Hafizi-Ramës: Dija është “përsheshi” im, ti gjete sheshin për të mbjellë kanabis

0
207

Ashtu siç deklaroi dje, deputetja Mimoza Hafizi zgjodhi foltoren e Kuvendit për t’i kthyer përgjigje kryeministrit i cili pak ditë më parë nga studio e emisionit “Studio e Hapur” e Eni Vasilit u shpreh se ajo “hante përshesh në partinë e Blushit”. Duke treguar dashurinë për librat e natyrën e shkencën, deputetja u shpreh se përsheshi i saj është dija, ndërsa nuk nguroi të akuzojë Ramën për mbushjen e vendit me hashash, siç tha ajo. “Unë shkruaj libra për atomet dhe shkencën, libra që iu hapin mendjen. Ju nuk e doni dijen, Shqipëria po rend në rrugën e frikshme të kanabisit. Dija ose përsheshi im dhe kanabisi që ka gjetur shesh për përshesh nën qeverisjen tënde e kanë diçka të përbashkët, ngritjen në qiell. Dija është e sigurt, me të nuk rrëzohesh asnjëherë, kurse kanabisi i trullos, krijon iluzione kalimtare dhe i përplas në një botë të zymtë pa kthim, atë të krimit”,- tha Hafizi. Duke folur për arsyet që e bënë të ndahej nga PS-ja, Hafizi u shpreh kundër miratimit të ligjit për mbetjet. “Unë zgjidh ekuacione, ju e përbuzni shkencën. Një qeverisje me dashuri për natyrën nuk do lejonte mbetjet, do kishte prioritet ajrin, ujin e tokën. Prandaj u ndamë secili në rrugën e vetë…”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here