Pronari i magazinës së drogës: Janë të gjitha të miat, të arrestuarit e tjerë janë pa faj

0
158

Pronari i magazinës ku u sekuestruan 1.3 ton kanabis në fshatin Derven të Krujës, Kujtim Rexhepi, ka pranuar se droga dhe armët e gjetura janë të tijat, duke shfajësuar vëllezërit Gjokeja, të cilët u cilësuan nga organi i akuzës si organizatorë të veprimtarisë kriminale.

“Droga është e imja, armët janë të mbetura nga viti 1997. Magazinat i kisha në administrim prej vitesh”- u shpreh ai në gjykatë.

Mësohet se përveç vëllezërve Gjokeja, Rexhepi ka deklaruar se as i arrestuari tjetër Nilson Gega nuk ka lidhje me drogën, ndërsa të arrestuarit e tjerë ishin vetëm punëtorë. Mësohet se Rexhepi ka pranuar se i paguante punëtorët e hashashit me 15 mijë lekë në ditë.

Ndërkohë në sallën e gjyqit pati debat mes avokatit mbrojtës të Rexhepit dhe trupit gjykues, pasi avokati pretendon se ka probleme në procesverbale. Por pavarësisht kësaj, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi masën ‘arrest me burg’ për Kujtim Rexhepin.

1.3 ton drogë, 11 të arrestuar, kallashnikovë e armë të tjera, makina luksoze dhe pajisje logjistike. Ky është bilanci i aksionit të policisë së Durrësit dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë mbrëmjen e 18 nëntorit në fshatin Derven të Krujës.

Gjatë operacionit në fshatin Derven u prangosën: Erjon Vathi, Ferit Sula, Ali Kuçi, Ersaldo Nikolla, Besmir Vathi, Erald Bardhoku, Kujtim (Valentin) Rexhepi (Smykalova), Gazmir Gjokeja, Nilson Gega, Gjovalin Gjokeja, si dhe Aurel Gjokeja.

Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e prokurorisë dhe vendosi sot masën ‘arrest me burg’ për 6 prej të arrestuarve. Pesë prej tyre u gjykuan një ditë më parë. Edhe ndaj tyre u vendos masa arrest me burg, përveç minorenit Ersaldo Nikolla, 16 vjeç, i cili për shkak se është i mitur, gjykata vendosi detyrim paraqitjeje.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here