Në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 6 nëntorit, kandidatët për kryetarë të LSI-së, z. Shezai Rrokaj dhe z. Përparim Spahiu si edhe Nënkryetari i LSI-së, z. Endrit Braimllari, zhvilluan një takim me strukturat e kësaj force politike në Pogradec.
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë takim, z. Endrit Braimllari tha se gara e 6 nëntorit e forcon Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe e bën më gjithëpërfshirëse e më të hapur për të rinjtë e të rejat.
“Është një garë e cila forcon Lëvizjen Socialiste për Integrim , është një garë e cila e bën LSI më të fortë, më të bashkuar, e vazhdon rrugën e hapjes së LSI, por mbi të gjitha është një garë që do të sjellë një ristrukturim total të gjithë strukturave të LSI. Ajo çka është më e rëndësishme për LSI ka të bëjë gjithëpërfshirjen. LSI është e hapur për të gjithë ata që kontribuuan ndër vite, por nga ana tjetër LSI është e mirëpritur për të gjithë ata të rinj dhe të reja që duan të japin kontribut dhe të vazhdojnë rrugën e suksesit, rrugën e pandalshme në shërbim të qytetarëve shqiptarë. Pogradeci ka nevojë për politikanë të cilët kontribuojnë në parlament për rritjen e investimeve, që lobojnë në parlament për zhvillimin e turizmit, por mbi të gjitha Pogradeci ka nevojë për një klasë politike të përgjegjshme,për një klasë politike e cila siguron një të ardhme të suksesshme për të gjithë këta të rinj dhe të reja”, – deklaroi Nënkryetari i LSI-së, z. Braimllari.
Ndërsa, kandidati për kryetar, z. Shezai Rrokaj, tha se platforma e tij i shërben shëndoshjes së LSI-së dhe se kjo është një garë mendimesh, platformash, që do të nxjerrin një fitues dhe asnjë humbës.
“Unë mendoj se platforma ime i shërben shëndoshjes së LSI. Sepse unë nuk mendoj se kjo është një garë rivale, kjo është një garë mendimesh, platformash, që në fund të ditës do të nxjerrin një fitues dhe asnjë humbës. Fituesi do të jetë LSI”, – u shpreh z. Rrokaj.
Kandidati për kryetari i LSI-së, z. Përparim Spahiu, tha se LSI është e vetmja forcë politike që rritet çdo ditë dhe që në të ardhmen duhet të ketë një rol parësor dhe një udhëheqës në politikën shqiptare. Për
“Ilir Meta ka bërë një marrëveshje për të bashkëqeverisur në koalicion me Partinë Socialiste një marrëveshje e ndershme politike për ta çuar Shqipërinë disa hapa përpara. Mirëpo për të çuar përpara, në analizën time, por jo vetëm në analizën dhe gjykimin tim, janë bërë me ngërçe ose nuk janë bërë fare. Unë mendoj se këto zhgënjime të shqiptarëve, ne anëtarët e LSI duhet t’i shohim me sy kritik dhe t’i minimizojmë që tani. Ka ardhur koha që LSI, e cila është e vetmja forcë politike që rritet çdo ditë, të ketë një rol parësor dhe një udhëheqës në politikën shqiptare dhe në shoqërinë shqiptare. Për mua, por jo vetëm, LSI duhet të jetë e para që nuk duhet të prodhojnë kryeministrat që nuk kanë teserën e partisë sonë dhe që na vendosin përpara faktit të kryer në shumë vendimmarrje të rëndësishme. Sepse ne nuk duhet të paguajmë më faturën e dështimeve dhe të mëkateve të partive të tjera që kanë nevojë për votat tona, që marrin timon e Shqipërisë dhe bëjnë eksperimente me drejtimin e saj”, – deklaroi z. Spahiu.
Gjatë takimit në Pogradec u shpërndanë gjithashtu edhe 300 karta të reja anëtarësimi.