Në rast se Trump nuk do t’a njohë rezultatin e zgjedhjeve, ai do të jetë automatikisht kandidati i parë në historinë 240 vjeçare të Shteteve të Bashkuara që do ta bëjë diçka të tillë. Por çfarë do të ndodhë nëse miliarderi do t’i qëndrojë besnik deklaratës së bërë gjatë debatit të tretë presidencial.
Në fakt, në konstitucionalizmin amerikan nuk ka një dispozitë të shkruar për mos-njohjen e zgjedhjeve. Megjithatë, një kandidati i njihet e drejta për të ankimuar ose kontestuar rezultuatin zgjedhor për raste të caktuara, nëse se ai pretendon që në proces ka patur parregullsi ose shkelje.
Diçka e tillë ka ndodhur për herë të fundit në vitin 2000, kur demokrati Al Gore nuk pranoi rezultatin për Floridan, në garën përballë rivalit të tij George Bush. Ai kërkoi një rinumërim për shtetin bregdetar, duke e dërguar çështjen në Gjykatën Supreme. Megjithatë, pasi shqyrtuan çështjen, 9 gjykatësit votuan 5 me 4, duke e cilësuar të rregullt procesin e numërimit në Florida.
Pas kësaj, Al Gore vendosi që t’a pranojë rezultatin, teksa në konferencën e mbajtur për mediat, citoi një shprehje të ish-kandidatit presidencial në vitin 1860, Stephen Douglas, i cili kur humbi përballë rivalit republikan Abraham Lincoln: u shpreh se përpara ndjenjës partizane, do të zgjidhte patriotizmin dhe do të pranonte vullnetin e qytetarëve. Pranimi i rezultatit zgjedhor konsiderohet si një vlerë e demokracisë amerikane, ndaj deklarata e Trump është pritur me kritika të ashpra nga një pjesë e madhe e qytetarëve amerikanë, por edhe nga disa prej zyrtarëve më të lartë të të dyja kaheve politike.