Propozimi i Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për ashpërsimin e dënimeve ndaj personave që kryejnë veprimtari të paligjshme në fushën e narkotikëve, në fakt është një mbivendosje e propozimit të ngjajshëm që kolegu i tij Manjani ka bërë 4 muaj më parë.
Në thelb të njëjtat propozime janë bërë në prill nga Ministria e Drejtësisë, e cila asokohe i dorëzoi Këshillit të Ministrave dy projektligje. Ndryshimet në fushën e narkotikëve mesa duket diktoheshin nga praktika gjyqësore, pasi binte në sy një handikap i madh, për faktin se dënohej njësoj si personi që kapej me disa gramë dhe ai që kapej me kilogramë apo tonë. Projektligji bënte riformulim të nenit 283, në të cilin përcaktoheshin masat e dënimit, në varësi të sasisë së drogës. Konkretisht në këtë nen parashikohej: Mbajtja, shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi trasportimi, dërgimi, apo dorëzimi, veç rasteve të përdorimit vetjak, në varësi të llojit dhe sasisë së lëndës nartkotike dënohet si më poshtë: Kur lënda narkotike është e llojit kanabis sativa për sasi në 100 gramë propozohej dënimi me burgim nga 1-5 vite. Për sasi nga 100 gramë deri në 1 kg dënimi me burgim nga 2 – 7 vite, nga 1 kg deri në 10 kg dënimi me burgim nga 3-8 vjet, ndërsa kur sasia është mbi 10 kg propozohej dënim me burgim nga 3 deri në 10 vite. Ministria propozoi ashpërsim të dënimit deri në 15 vite burg për personat që e kryejnë veprën në bashkëpunim apo kur lënda narkotike është e llojit kokainë, dhe kur trafikohet në sasi të mëdha. Ajo që bie në sy është fakti se asnjë nga këto propozime nuk u mor në konsiderate. Por së fundmi dy ministrat u përplasën kur Tahiri kudnërshtoi propozimin e Manjanit, për daljen e ushtrisë në terren për çështjet e kanabisit, nëse sikurse theksoi ministri i Drejtësisë, realisht situata ishte aq shqetësuese sa perceptohej në publik.
DENIMET E PROPOZUARA SIPAS SASIVE:
a)Kur sasia e lëndës narkotike është deri në 100 gramë dënohet me burgim nga 1-5 vite b)Kur sasia e lëndës narkotike është nga 100 gramë deri në 1 kg dënohet me burgim nga 2 – 7 vite c)Kur sasia e lëndës narkotike është mbi 1 kg deri në 10 kg dënohet me burgim nga 3-8 d)Kur sasia e lëndës narkotike është mbi 10 kg dënohet me burgim nga 3 deri në 10 vite./BW