Nga data 12 tetor e drejta për të bërë një Check-up do të jetë për moshat nga 35 vjeç deri në 70 vjeç. Grupmosha ka ndryshuar dhe sipas deputetes demokrate, Albana Vokshi janë shtuar paratë për kompaninë që fitoi konçensionin. “Rama ka vendosur ti japë Vilma Nushit edhe 5 milionë Euro më shumë në vit” ka thënë Vokshi, duke denoncuar thellimin e skandalit.
Deklarata e plote e Albana Vokshit
Edi Rama flet për rritje pagash, por në fakt ka hapur thesin për donatorët dhe miqtë e tij. Me 12 tetor, Rama ka vendosur ti japë Vilma Nushit edhe 5 milionë Euro më shumë në vit.
E ka bërë këtë duke rritur fashën e grupmoshës që gjoja bëjnë (check-up). Nga 40-65 vjec që ishte, tani e ka bërë në 35-70 vjec, dhe këtë e ka bërë këtë pa asnjë studim, dhe pa të dhënat klinike, shkencore, epidemiologjike.
Nuk e ka bërë për suksesin e check-up-it, sepse nuk ka shqiptar mos ta dijë se kjo është një skemë e dështuar. Qytetarët e kanë refuzuar, dhe në ato pak raste kur kryhet përgjigjet e analizave shpesh kanë qenë skandaloze, absurde e të pabesueshme.
Kjo rritje e fashës nuk bëhet për të ndihmuar qytetarët por për të vjedhur më shumë së bashku me donatoren e tij, Vilmën.
Pra ka shtuar rreth 350 mijë qytetarë për regjistrat e Vilmës që përkthehet në 5 mln Euro më shumë në vit për donatoren e tij personale.
Megjithëse check-up është një prej aferave më të mëdha korruptive në 3 vjet të kësaj qeverie, Edi Rama dhe Ilir Beqaj, jo vetëm nuk hoqën dorë, por kanë vendosur ta thellojnë skandalin, të vjedhin edhe më shumë, të ndajnë më shumë para me Vilmën.
Spitalet dhe kujdesi parësor janë zhytur në mjerim, sepse paratë që duhet të shkonin për barna, kura, pajisje, mjete për shëndetin e shqiptarëve, zhduken në xhepat e Vilmës, dhe Beqes e Ramës.
Në vendimin e qeverisë, që është zhdukur nga faqet e Kryeministrisë, Ministrisë se Shëndetësisë apo Fletorja Zyrtare, nuk jepet asnjë sqarim. Nuk ka transparencë. As kampioni i korrupsionit Beqja që bën cdo ditë reklamë për Vilmën nuk tregon asgjë. Kjo është errësira që shoqëron këtë aferë të re korruptive.
Si Kryetare e Komisionit për Shëndetësinë, pas shumë kërkesavë zyrtare, prej një viti nuk kam marrë asnjë informacion nga Ministri Beqaj për koncesionin e Vilmës, ndërkohë në ekranet televizive paguhet për reklamimin e kësaj vjedhje shtetërore.
I bëjmë thirrje Prokurorisë të mos trembet nga shantazhet e kryeministrit, por të thellojë hetimet të veprojë konkretisht për këtë histori të pashembullt korrupsioni me fondet e shëndetit, me paratë e shqiptarëve.