Gjigandi At Gjergj Fishta dhe liliputët që sulen kundër tij!

0
377

gjergj_fishta_1932 fishta03

Nga Islam Spahiu *

PREMISË – Duke shfletuar shtypin e ditës, hasa disa artikuj ku trajtohej figura e At Gjergj Fishtës. Këtë nismë e paskan marrë ca enveristë të njohur – sidomos njëri syresh – duke hapur kështu një debat, të thuash publik. Duke e ndjerë veten te pa-parapërgatitur (për arsye subjektive) nuk desha t’i hyj kësaj “valleje”. Mirëpo, tek shihja portretin e Poetit tonë kombëtar, të paraqitur në gazeta si objekt sulmi, m’u ngacmuan kujtimet e fëmijërisë për të cilat Dostojevski ka thënë që, mjafton një nga ato, kur është i shenjtë, e vlen më shumë se edukata e një jete të tërë. Kështu është vërtet, veç para se të parashtroj mendimin tim për këtë çështje, do të desha të tregoj ca prej tyre. Pata dëgjuar fjalimin që mbajti Enver Hoxha nga ballkoni i bashkisë, para sheshit “Skënderbej”; ishte viti 1946, në “kulmin” e “miqësisë” së tij me Titon. Duke dashur të shfaqë gjoja “dashurinë” e popullit tonë për Jugosllavinë e Mareshalit Tito, e deklaroi me zë shumë të lartë: “Ndjenjat e Fishtës nuk janë ato të popullit shqiptar!” Isha në moshën 16 vjeçare, e thashë me vete: Si gënjen pa skrupul ky njeri. E kujtimi më ktheu disa vite mbrapa, kur vazhdoja shkollën fillore në fshatin e lindjes, me mësues tim-atë. Qe koha e mbretit Zog. Në atë shkollë këndoheshin këngë të poezive të Fishtës, e ne të vegjlit rrëqetheshim duke kënduar:

Edhe hana do ta dije,

edhe djelli do t’ket pá

se përqark ksaj rrokullie

si Shqypnija i’ vend nuk ka!

E po në atê kohë, nëpër darsmat e malësorëve këndoheshin këngë trimërie e kreshnike. Nuk isha më shumë se 8 vjeç. Në një rast të tillë hyra te dhoma e burrave e dëgjova dy rapsodë që po këndonin këngën e Oso Kukës. Ata si analfabetë që ishin, nuk e dinin që atë këngë e kish shkruar një frat shkodran. Por ashtu siç ishin, me qeleshet e mbështjellat me shami, e musteqet “vesh e m’vesh” dukeshin vetë legjendarë tue vikatë:

Ke bje dielli e ke merr hana

Oso Kukë nuk ban ma nana

As n’beglerë e as n’kapidana!

