Elseid Hysaj mund ta vazhdojë karrierën në një prej klubeve më prestigjozë të planetit, pavarësisht faktit se rinovoi me Napolin vetëm pak ditë më parë. Një prej portaleve më të ndjekur në Britaninë e Madhe, “Shoot.co.uk” zbulon emrin e shqiptarit në listën e dëshirave të Hoze Murinjos te Mançester Junajtid.
Sipas tabloidit, mbrojtësi shkodran është objektivi i parë i portugezit për krahun e djathtë të mbrojtjes dhe ai do të kërkojë ta rrëmbejë nga Napoli që në muajin Janar. “Hysaj është një nga mbrojtësit më të vlerësuar në futbollin italian”, shkruan tabloidi që shton se alternativa e 22-vjeçarit shqiptar është Florenzi i Romës.
“Ai është vetëm 22 vjeç dhe po luan sezonin e tretë në Serie A. Numëron 43 ndeshje zyrtare me Napolin në të gjitha kompeticionet. Hysaj është një lojtar shumë i shpejtë dhe mund të luajë shumë mirë si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në atë sulmuese. Ai mund të bëhet një nga mbrojtësit më të mirë të botës gjatë viteve të ardhshme”, shton më tej “Shoot”.
Në fund, portali shton se Hysaj do të ishte një armë më shumë në dispozicion të Jose Mourinhos, i cili kërkon të ndërtojë një mbrojtje të fortë për sezonet e ardhshme te Mançester Junajtid. Klauzola e largimit të shqiptarit nga skuadra e Napolit është vendosur 50 milionë Euro pas nënshkrimit të kontratës së re vetëm pak ditë më parë.