Presidenti dekreton ligjin e SPAK, zvarritja e organeve të drejtësisë shtyn luftën ndaj korrupsionit

0
152

Presidenti Bujar Nishani i ka hapur dje rrugë luftës ndaj korrupsionit. Kreu i shtetit ka dekretuar ligjin për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion, i cili 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare hyn në fuqi. Ky është cilësuar si ndër ligjet më të rëndësishme të reformës në drejtësi, pasi përmes tij do të përfundojnë pas hekurave jo vetëm gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, por edhe politikanë dhe zyrtarë të niveleve të larta. Ligji në fjalë u miratua me konsensus nga PD dhe PS e, për këtë arsye, Presidenti nuk ka shpenzuar shumë kohë me të. Ajo që ra në sy është fakti se për 4 ligjet e tjera ai nuk është shprehur ende. Megjithatë, pavarësisht se Nishani dekretoi ligjin, lufta ndaj korrupsionit po zvarritet nga vetë politika shqiptare. Ligji i SPAK është i lidhur me ligjin për organet e reja në sistemin e drejtësisë. Ky ligj nuk është miratuar ende, ndërsa është shtyrë dy herë në seancat plenare. Zvarritja e tij do të thotë zvarritje dhe të luftës ndaj korrupsionit. Por si ndikon ky ligj në funksionimin e SPAK? Ligji për organet e drejtësisë përcakton ngritjen e institucioneve të reja, si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Institucioni kryesor që duhet të ngrihet i pari është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili më pas bën emërimet në institucionet e reja apo gjykata e prokurori. Prokurorët e SPAK do emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Për sa kohë ky institucion mungon, atëherë edhe SPAK nuk mund të ketë staf. Ligji pritet që të miratohet këtë javë, por edhe nëse ndodh kjo do të duhet rreth një muaj derisa ai të dekretohet dhe të hyjë në fuqi. Ndërkohë në nenin 179, pika 8 e Kushtetutës, përcaktohet që prokurorët pranë Prokurorisë së Posaçme do emërohen dy muaj pas krijimit të Këshillit të Prokurorisë. Sipas parashikimeve ligjore, KLP pritet që të ngrihet nga mesi i dhjetorit, nëse të gjithë zbatojnë me përpikmëri procedurat, ose maksimumi fillimi i janarit 2017. Kjo do të thotë se Prokuroria Speciale të jetë gati nga fundi i shkurtit 2017. Kjo do të jetë dhe periudha që do nisë puna për arrestimet VIP. Sipas përcaktimeve në Kushtetutë, në momentin që krijohet ky organ, të gjitha dosjet që ka Prokuroria e Krimeve të Rënda do kalojnë aty.

Si do pastrohet gjyqësori

Në ligjin për SPAK janë përcaktuar procedurat për luftën ndaj korrupsionit. Së pari të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, që do jenë pjesë e SPAK, do kalojnë në një kontroll të rreptë. Aktualisht, ata që janë pjesë e Krimeve të Rënda, nëse pranojnë kushtet dhe kalojnë vetingun, bëhen direkt pjesë e SPAK. Por kushdo që do futet aty, nuk do ketë më privatësi. Çdo llogari bankare do gjurmohet, telefonatat dhe komunikimet elektronike do përgjohen, si të gjyqtarit apo prokurorit ashtu edhe familjarëve të tyre. Por pasi të ngrihet SPAK, i cili mund të ketë rreth 10 prokurorë, do nisë grumbullimi i dosjeve. Çdo zyrtar, gjyqtar, politikan a prokuror që është në proces hetimi, do kalojë aty. Aktualisht te Krimet e Rënda dhe te Prokuroria e Përgjithshme janë dosjet e shumë zyrtarëve, përfshirë ish-ministra, deputetë dhe zyrtarë. Teksa Adriatik Llalla deri më tani nuk ka bërë asnjë lëvizje për ta, duket se do jetë SPAK që do vendosë nëse ata do përballen apo jo me drejtësinë. Janë rreth 30 vepra penale në juridiksionin e SPAK. Nga ana tjetër në ligj është përcaktuar që politikanëve do u sekuestrohet pasuria. Me procesin e vetingut të gjithë po kalojnë në sitë dhe po identifikohet çdo pronë që kanë. Kush nuk e justifikon atë, përballet me drejtësinë dhe i konfiskohet. Pra, nga shkurti e në vazhdim pritet që të nisë një luftë e ashpër ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here