Mburremi me PBB-në. Por rritja nuk po ndikon në përmirësimin e jetesës së shqiptarëve

0
215

deflacion-2

– Qeveria Rama po mbahet vetëm me investimet e ndërmarra në vitet e Ekzekutivit të mëparshëm. E aftë për t’u marrë vetëm me fasada…

 Ervin Kaduku

Nuk po le radhë ministri i Financave Arben Ahmetaj pa përmendur se rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të vitit do të kapë 3.4-3.6 për qind. Kjo raportohet si sukses, por në vetvete nuk mund të jetë automatikisht i tillë. Së pari, se rritja nuk po ndikon aspak në një jetesë më të mirë të shqiptarëve, duke u nisur nga shifrat e konsumit, sidomos të blerjes së banesave. Dhe, së dyti, fjala është për investime që po sjellin rritje, për të cilat “autorësinë” e ka qeveria e mëparshme dhe Rama nuk ka bërë as më të voglën përpjekje për t’i shtuar. Ndërkohë, pas këtyre pseudosukseseve fshihet një amulli totale e sektorit privat, ndërsa bankat e kanë gjithnjë e më të vështirë të japin kredi.

 Konsumi 

INSTAT ka raportuar së fundi se Prodhimi i Brendshëm Bruto u përshpejtua në 3.21% për periudhën prill-qershor, ndërsa dhe konsumi zyrtarisht ishte në nivelet më të larta që nga fundi i 2015-s. Për gjashtëmujorin e parë, rritja është 3.13%, nga 2.67% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Përtej këtyre shifrave optimiste, treguesit e tjerë mbështetës dëshmojnë se kjo rritje ka të ngjarë të mos jetë shumë e qëndrueshme. Brenda vetë strukturës së Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndikimin kryesor në rritje e kanë dhënë dy elemente, “tregtia, akomodimi, shërbimi ushqimor”, që ka ndikuar në 0.7% të rritjes dhe “taksat neto”. Elementi i gjallërimit të tregtisë, më shumë sesa një rritje të konsumit, reflekton efektin e formalizimit, që u shoqërua nga deklarime më të larta të xhiros kryesisht nga njësitë tregtare të paspecializuara. Realisht ky sektor është në krizë për shkak të riformatimit të ekonomisë drejt njësive të specializuara (rrjetit të supermarketeve që sa po vjen e zgjerohet).

Të dhënat e rritjes së konsumit sërish nuk shkojnë në linjë me indikatorë të tjerë. Një tjetër tregues, ai i rritjes së ofertës së parasë në ekonomi, po shënon ngadalësim të ndjeshëm, duke pasur një lidhje të zhdrejtë me konsumin, kur praktikisht duhet të ishte e kundërta (kur njerëzit konsumojnë më shumë duhet të shtohet dhe paraja që qarkullon në ekonomi). Në korrik, paraja që qarkullon në ekonomi (oferta e parasë) ka shënuar rritjen më të ulët vjetore të paktën që nga viti 2002, kur raporton të dhënat Banka e Shqipërisë. Sipas teorive makroekonomike standarde, një rritje në ofertën e parasë duhet të ulë normat e interesit në ekonomi, duke çuar në më shumë konsum dhe huadhënie, ndërsa është e vërtetë dhe e anasjella (një ngadalësim i ofertës së parasë ndikon negativisht në konsum dhe huadhënie). E dhëna më kokëfortë, se rritja e PBB-së nuk po shoqërohet me një përmirësim real të aktivitetit ekonomik është përkeqësimi i treguesit të kredisë me probleme, që arriti në fund të gushtit në 21.4%, pas rënies së fortë në rreth 18% në fund të vitit të kaluar. Rezulton se është pikërisht rritja e fortë e kredive nënstandarde (kur këstet e kredisë nuk paguhen për një periudhë nga 91 deri në 180 ditë nga data e caktuar) që ka përkeqësuar treguesin e NPL-ve. Huat nënstandarde janë kategoria e parë kur një kredi fillon e konsiderohet problematike. Kjo kategori është rritur me 68% në korrik, në raport me dhjetorin 2015, apo rreth 120 milionë euro më shumë.

