Kryeministri Edi Rama ka vijuar turin e tij të takimeve me fermerë. Sot ai ndaloi në Gjirokastër në fshatin “Asim Zeneli”. Gjatë diskutimit një prej fermerëve iu ankua kryeministrit se i kishin kërkuar shifra marramendëse për të bërë legalizimin e stallave të bagëtive.
I zënë ngushtë dhe para kamerave, Rama urdhëroi drejtorin e legalizimit që t’i mbaronte punë fermerit. Drejtori tha se nuk ishte në dijeni të kësaj shume, por shtoi se në zonën ku ishte stalla, legalizimi kishte një kosto 200 lekë të reja për m2.
Pasi dëgjoi drejtorin Edi Rama i kërkoi që të hënën ti bënte legalizimin fermerit, në të kundërt i tha se të martën do të ishte fermeri që do ti zinte vendin drejtorit.
Më tej kryeministri nxiti fermerët që të aplikojnë për projekte, ndërsa premtoi se vitin tjetër do të ketë investime në rrugët rurale.