Ka dështuar sërish seanca për leximin e dëshmisë së Elvis Matës në gjyqin ndaj Kastriot Ismailajt.
Gjykata ka kërkuar vijimin e seancës, por avokati i Ismailajt është larguar. Sipas tij, gjykata është e njëanshme dhe ka shkelur të drejtat proceduriale të gjykimit.
Ismailaj po përdor të gjithë mundësitë proceduriale që gjykata të mos marrë si provë dëshminë e Elvis Matës, ish-drejtorit ekzekutiv të DIA-s. Ky i fundit, që nga momenti që ka dhënë dëshminë kundër Ismailajt, gjatë fazës së hetimit paraprak nuk gjendet më, ndërsa prokuroria kërkoi që t’i lexohen thëniet. Kjo kërkesë u kundërshtua nga i pandehuri Ismailaj, sipas të cilit, organi i akuzës nuk ka bërë asnjë përpjekje për të gjetur dëshmitarin Mata.
Sipas Ismailajt, Mata banon në Mynih të Gjermanisë dhe prokuroria duhet ta gjejë. Përveç këtij fakti, i pandehuri Ismailaj pretendon se dëshmia e Matës, që mbahet si provë ndaj tij nga prokuroria, është përdorur më parë nga OSHEE-ja gjatë procesit të arbitrazhit mes DIA-s dhe OSHEE-së dhe si e tillë nuk mund të përdoret në procesin penal.