Të tjerë tregues mbështesin ekonominë e ndrydhur si rënia e eksporteve me gati 7% me bazë vjetore për periudhën janar-korrik 2016; performanca e dobët e depozitave (rritja e tyre në gusht erdhi kryesisht nga faktorë sezonalë, që lidhet me remitancat, ndërsa kursimet në lekë po vijojnë rënien e ndjeshme); ngadalësimi i rritjes së të ardhurave nga tatimet e doganat, nga rritje dyshifrore në muajt e parë në më pak se 10% për 7-mujorin, teksa në korrik të hyrat nga TVSH (një tregues direkt i qarkullimit të mallrave në ekonomi), ranë me 0.5%. Sipas Bankës së Shqiprisë, Treguesi i Besimit Konsumator (TBK) ra me 0.5 pikë përqindje në tremujorin e tretë të vitit, pas përmirësimit të lehtë një tremujor më parë. Ecuria e TBK-së mbetet e luhatshme dhe treguesi qëndron rreth 1.8 pikë përqindje poshtë mesatares historike të tij. Balancat të cilat kontribuuan në kahun rënës për vlerën e TBK-së lidhen me pyetjet për situatën e të ardhurave dhe shpenzimeve (balanca ra me 2.8 pikë përqindje) dhe për blerjet e mëdha (balanca ra me 1.3 pikë përqindje). Ndërkohë, dy balancat e tjera formuese të TBK-së, situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend dhe situata financiare e pritur e familjes, shënuan rritje të lehta me përkatësisht 1.3 dhe 0.9 pikë përqindje. Balanca të tjera nga vrojtimi i besimit të konsumatorit si blerjet e mëdha në të ardhmen, situata aktuale dhe e pritur e kursimeve shënuan rënie krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Banesat

Kërkesa e individëve për të blerë shtëpi u ul dukshëm në tremujorin e tretë të vitit 2016, pas një rritje dyshifrore në tremujorin e dytë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë shihet se ritmet e kërkesës për të blerë një banesë me hua u ulën me 2.1%, një vit më parë ku tregues ishte 11.4%. Banka pohon se preferenca e individëve është zhvendosur dukshëm në kredinë konsumatore. Në tremujorin e tretë, interesi për të marrë këtë lloj huaje ka shënuar rritje me 36%, nga 27% që ishte në tremujorin e dytë dhe nga 26% që ishte në tremujorin  parë. Banka e Shqipërisë, në vrojtimin e konsumatorëve, vërejti se balanca e konsumatorëve për blerje të mëdha shënoi rënien më të madhe që nga tremujori i parë i vitit 2015. Balanca e blerjeve të mëdha nga konsumatorët shënoi -62 pikë përqindje, nga 60.9 që ishte në tremujorin e tretë. Nga ana tjetër,  Banka e Shqipërisë në raportin e Stabilitetit Financiar për 6-mujorin e parë të 2016 bëri të ditur se 35% e familjeve huamarrëse e kanë marrë kredinë për konsum. Banka intervistoi një kampionin rastësor prej 1,209 familjesh, ku rreth 54% u përkasin zonave urbane dhe 44% zonave rurale. Portofoli i kredisë për banesa ka shfaqur rritje mujore të qëndrueshme dhe norma vjetore e rritjes së tij ka shënuar nivelin 2.5%. Ecuria pozitive e këtij portofoli është ndihmuar nga promocionet e shumta të bankave në mbështetje të financimit të individëve për blerje banese. Në tremujorin e dytë, indeksi i çmimit të banesave u rrit me 5.2%, pas rritjes me 11.3% një tremujor më parë. indeksi i qirasë së banesave vijon të jetë me rënie edhe në tremujorin e tretë për të pestin tremujor radhazi.

Investimet

Agjencia qeveritare Aida ka raportuar shifra entuziaste lidhur me investimet e huaja, duke iu referuar një një raporti të fundit të drejtorisë ekonomike të Komisionit Europian që konstaton një rritje të investimeve të huaja direkte në Shqipëri në masën 22.4%. Do të kishte vend për optimizëm nëse një shifër e tillë do të pasqyronte etjen e sektorëve të ekonomisë për investime të huaja, por, siç dëshmon edhe vetë raporti, të cilit i referohet qeveria, investimet kryesore që kanë sjellë impakt janë kryer në energjetikë.

Pra, rritja në vlerë e investimeve të huaja lidhet kryesisht me gazsjellësin TAP ose HEC-et që ndërtohen nga projekte të trashëguara dhe të negociuara nga qeveria e shkuar. Që do të thotë se shifrat që serviren që nuk janë tregues, as i aftësisë negociuese të kësaj qeverie dhe as i klimës së favorshme për biznes.   Këtë e vërteton vetë raporti kur thotë se “E vetmja fushë që mbetet shqetësuese është ajo që ka të bëjë me kredidhënien për biznesin nga ana e sektorit bankar, që mbetet në nivele të ulëta”. Çka do të thotë se ekonomia shqiptare nuk ofron garanci për investime dhe, si e tillë, nuk thith dot financime të brendshme. Në dokument përmenden zhvillimet kryesore të tremujorit të fundit në Shqipëri, ku, si më i rëndësishmi, veçohet miratimi i ligjeve të reformës në drejtësi, që, sipas Brukselit zyrtar, do të sjellë një përmirësim të përgjithshëm të klimës ekonomike.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here