Një nga blerjet e bujshme të skuadrës së Kukësit gjatë merkatos së verës, Polizoi Arbri, ka zgjidhur dje me mirëkuptim kontratën e tij me klubin verilindor. Shkak është bërë dëmtimi që ka lënë mbrojtësin e krahut jashtë fushave të blerta.
Arbri nuk e ka kryer ende ndërhyrjen kirurgjikale në ligamentin kroçial, të cilin e ka këputur. Operacioni do të kryhet në datën 24 tetor, ndërkohë që shkak për prishjen e parakohshme të kontratës mes tij dhe klubit ka qenë një klauzolë në të cilën përcaktohej se lojtari do të paguhej pjesërisht në rast të një dëmtimi apo mungese për një kohë të gjatë. Një gjë e tillë nuk është pranuar nga futbollisti, i cili ka kërkuar dokumentacionin dhe klubi nuk e ka penguar në një zgjedhje të tillë. Situata të tilla ka pasur edhe më parë te skuadra e Kukësit me lojtarë si Erik Flores dhe Felipe Moreira, raste të cilat klubi i Kukësit i ka zgjidhur në mënyra të përafërta.