Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u prit në takim nga drejtuesit e kompanisë “Power Construction Corporation of China”. Me ftesë të Presidentit të korporatës “Power Construction Corporation of China”, z. Yan Zhiyong, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë vizitoi zyrat qendrore të saj dhe pati një bashkëbisedim me drejtuesit e kompanisë.
Gjatë prezantimit të aktivitetit të kompanisë, Yan Zhiyong shprehu interesin për vazhdimin e investimeve në Shqipëri. Ai nënvizoi se “Power Contruction” është e gatshme të vlerësojë projekte të tjera me interes të përbashkët në Shqipëri. “Përveç by-pass-it të Beratit, ne po angazhohemi për ndërtimin e rrugës Thumanë-Vorë-Rrogozhinë”,- tha Zhiyomg.
Gjatë bashkëbisedimit, Kryetari i Kuvendit kërkoi nga korporata kineze që të shihet me shumë interes edhe ndërtimi i hekurudhës që lidh Shqipërinë me Maqedoninë, projekt me interes edhe në kuadër të Korridorit të 8-të. Më tej, z. Meta u njoh me synimet e kësaj kompanie për të investuar në Shqipëri ku u shpreh se Kina ka qenë për dy dekada në Shqipëri kur janë bërë investimet më të mëdha në sistemin hidroenergjetik dhe u krijua një elitë e tërë drejtuese dhe të inxhiniereve që mund të shërbejë për bashkëpunimet e mëtejshme ndërmjet dy vendeve. “Ne mirëpresim edhe investime jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në bujqësi, turizëm, ku mundësitë janë të mëdha”,- theksoi ndër të tjera z. Meta.
Ndërsa Ministri i Bujqësisë z. Edmond Panariti kërkoi mbështetjen nga pala Kineze për ndërtimin e kanaleve kulluese në kuadër të projektit të menaxhimit të ujërave si shfrytëzimin e mundësive alternative të energjisë si ajo e diellit dhe e erës, si një mundësi e pa shfrytëzuar dhe fitimprurës për palën Kineze. Pas këtyre diskutimeve, përfaqësuesit e kompanisë “Power Construction Corporation” vendosën të dërgojnë një grup pune në Shqipëri për të vlerësuar në terren propozimet e bëra nga ana e delegacionit shqiptar. “Power Construction Corporation” është një nga korporatat më të mëdha kineze me prezencë në të gjithë botën, që zotëron një kapital shtetërore dhe privat.