Në fakultete vijon regjistrimi i maturantëve që shpallen fitues në fazat dyditore pas zhvendosjes së vizës për shkak të kuotave që lirohen, por sërish ka ende shumë vende bosh. “Përveç universiteteve private nuk rezultoja fitues në ato shtetërore. Prita për fazën tjetër, fazën e parë, ku rezultova fitues në Administrim Biznesi dhe Informatikë, që nuk më pëlqenin. Kështu që prita për degën e preferuar, Financa. Fitova, bashkë me degë të tjera si Informatikë Ekonomike dhe Inxhinieri Elektrike”, tregon Jurgen Proko. “Nuk fitova asnjë degë, as raundin e dytë. Raundin e tretë më doli Inxhinieri Mekanike në Tiranë, prita edhe disa ditë dhe fitova Administrim Biznesi. Në universitete private as që tentova”, thotë Artenis Makaj. Numri i maturantëve fitues që regjistrohen është ende i ulët. Në Fakultetin Ekonomik ka 600 vende bosh, ndërkohë që kuotat e pranimit janë 1.150. Por sipas zv. dekanit Ervin Demo, kjo ndodh pasi ende maturantët që regjistrohen në këtë fakultet janë me mesatare mbi 9 dhe që kanë fituar në disa degë. “E vetmja arsye pse kemi një numër kuotash të larta që janë ende bosh në fakultet është sepse studentët që kanë preferuar Ekonomikun janë më të mirët që dalin nga matura shtetërore dhe në momentin që viza ulet, ata dalin menjëherë fitues në disa degë. Deri në momentin që ai zgjedh një nga këto alternativa, teorikisht bllokohen dy alternativat e tjera”, sqaron Demo. Sipas Demos, maturantët duhet vetëm të tregohen të vëmendshëm në portalin “U Albania”, për të parë mundësitë që u ofrohen me zhvendosjen e vizës çdo ditë. Regjistrimi i maturantëve do të vijojë derisa të gjitha kuotat në universitete të plotësohen. Procesi tani vijon në faza dyditore për t’i dhënë mundësi maturantit të regjistrohet. Nëse një maturant është shpallur fitues dhe brenda dy ditëve nuk është regjistruar, ditën e tretë ai e humb këtë mundësi pasi konsiderohet kuotë bosh për maturantin pasardhës.