Sot mbushen dy muaj nga tërmeti i 24 gushtit që goditi Italinë Qendrore duke shkaktuar 298 viktima dhe qindra të plagosur. Ndonëse ka kaluar pak kohë nga kjo tragjedi, sërish janë regjistruar lëkundje. Gjatë natës së shkuar një tërmet i shkallës 2.8 ka goditur territoret e vendeve simbol të kësaj tragjedi, komunat e Amatrice, Acumoli, Arquata e Pescara del Tronto, vendet ku më 24 gusht u shënuan numri më i madh i viktimave, të plagosurve e i dëmeve materiale. Dy muaj nga ky tërmet në këto qyteza ka marrë fund faza e emergjencës civile e ka nisur plani i rindërtimit të territorit nën komandën e Vasco Erranit, komisari i jashtëzakonshëm i emëruar nga qeveria italiane. Objektivi kryesor është që brenda pranverës së vitit 2017, 600 banesa alternative t’u dorëzohen banorëve të mbetur pa shtëpi nga ky tërmet. “Banorët nuk duan të largohen nga territori i tyre duan të qëndrojnë. Dhe ata që janë larguar për pak kohë, duan të rikthehen”, shprehet në këtë ditë kryetari i komunës së Amatrices Sergio Pirozzi duke i bërë dhe një herë apel qeverisë që të mos i harroj e të mos i lë vetëm. Amatrice do të rilind, shprehet ai, e do të rilind më e bukur se më parë.” Sipas një analize të fundit të bërë nga Konfederata Kombëtarë e prodhuesve italiane, 74 % e italianëve kanë kontribuar në iniciativat e solidaritetit për t’i ardhur në ndihmë zonave të dëmtuara. Ndërkohë gjatë ditës së sotme, Selia e Shenjtë në Vatikan ka informuar se kreu i Konferencës Episkopale Italiane, kardinali Angelo Bagnasco më datë 26 gusht do të vizitoj zonat e goditura nga tërmeti e do të takohet me banorët e zonës.