Kejdi Mehmetaj dhe Mimoza Hafizi kanë bashkuar dje votat me deputetët e Partisë Demokratike për të thirrur në seancë dëgjimore gazetaren Alida Tota për të dëshmuar lidhur me investigimin mbi vdekjen e të riut Ardit Gjoklaj në lanfillin e Sharrës, javë më parë. Komisioni i Medias dje diskutoi për përcaktimin e kalendarit të punimeve, ku PD u bë shumicë falë dy votave të deputeteve të majta, konkretisht të Kejdi Mehmetaj nga LSI dhe ish-deputetes së PS, Mimoza Hafizi. Deputetët e Partisë Socialiste u shprehën kundër thirrjes së Alida Totaj në Komision por votat e tyre nuk mjaftonin për të rrëzuan kërkesën e demokratëve.
Seanca dëgjimore me gazetaren do të zhvillohet nesër dhe bashkë me të do të jenë edhe përfaqësues të Shoqatës së Gazetarëve. Këtë e njoftoi vetë kryetari i këtij komisioni, Genc Pollo. “Alida Tota në dëgjesë para Komisionit të Medias të mërkurën, 26.10, ora 10.00. Censurë nga Veliaj. Edhe Shoqata e Gazetarëve. PS kundra, mbetet pakicë!”, shkroi Pollo në rrjetet sociale. Ndërkaq, vdekja e 17-vjeçarit më 6 gusht në landfllin e Sharrës ka mbetur ende mister. Disa media kanë tentuar të hedhin dritë mbi vdekjen e Ardit Gjoklajt por emisionet për këtë ngjarje janë ndaluar. Një prej gazetareve që ka investiguar mbi vdekjen dhe përgjegjësinë për jetën e humbur në vendgrumbullimin e plehrave ka qenë dhe Alida Tota, çka sipas rrëfimit të saj, i ka kushtuar vendin e punës në një televizion. Për këtë gazetarja ka akuzuar drejtpërdrejt kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Veç investigimit të Totës në media u ndalua publikimi edhe të një emisioni të dytë të ngjashëm. Gati tre javë më parë u mbyll emisioni “Publikus” në Vizion Plus pasi kishte njoftuar se do të transmentonte fakte tronditëse mbi vdekjen e të riut dhe përgjegjësinë për këtë ngjarje.