Hetimet/ Grabitja e bujshme e Rinasit, kriminelët pa emër jetojnë në liri

0
232

 

Grabitjet më të mëdha që kanë ndodhur dy vitet e fundit janë ende pa autorë. Grabitësit nuk kanë mundur të identifikohen dhe aq më shumë të arrestohen nga policia. Të vetmit që ndodhen të arrestuar apo që janë dënuar, kanë qenë ata që kanë patur rol të dorës së dytë, siç është rasti i Rinasit apo edhe të grabitjeve të tjera spektakolare, ku shumat kanë qenë marramëndëse.

Kur kanë kaluar më shumë se katër muaj nga grabitja spektakolare e ndodhur në pistën e aeroportit të  Rinasit, ku tre persona të armatosur dhe të maskuar hynë në pistë dhe grabitën afro 1 milion euro të një banke te nivelit të dytë,  policia dhe prokuroria nuk kanë ende asnjë të arrestuar si autor të ngjarjes.

Të vetmit që duket se do të gjykohen janë  punonjësit e kompanisë së sigurimit të aeroportit dhe shoferi i furgonit që trasportonte shumën e parave, ndaj të cilëve është ngritur akuza për “shpërdorim detyre”. Ndërkohë gjurmët e grabitësve të vërtetë nuk dihen.

Grabitje të tjera i kanë tashmë dosjet në arkiva, ku sërish nuk ka emra autorësh.

Në 13 shkurt 2015 në filialin e një banke të nivelit të dytë tek Treni, grabitësit mundën  të merrnin 2.8 milion euro në momentin që po shkarkoheshin nga makina e kompanisë së sigurisë.

Të vetmit që u gjykuan dhe  u dënuan për shpërdorim detyre ishin punonjësit e sigurisë së bankës dhe kompanisë private. Për këtë ngjarje nuk është arrestuar dhe dënuar asnjë nga autor i dyshuar.

Po në 2015-tën një tjetër grabitje ndodhi në autostradën Tiranë –Durrës. Furgoni i blinduar i një kompanie private u sulmua nga persona të armatosur dhe të maskuar dhe agresorët arritën të merrnin një shumë prej 3.8 milion euro, që do të niseshin drejt Rinasit. Përsëri autorët nuk u gjetën.

Në të njëjtën situatë ndodhet edhe grabitja e ndodhur pak ditë më parë në qendër të kryeqytetit afër “Pazarit të ri” ku agresorët kanë mundur të cajnë murin e argjendarisë dhe arritën të merrnin  të gjithe sasinë e floririt që ndodhej në dyqan, deri tani edhe për këtë ngjarje nuk ka ende asnjë person të dyshuar apo të arrestuar.

Edhe kjo dosje do t’i bëjë shoqëri stivës së gjatë të grabitësve në kërkim./ O.news/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here