Ka zgjedhur të bëjë publike problemet e tij duke tentuar të hidhet nga lartësia e një vinçi tek stadiumi “Qemal Stafa”, jashtë pjesës së rrethuar ku edhe po kryhen punime.
Personi është identifikuar si Erjon Selimaj dhe ka më shumë se dy orë që qendron sipër vinçit, fillimisht është ulur e më pas ka nisur të ecë, për tu shtrirë e për tu mbajtur vetëm me një dorë, veprime që terrorizojnë çdo person që e sheh. Nga sa duket në pamjet e transmetuara live në News 24 dhe BalkanWeb, Erjoni 24-vjeçar mban veshur një palë pantallona xhins dhe një kanotjere në ngjyrë gri. Ai ka deklaruar të jetë jetim dhe kërkon të ndihmohet. “Jam jetim, shteti më ka hedhur në rrugë. Dua ndihmë nga shteti”.
Erjon Selimaj komunikoi së fundi me të njohurin e tij, Artan Xhama, i cili ka tentuar ta bindë për të zbritur nga vinçi. Sipas Artan Xhamas, Erjoni kishte paralajmëruar një ditë më parë se do të hidhej nga vinçi, por të gjithë kishin menduar se po bënte shaka. Ndërkohë i riu ka lëvizur përgjatë hekurave, duke u ulur sërish në mes të vinçit.
Pas kësaj ai kontaktuar në rrjetet sociale me gazetarin e “News24”, Enrik Mehmeti, ku i shkruante se po kërkonte një sasi tritoli për të hedhur veten në erë. Në mesazhin tronditës, i riu thotë se do të bëhet terrorist që të vrasë deputetë e pushtetarët që nuk ndihmojnë jetimët.
“Jam një djalë jetim që e quajnë Erjon Selimaj do të vrasë një pushtetar për arsye se nuk i japin strehim. dhe një ditë do vij kam qeft ë bëhem terrorist të vras deputet e pushtetarë që nuk ndihmojnë jetimët. Mendoj të jap jetën time që të vihet drejtësia për të pastrehët për të braktisurit për jetimët. dhe unë dola me qëllim në TV që kur të bëj masakrën të njihem si Erjoni jetim që kërkonte strehë dhe shteti nuk ja jepte. dhe dita ditës po mendoj se si të realizoj këtë plan që kam.
Po mendoj ku të gjej një sasi tritoli dhe të hidhem në erë dhe jo vetëm në qoftë se shteti nuk më ndihmon unë do bëhem terrorist.”- shkruante Erjon Selimaj.
Jetimi është ngjitur prej rreth orësh në një vinç që po përdoret për ndërtimin e stadiumit ‘Qemal Stafa’ në kryeqytet, duke kërcenuar se se do të vetëvriotet, nese autoritetet nuk i sigurojnë një strehë.