjashëm si edhe ish-republikat jugosllave pati hequr qafe Serbinë. Dhe kështu është për shkak se njerëzit që kanë udhëhequr Kosovën nuk e kanë ditur çka duan; kanë bërë kompromis; nuk kanë dhënë gjë për dinjitetin e qytetarëve të këtij vendi.

Minatorët e përfaqësojnë të kundërtën. Pa dyshim se minierat e Trepçës janë më të pasurat në rajon dhe ndër më të pasurat në Evropë. Por, gjithë ky thesar nuk mund të ruhet nëse nuk dëgjohen porositë që vijnë prej thellësive qindrametërshe nga njerëzit që punojnë atje dhe që tashmë e kanë dëshmuar se janë më të zotët se ata që e bëjnë politikën.

“Shokë, unë e tham me përgjegjësi të plotë, që unë nuk e kam mendjen me dalë prej zgafellës, dhe nëqoftëse vdes, më varrosni në punishte në të cilën punoj qe 23 vjet. Kjo është fjala jeme e fundit”. Këto janë fjalët e njërit nga 1300 minatorët në grevën e 89-s, me të cilat e pati përmbyllur numërimin e nëntë kushteve që i patën parashtruar e që lidheshin me të drejtat dhe dinjitetin e shqiptarëve të Kosovës. Fjalimi i tij dhe i shumë të tjerëve nga thellësitë u patën arkivuar nga Radiotelevizioni i Prishtinës. Ato porosi sot buçasin po aq. Dhe nuk janë veç minatorët e tetëdhjetave dhe nëntëdhjetave që japin mësim.

“Kushtet jon t’shtira, ma t’shtira s’ka. Qe veç sa e kena hidis qëta… jena zhdjerg 67 metra teposhtë. I kem qitë dofar hekrash për shkak t’rrezikut poshtë… a ka kun minator që punon n’qët rrezik, n’qët punë, n’qët gazep për 150 euro? Unë po punoj për t’ardhmen e Kosovës, me ndërtu qët vend, me fillu puna, me u rrit rrogat, me u punsu gjinja…”. Kështu punon për të ardhmen e Kosovës minatori që flet nga një gropë shumë e papërshtatshme dhe e rrezikshme, në një nga dokumentarët e mëhershëm për Trepçën që mund të gjendet në internet. Trepçën nuk e bëjnë vetëm xehet. E bëjnë më shumë vizioni dhe puna e minatorëve që politikanëve u mungojnë/ koha.net

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here