– Kur këndohej kënga, “dhoma e miqve” ishte mbushur plot me burra malësorë, të ulur këmbëkryq, të heshtur ndërsa pinin duhan. Atmosfera e dhomës e mbushur me tym të turbullt, të reflektuar nga kandilët apo zjarri i oxhakut, krijonte një fantazmagori: të gjithë tashmë ishin në ekstazë; një solemnitet dehës. Kur e kujtoj këtë skenë shpeshherë mendoj: sa i ulët apo i cekët duhet të jetë ai njeri që edhe sot mendon si Enver Hoxha dikur. E shumë vite më vonë, pasi mbarova Liceun Artistik, (ku për pak më përjashtuan nga shkolla), sepse si adoleshent me temperament sanguin nuk pata kujdes, por, i ekzaltuar, u recitoja shokëve poezitë e Fishtës, ato që sot e kësaj dite i di përmendësh. Pasi m’u anulua bursa për studime jashtë shtetit nisi kalvari: u internova e pastaj u arrestova dhe u dënova për akuzën “agjitacion dhe propagandë” që tashmë ish bërë e zakonshme nën diktaturë (ky nen nuk ka ekzistuar në asnjë vend tjetër të botës komuniste). Një ndër çështjet që ishin radhitur në proçesin gjyqësor, ishte admirimi im për At Gjergj Fishtën. Kur prokurori më pyeti: “Ç’ne ti në këtë moshë, ku ke rënë në kontakt me veprat e atij, për të cilin shoku Enver ka thënë ‘Rroi e vdiq si akademik i fashizmit’?”. E këtu po tregoj pa u mburrur si u përgjigja: “Së pari ai ka qenë anëtar i Akademisë Mbretërore të Italisë e jo i një partie. Unë e kam çmuar si nder këtë edhe për popullin shqiptar, kur kemi parasysh që Italia është një shtet europian. Edhe pas kapitullimit të fashizmit, pra edhe pas luftës, Akademia në fjalë ekziston dhe emri i At Fishtës qëndron aty. Pastaj, përsa i përket se si “rashë në kontakt me veprën e Fishtës” u përgjigja kështu: Kur unë vazhdoja shkollën fillore, ishte koha e regjimit të mbretit Zog I-rë, dhe Fishta në atë kohë ishte shpallur Poet Kombëtar. Në librat e këndimit ishin poezitë e Fishtës të cilat ishin muzikuar dhe ne i këndonim me emocion, si psh:

“Edhe flamuri i Shqypnisë

Si flak mnije e Perëndisë

Do t’valvitet m’Kaçanik

M’Kaçanik po do t’valvitet

Kuqezi flamuri i shqyptarve

Përse toka shqyp ku flitet

Ajo vetë asht, qi prej t’parvet

Trashigim na e kemi pasë:

Mbrend i huej, jo, ma s’do t’shklasë,

Posë atëherë, kur vjen për mik.”

Këto vargje nuk i citova në gjyq se nuk të linin po i kisha ndërmend kur iu përgjigja prokurorit se ç‘ish arsyeja që isha i prirur ndaj vargjeve fishtjane. E mbaj mend mirë përgjigjen që dhashë, fare sinqerisht: Ato poezi më kanë ushqyer atdhedashurinë bashkë me qumështin e nënës. Çuditërisht trupi gjykues heshti dhe nuk bëri asnjë vërejtje për këtë. Nuk e kapa menjëherë këtë, veç më vonë e kuptova se pohimin tim e vlerësuan nga ana teknike. Ishte pranimi i akuzës dhe nuk pengonte procesin.

Besoj rrëfimi i mësipërm mjafton si premisë. Më poshtë po mundohem të ballafaqohem me enveristët e ditëve tona. Nuk besoj ta kem të vështirë sepse kam aleat figurën e një titani; kundërshtarët janë shumë të vegjël.

Në gazetën DITA të datës 14 gusht 2016, lexova me shumë interes artikullin e Hasan Ulqinit me titullin Faiku që nuk njohim. Dhe më vonë, po në këtë gazetë lexova po mbi këtë temë, artikujt që m’u dukën akoma më interesantë, të Fitim Çaushit, e që janë: 1. Faik Konica miti i një matrapazi – 2. Faik Konica, luftë Luftës se Vlorës – 3. Faiku: Zuzarët nga Frashëri! – 4. Konica me Esadin kundër qeverisë së Vlorës – 5. Faiku spektakël lajkash me Zogun. – Pasi i lexova këto analiza mbi këtë personalitet prestigjioz të letrave shqipe, mbeta sa i impresionuar aq i habitur nga këto hollësira që nuk i dija. Nga ana tjetër, më erdhi mirë që u demaskua një figurë të cilën, për arsyet që dihen, lobi grek po përpiqet ta përdorë këto kohët e fundit për të errësuar imazhin e Nolit tonë të madh.

