Të tjera detaje dalin në pah nga krimi i të shtunës në mbrëmje në fshatin Çoçaj, të Ndroqit, ku 56-vjeçari Kasëm Lila vrau me armë bashkëshorten e tij Fize Lila, 41 vjeç dhe plagosi kunatën e tij 56 vjeç.
Burime nga grupi hetimor dyshojnë se gjithçka ka ndodhur pas një konflikti që Kasëm Lila kishte me vëllain e tij. Ky i fundit ishte i martuar me motrën e gruas se Kasëmit, e cila mbeti e plagosur.
Mësohet se në sherr e sipër mes dy vëllezërve, në momentin kur 56-vjeçari ka marrë armën për të qëlluar, kanë ndërhyrë dy motrat, çka ka sjellë edhe pasojat fatale. Gruaja e Kasëm Lilës ndërroi jetë disa çaste më pas, ndërsa kunata e tij mori një plumb në shpatull.
Të dy vëllezërit jetonin në një shtëpi dhe kushtet e vështira financiare mendohet të jenë shkak i sherrit. Ato ishin vështirësuar si pasoje e dy ndërhyrjeve kirurgjikale, të cilave u ishte nënshkruar autori i krimit.
Nga dëshmitë e të afërmve mësohet se javët e fundit autori i krimit ishte shfaqur tepër agresiv, si pasoje e shkëputjes së pensionit të invaliditetit. Polica ka sekuestruar një çifte, dy gëzhojat që i morën jetën gruas se tij dhe plagosen kunatën dhe 20 fishekë arme gjahu. Lila u arrestua në shtëpinë e tij, disa minuta pas krimit. / tvklan