Miliarderi Donald Trump mund të mos njohë rezultatin e zgjedhjeve të 8 nëntorit. Ka qenë vetë kandidati republikan që e ka pohuar këtë në debatin e tretë për zgjedhjet presidenciale përballë Hillary Clinton.
“Do t’jua them kur të vijë koha. Do ju mbaj në suspancë”, – i është përgjigjur Trump gazetares së Fox Neës, e cila e pyeti nëse ai do ta pranojë Clinton si Presidente nëse ai do të humbasë.
Trump nuk i dha dorën kandidates demokrate para apo dhe pas debatit, ka ngritur sërish akuzat se zgjedhjet po “manipulohen” nga gazetarë të pandershëm në favor të Clinton dhe se miliona njerëz kanë fituar të drejtën e votës edhe pse nuk duhej të ishin në lista. “Kjo është e tmerrshme” ka qenë reagimi i Clinton ndaj idesë se një kandidat për president vë në pikëpyetje vlefshmërinë e zgjedhjeve.
Debati i tretë dhe i fundit mes kandidatëve presidencialë u fitua swrish nga Clinton. Sipas VOA, dy kandidatët hynë në sallë dhe menjëherë zunë vend pas podiumeve. As familjet e tyre nuk u përshëndetën para fillimit të debatit.
Temat përfshinë gjykatën e lartë, imigracionin dhe ekonominë, dhe politikën e jashtme.
Debati duket se po përqendrohet më shumë tek politikat, megjithëse pati momente të tensionuara, si përshembull kur Clinton i tha zotit Trump se do të ishte “një kukull e Putin”, ndërsa Trump tha se presidenti rus ishte treguar më i zgjuar se ajo.
Clinton thotë se do të emëronte anëtarë të Gjykatës së Lartë, që do të vazhdonin “traditën e madhe”, që të mbronin të drejtat e të gjithë amerikanëve. Ajo i quajti emërimet e presidenciale për gjykatën, një çështje qendrore në zgjedhje sepse tregon se çfarë vendi janë Shtetet e Bashkuara.
Kandidatja demokrate tha se do të emërojë anëtarë gjykate që mbrojnë të drejtat e grave, homoseksualëve dhe gjithë popullit amerikan, jo korporatave dhe te pasurve. Edhe Trump tha se është shumë e rëndësishme që të emërohen anëtarët e duhur në Gjykatën e Lartë. Ai premtoi se do të emërojë anëtarë që nuk pranojnë abortin dhe që interpretojnë Kushtetutën amerikane, ashtu siç e kishin interpretuar themeluesit e vendit.
Megjithëse dy kandidatët thonë se e mbështesin Amendamentin e Dytë, që mbron të drejtën e armëmbajtjes, Clinton tha se duhet të ketë më shume rregulla, ndërsa Trump tha se e drejta për armëmbajtje është nën sulm.
Clinton premtoi se do ta mbrojë abortin e legalizuar, ndërsa Trump nuk pranoi të thoshte direkt nëse mendon se vendimin për legalizimin e abortit duhet përmbysur. Trump tha se Clinton do që të shpallë amnisti për imigrantët e paligjshëm. Ai gjithashtu akuzoi Clinton se do që të hapë kufirin. Ai tha se nëse bëhet president ai do të garantojë që “burrat e këqij”, duke përdorur fjalën spanjisht për burrat, të deportohen sa më shpejt.
Clinton tha se ajo është më e zonja për sigurinë e kufirit, por se ajo është kundër planeve të Trump. Ajo tha se planet e tij për të dëbuar mijëra banorë pa dokumenta, do të ndanin familjet. Përsa i takon ekonomisë, Clinton tha se plani i saj ekonomik do të krijojë shumë mundësi për amerikanët e klasës së mesme.
Ajo tha se plani i saj do të hapë 10 milionë vende të reja pune dhe se do t’i gjejë fondet duke i detyruar të pasurit dhe korporatat që të paguajnë përqindjen e duhur të taksave. Trump e quajti planin e zonjës Clinton për taksat, katastrofik dhe që sipas tij do të sjellë si rezultat rritje masive taksash. Ai premtoi se do të rinegociojë Marrëveshjen për Tregtinë e Lirë, NAFTA.
Kandidati republikan i hodhi poshtë përsëri akuzat se kishte ngacmuar disa gra. Ai tha se nuk “i kishte kërkuar falje as gruas së tij”, pasi siç tha ai, nuk kishte bërë asgjë. Ky pohim bie ndesh me një intervistë të bashkëshortes së tij Melania, ku ajo thotë se ai kishte kërkuar ndjesë.
Clinton akuzoi Trump se kishte vënë në shënjestër “dinjitetin dhe vetëbesimin” e grave dhe se të gjitha gratë e kuptojnë se çfarë ndjesie shkakton një gjë e tillë. Nga ana e tij Trump e akuzoi Clinton se nuk ishte një përkrahëse e vërtetë e të drejtave të grave.
Përsa i takon politikës së jashtme, Hillary Clinton tha se nuk do të dërgonte trupa tokësore në Irak, pasi Shteti Islamik të mposhtet në Mosul. Ajo tha gjithashtu se Syria do të mbetet një vatër terrorizmi përsa kohë të vazhdojë lufta civile, duke shtuar se do të këmbëngulë për një hapësirë të sigurt ajrore dhe zona të sigurta për të mbrojtur civilët.
Clinton tha se kjo do t’i jepte një avantazh Shteteve të Bashkuara me rusët dhe sirianët për të arritur një marrëveshje. Trump tha se Mosuli ra në kontrollin e Shtetit Islamik për faj të administratës së Obames, përfshirë Clinton si Sekretare e Shtetit.
Ai tha se Irani duhet të falenderojë Shtetet e Bashkuara se, duke thënë se Irani “po merr nën kontroll” Irakun. Ai tha gjithashtu se Presidenti sirian, Bashar al-Assad është më i fortë se zoti Obama dhe se vendimet e këqija që të Shteteve të Bashkuara, janë pjesërisht përgjegjëse për katastrofën humanitare në Siri.
Debati u mbyll siç filloi: pa shtrëngim duarsh të kandidatëve. Ai i quajti shumë nga refugjatët që po ikin nga Siria, mbështetës të Shtetit Islamik, ndërsa Clinton tha se nuk do t’ia mbyllte kurrë portën grave dhe fëmijëve.