Para ca kohësh kur më ra në dorë libri voluminoz Fan Noli i Nasho Jorgaqit, m’u dha rasti t’i shtrëngoj dorën dhe ta përgëzoj sinqerisht autorin; por pak më vonë, çuditërisht po e shihja që ky në media po e lavdëronte me superlativë Faik Konicën, më parë mik pastaj kundërshtar i Nolit, do të thosha si Niçe me Vagnerin. Prapë m’u dha rasti dhe e pyeta Jorgaqin për këtë gjë. Ai më shpjegoi me këndvështrimin e tij. E quante Faikun gjeni (!!!). –Se si mund të jetë gjeni një që nuk ka asnjë vepër, këtë vetëm ai e di. – Sigurisht këtu kisha të bëja me një  zhgënjim nga ana e ime, dhe m’u kujtua epigrami i njohur i Nolit:

“Dhe Faiku faqe ndërron

Die shante sot lavdëron

Fryn bulçitë e trumbeton

Që katrani zbardhëllon”.

Epo, të tillë janë ata që ndërrojnë fytyrën. Por këtu na vjen rasti më i çuditshëm akoma: Fitim Çaushi paska nisur një fushatë tjetër fatkeqe: kësaj radhe e paska me gjigantin e letrave shqipe, Patër Gjergj Fishtën. Por edhe kjo mund të kishte një kuptim nëse nuk do të ishte absurdi që ky qenka mik i Jorgaqit me të cilin bie në kundërshtim përsa i përket Konicës. Atëherë: si është e mundur? Çdo gjë mund të jetë kjo përveç ndershmërisë. Këtu kemi të bëjmë me liliputë që i kundërvihen një gjiganti. Arsyet janë të shumta, na mjaftojnë këto që po parashtrojmë më poshtë:

Fitim Çaushi, sulmin kundër Fishtës e fillon ndaj një Gurakuqi të rremë për të cilin nuk dua të flas gjersa ky me deklaratat e tij rezulton të jetë një militant i PD, dhe çështjen në fjalë e banalizon me sloganet Edi Rama dhe Blloku i tij i aventurierëve kanabistë. U çudita kur mësova që ky zotëri na qenka profesor universiteti ndërsa jetoka me mentalitetin e një vulgari. Mjafton ky fakt, me të cilin do t’i jepja të drejtë Fitimit, por ai, duke e çuar më tej analizën, siç duket nuk bën më dallim nga Gurakuqët e rremë, me ata të vërtetët, por “rrëshqet përpjetë” duke i atribuar Luigj Gurakuqit historik, ide e veprime që nuk kanë qenë kurrë të natyrës së tij. Autori i artikullit në fjalë shkruan: “Po t’ishte gjallë Luigj Gurakuqi në vitin 1940, të parin që do të godiste, do t’ishte Gjergj Fishta, sikundër goditi Faik Konicën me shkop kokës në Vlorë, kur tentoi ta shkëpuste nga Ismail Qemali për ta lidhur me Esat Pashën”. Mirëpo, këtë lajthitje e hedh poshtë Gurakuqi i pavdekshëm me kushtimin monumental të veprës së tij «Vargënimi në gjuhë Shqype» :

Fort të ndritshmit Zot

AT GJERGJ FISHTA

Qi me vepra të larta e të shkëlqyeshme

I fitoi nderë e famë të pasosme

Zanave shqyptare

Në shej çmimit e bindjet

Ket punë të vogël

Auktori i përvûjtun

Kushton

Do të mjaftonte ky kushtim për të kuptuar se kush ishte Patër Gjergji dhe kush ishte miku i tij, “vigani liberator” siç e pat quajtur Noli, Luigj Gurakuqin. Por, jemi të shtrënguar t’i përgjigjemi fushatës propagandistike të komunistëve të sotëm që, çuditërisht, si asnjëherë tjetër kanë ndërmarrë këto kohët e fundit kundër vlerave më të mëdha të patriotizmit tonë kombëtar. Fitim Çaushi, çuditërisht e pranon që Gjergj Fishta njihej si kundërshtar i vendosur i Italisë, – por pastaj aty për aty rrëshqet: – por pas, 7 Prillit u mbulua me nder e shpërblime nga italianët, çka ndërroi qëndrimin dhe filloi bashkëpunimin me italianët. – Këtu kemi të bëjmë me një pohim të vërtetë në fillim i cili ndiqet me sajime e thashetheme nga më grotesket. Alergjia instinktive e një komunisti të indoktrinuar gjer në palcë, përpiqet me çdo kusht të eliminojë kundërshtarin në mënyrën më trashanike duke u bërë qesharak. Jo vetëm kaq, i verbuar nga urrejtja luan rolin e injorantit duke u bërë edhe cinik. I themi këto me këtë logjikë: Fishta pra, paska qenë i njohur si kundërshtar i Italisë; por këtu do të ndalemi dhe ta shqyrtojmë këtë dukuri. Kur themi për dikë apo për diçka që njihet, këtu nuk kemi të bëjmë me një thënie “kalimthi” apo me ndonjë individ të rëndomtë, por me një opinion publik, me një shoqëri të tërë. E këtu nuk ka kotësi. Ndërsa ajo që përcjell artikullshkruesi, pas 7 prillit 1939 kur qenka mbuluar me ndere e shpërblime nga italianët, e çka ndërroi qëndrimin e filloi bashkëpunimin me italianët, është pa asnjë bazë dhe vërtetohet lehtësisht e kundërta. Pas pushtimit (7 prill 1939) Fishta nuk është parë në publik. Por ka një fakt tjetër që e shemb përtokë kështjellën prej kartoni qe ngre komunisti enverist: në librin e shkrimtarit të njohur Injac Zamputi, “Fishta – koha, njeriu, vepra” lexojmë: “Akademik i Italisë (Fishta) duke qenë në konferencën që mbajti në kinemanë “Rozafa” për s’di se çfarë rasti përkujtimor – në fundin e jetës së tij, – e solli fjalën te paralelizmi i pushtimit fashist me pushtimin romak të lashtësisë. Dhe pati guximin të fliste për rezistencën që hasën romakët ndër fiset dhe mbretëritë ilire, deri tek kryengritja e kryesuar prej Batos. “Të gjitha këto – përfundoi ai – ndodhën sepse Ilirët e panë menjëherë se trupat romake po sillnin robërinë në vend të lirisë të cilën mburreshin se po ia sillnin botës bashkë me drejtësinë romake”. Aluzioni ishte i qartë. Nuk plasi skandali, por në fytyrat e të gjithëve lexohej habia e madhe për këtë guxim. Ç’rrjedhime do të kishte pasur nuk e dij, sepse në fund të atij viti Fishta vdiq.”

Atëherë, kështu e mbylli jetën ky njeri i madh dhe nuk u la kohë anatemuesve, “flirteve” ala-jorgaq, për të vazhduar lojën djallëzore. Mund të mohosh me fjalë edhe një realitet, por kur është fjala për pavdekësinë kushdo që i kundërvihet dështon. Jean Paul Sartre ka thënë “Ne jemi veprat tona”, e nëse është kështu, vepra universale e Fishtës nuk vdes për sa kohë flitet gjuha, bilbil i së cilës pat qenë ai vetë. Me atë vepër ai, si Horaci i lashtësisë, i ngriti monument vetes, një monument të atillë për të cilin poeti i madh latin pat shkruar: “Kam ngritur një përmendore më të qëndrueshme se tunxhi e më të lartë se piramidat e pamatura mbretërore; këtë përmendore, as shiu rrënues, as Akuiloni i tërbuar, as vargu i pambarim i vjetëve, as rryma e kohëve s’do të mund ta dërrmonin”. Kështu e ka dhe Fishta ynë i madh, të gjitha këto dukuri që përmend Horaci nuk kanë për ta rrëzuar monumentin e tij, e lëre më pastaj orvatjet e liliputëve, as mund t’i afrohen lartësisë së tij.

*Ish i dënuar politik

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here